Dallaveret me tender në Gjakovë

Autori:Zekirja Shabani

Mimoza Kusari

Institutit Demokratik i Kosovës ka gjetur shumë shkelje në tender të Komunës së Gjakovës që udhëhiqet nga Mimoza Kusari – Lila.

Komuna e Gjakovës paguan naftën më shtrenjtë se sa kushton në tregun me pakicë, ashtu sikurse kubëzat e betonit, të cilat kanë kushtuar deri në trefishin e mesatares së çmimeve në Kosovë. Kurse, çmimet e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve janë më të lartat në mesataren e komunave tjera.

Kështu thuhet në një raport të Institutit Demokratik i Kosovës, ku thuhet se Komuna e Gjakovës ka paguar çmimet shumë të larta për tenderët e analizuar, si dhe nuk ka pasur hartim të duhur të dosjeve të tenderit dhe kritereve teknike.

Gjithashtu, në këtë komunë janë gjetur shumë probleme me çmimet për njësi të cilat kanë aplikuar bizneset, si pasojë e hartimit të dosjeve të tenderit në mënyrë jo profesionale.

Armend Vokshi nga Komuna e Gjakovës ka thënë se të gjithë këta tender janë të nënshkruar në kohën e qeverisjes së kaluar, ndërsa komuna është gjetur e detyruar të implementoj këto kontrata. Megjithatë disa kontrata janë shkëputur disa operatorëve ekonomik, për shkak se qeverisja e kaluar ka shpallur tender pa pasur mjetet e nevojshme buxhetