De Biasi: Ne favoritë? Më kënaq edhe fitorja 1-0

Autori:Gazeta Fjala

k-euml-to-jan-euml-fitimet-e-de-biasit-n-euml-krye-t-euml-shqip-euml-ris-euml_hd

Trajneri i kuqezinjve flet para sfidës së sotme ndaj Lihtenshtejnit në orën 20:45

Xhani de Biasi është i qartë në ato që kërkon para ndeshjes që Kombëtarja Shqiptare do të luajë mbrëmjen e sotme në orën 20:45 ndaj Lihtenshtejnit. Italiani kërkon të marrë me çdo kusht fitoren edhe pse në konferencën e djeshme për shtyp u shfaq me disa hije dyshimi sa i takon objektivit, por edhe formacionit me të cilin do të luajë nga minuta e parë. Megjithatë De Biasi, në fund, shprehet me bindje se në këtë përballje e kënaq edhe një fitore në shifrat 1-0.

Sa do të ndihet mungesa e Sadikut në ndeshjen e nesërme (sotme), ndaj Lihtenshtejnit?

Sadiku është një nga lojtarët më të mirë që kemi dhe e gjithë skuadra do të bëjë maksimumin që të mos ndihet mungesa e tij në fushën e lojës.

Mund të themi se skuadra juaj është favorite për të fituar në këtë ndeshje?

Jemi të përqendruar të bëjmë maksimumin, të bëjmë gjithçka për të fituar. Kjo ndeshje përgatitet në kokën e lojtarëve dhe ne fushë, nëse i bëjmë gjërat siç duhet mund të fitojmë. Çdo ndeshje është e vështirë. Asnjë ndeshje nuk fitohet përpara se të luhet.

Ka pasur shumë aludime deri më tani në lidhje me formacionin. Mund të na thoni diçka zyrtare?

Nuk e di të them se cili formacion zbret në fushë, kemi provuar situata dhe zgjidhje të ndryshme. Do të mundohemi të hedhim në fushë një rreshtim sa më të ndryshëm nga i zakonshmi për të vënë në vështirësi kundërshtarin, e di që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, duhet të mundohemi ta bëjmë lojë me inteligjencë dhe përqendrim. Duhet të bëjmë ndeshjen për të vënë në vështirësi kundërshtarin, nëpërmjet goditjeve standarde, apo lojës përpara. Shpresoj që lojtarët të jenë në 100% për të dhënë një paraqitje të rëndësishme.

Megjithatë pritet të ketë shumë ndryshime në formacionin bazë për këtë ndeshje?

Po i numëroja, ndonjë është i detyrueshëm si Sadiku. Të tjerët janë dy besoj në krahasim me të zakonshmit. Ndonjë sepse nuk ka kondicionin e duhur për të luajtur dy ndeshje. Duhet të mendojmë se nga e nesërmja deri të dielën, do të luajmë dy ndeshje të rëndësishme. Dhe unë bëra këto zgjedhje, të flasim pas ndeshjes për to. E gjitha që kemi bërë është e kalibruar për t’u munduar të shpërndajmë forcat se ne kemi nevojë për cilësi, ritëm e ta bëjmë gjithçka mirë.

Do ishit i kënaqur me një fitore 1-0?

Do të firmosja që tani për të.

Luhet edhe Itali-Spanjë…

Ajo ndeshje është mendimi i fundit i imi, më e rëndësishme për ne është çfarë ndodh këtu, të përqendrohemi te ajo që bëjmë ne, ecuria varet nga ne, jo çfarë bëjnë skuadrat e tjera. Duhet të përqendrohemi në fushën tonë, të mos humbim energji. Ajo që ndodh në Itali nesër, varet nga shumë gjëra. Shpresojmë që Spanja të lodhet, të bëjë një udhëtim të keq, sa më të lodhur të vijnë, aq më mirë për ne.

Mavraj është i qartë: Kualifikimi kalon nga kjo sfidë 

Mërgim Mavraj i ka idetë e qarta: Nëse Shqipëria dëshiron të ecë në rrugën drejt kualifikimit në Botëror, nuk i falet asnjë rezultat tjetër përveç fitores ndaj Lihtenshtejnit. Në konferencën e fundit për shtyp, mbrojtësi i përfaqësueses tregoi se nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër përveç tri pikëve nëse kuqezinjtë dëshironin të mbeteshin në garë. “Nëse duam të bëjmë mrekullinë në këtë grup, duhet të fitojmë me Lihtenshtejnin. Nuk e nënvlerësojmë si kundërshtar, por duhet të kemi besim te aftësitë tona. Nuk ka më skuadra të vogla, duhet të bëjmë maksimumin për të fituar”, tha ai. Ashtu si trajneri De Biasi, edhe mbrojtësi mendon se tashmë të rëndësishme janë tri pikët dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojë çdo armë që ka në dispozicion. “Praktikojmë edhe goditjet standarde, pasi ato janë vendimtare për të vendosur rezultatin e një sfide”, shpjegoi ai, i ndërgjegjshëm se një nga armët më të forta të Shqipërisë mund t’i hynte përsëri në punë kuqezinjve në një duel që parashikohet i komplikuar. 

Trajneri i Lihtenshtejnit elozhe kuqezinjve: Do luajnë si në shtëpi 

Kombëtarja Shqiptare do të luajë sot ndeshjen ndaj Lihtenshtejnit në transfertë, megjithatë tifozët kuqezinj pritet të jenë të shumtë në mbështetje të kuqezinjve. Impianti “Rheinpark Stadion”, me kapacitet afro 5900 vende, do të presë këtë përballje delikate. I vetëdijshëm për avantazhin që Shqipëria do të ketë nga tifozët është edhe trajneri i Lihtenshtejnit, Rene Pauritsch dhe natyrisht që nuk nguron ta thotë një gjë të tillë. “Natyrisht që, në letër për ne është një ndeshje në shtëpi, por presim që tifozët shqiptarë të pranishëm në stadium do të jenë të shumtë dhe kjo do të krijojë një atmosferë të jashtëzakonshme. Për shkak të kësaj, presioni mund të jetë i gjithi te ekipi shqiptar”, ka thënë Pauritsch, i cili e ka studiuar Shqipërinë, duke vlerësuar paraqitjet e kuqezinjve në Euro 2016, por edhe në startin e kualifikueseve, në fitoren me Maqedoninë. “Kemi shumë respekt për skuadrën tuaj. I kemi ndjekur në Kampionatin Europian, ku u paraqitën mjaft mirë. Gjithashtu Shqipëria fitoi edhe në ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Maqedonisë, ku luajtën mirë dhe kanë një besim të madh në ndeshjen që do të luajnë ndaj nesh”, ka vazhduar deklaratën e tij trajneri i Lihtenshtejnit, që në vazhdim flet dhe për lojtarët kuqezinj që kanë luajtur në Superligën zvicerane. “E kemi të qartë se Shqipëria ka një skuadër të fortë dhe me lojtarë mjaft cilësorë, të cilët i kanë treguar vlerat e tyre, si ata që kanë luajtur në Zvicër edhe ata që luajnë aktualisht. I njohim cilësitë e tyre dhe kemi shumë respekt për ata”, ka mbyllur Pauritsch.

Taulant Xhaka bëhet protagonist, sherr me gazetarët 

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, nuk i ka lënë përshtypje aspak të mirë një gazetari të gazetës sportive të Lihtenshtejnit, “Fatherland”. Në përfundim të stërvitjes së zakonshme, gazetari vendës kërkoi t’i merrte një prononcim Taulantit duke qenë se ai njihet në Lihtenshtejn pasi luan me Bazelin në kampionatin zviceran, ku merr pjesë dhe ekipi i kryeqytetit të mikroshtetit, Vaduzi. Reagimi i Xhakës ishte i papritur, teksa gjithë arrogancë u përgjigj: “Unë nuk flas me gazetarët!” Ngjarja u raportua në numrin e sotëm të gazetës “Fatherland” nga gazetari që ishte dërguar për të raportuar stërvitjen e kombëtares shqiptare. Për gazetarin e “Fatherland” ishte takimi i parë nga afër me lojtarët e ekipit shqiptar. Ndryshe nga Xhaka, futbollistët e tjerë si Mavraj apo Hyka u treguan mjaft miqësore duke iu përgjigjur pozitivisht interesimit të medias.

Zbardhen gjyqtarët, ja kush drejton takimin e kuqezinjve 

UEFA ka përcaktuar gjyqtarët që do të drejtojnë ndeshjet e radhës kualifikuese të Kombëtares Shqiptare. Për takimin midis Lihtenshtejnit dhe Shqipërisë, është përcaktuar një katërshe gjyqtarësh nga Hungaria. Tamas Bonjar do të jetë kryesori i takimit të radhës për kuqezinjtë. Asistentë të tij do të jenë Vensel Toth dhe Zsolt Varga, ndërkohë që arbitër i katërt do të jetë Ferenc Karako. Bonjar është i datëlindjes 18 nëntor 1978, i lindur në Sarvar të Hungarisë. Profesioni i tij është menaxher. Bonjar është bërë arbitër i FIFA-s në vitin 2009. Që nga viti 2006, ai është bërë pjesë e gjyqtarëve të ligës së parë hungareze. Karriera e tij me bilbil ka nisur në vitin 1995 dhe në vitin 2001 është bërë gjyqtar profesionist në kampionatin letonez. Pas katër vitesh me performancë pozitive, është bërë pjesë e ligës hungareze dhe që nga ajo periudhë ai është pjesë e kastës prej 12 gjyqtarësh profesionistë që drejtojnë në ligën e këtij vendi.

Shiten 6 mijë bileta, policia e Lihtenshtejnit në gatishmëri 

Ndeshja mes Lihtenshtejnit dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”, do të mbushë plot stadiumin e Vaduzit, teksa tashmë janë shitur të gjitha biletat, 6 mijë të tilla. Pjesa më e madhe e tifozëve pritet të jenë shqiptarë, kryesisht emigrantë që jetojnë në zonën e Europës qendrore. Për këtë arsye, autoritetet vendëse kanë marrë masa për të mobilizuar një numër të madh forcash policie në mënyrë që të shmanget çdo incident i mundshëm. Për herë të parë për një ndeshje ndërkombëtare, në kryeqytetin e Lihtenshtejnit, Vaduz, do të vendoset shërbim i transportit publik nga qendra e qytetit drejt stadiumit për tifozët. Ky shërbim do të fillojë 1 orë e gjysmë para takimit dhe do të vazhdojë deri në një orë pas ndeshjes.

Ja si pritet të jetë formacioni në Lihtenshtejn 

Në seancën e fundit stërvitore trajneri Xhani de Biasi ka konfiguruar edhe formacionin me të cilin do të luajë Shqipëria përballë Lihtenshtejnit. Surprizat nuk kanë munguar në këtë testim të skuadrës ku e veçanta është se Azdren Llullaku do të jetë titullar. Porta do të mbrohet si zakonisht nga Etrit Berisha, ndërsa në mbrojtje do të aktivizohen Hysaj, Mavraj, Gjimshiti si dhe Naser Aliji. Në mesfushë përpara mbrojtjes do të luajnë Burim Kukeli dhe Amir Abrashi. Do të jenë 3 lojtarët që do të mbështesin Bekim Balajn në qendër të sulmit. Roshi do të vendoset në krahun e djathtë, Jahmir Hyka në qendër dhe Azdren Llullaku në të majtë. Bekim Balaj në mungesë të Armando Sadikut do të ketë përgjegjësinë për të mbajtur peshën e majës së sulmit me objektivin për të dërguar topin në rrjetë. Në seancën stërvitore të pasdites të së Martës, mungoi Ledian Memushaj i cili po kryen terapi dhe vetëm të Mërkurën do të vendoset nëse do të jetë i gatshëm apo jo ndaj Lihtenshtejnit.

Mungesa e madhe, Sadiku ka një mesazh për shokët e skuadrës 

Armando Sadiku i është nënshtruar sot operacionit në gjurin e majtë për riaftësimin pas dëmtimit të pësuar në kampionatin zviceran. Sulmuesi ka përfunduar ndërhyrjen kirurgjikale në një spital në Zyrih dhe menjëherë iu është drejtuar rrjeteve sociale për të treguar nëpërmjet një postimi se gjithçka kishte shkuar mirë dhe priste me optimizëm për të filluar punën për t’u rikthyer në fushë. “Sapo mbarova operacionin në menisk dhe gjithçka shkoi mirë”, shkruan ndër të tjera sulmuesi i përfaqësueses. “Tani fillon pjesa më e vështirë, pjesa e rikuperimit. Edhe duhet shumë punë. Sigurisht që mua nuk më mungon vullneti për të punuar sepse çdo gjë që kam arritur deri sot e kam arritur me punë, me djersë dhe sakrificë, sidomos në këto momente ku Shqipëria ime ka nevojë për mua”, ishin fjalët e sulmuesit i cili u ka bërë edhe një urim shokëve të Kombëtares për suksese në dy ndeshjet e radhës./mapo.al/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/de-biasi-ne-favorite-me-kenaq-edhe-fitorja-1-0/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala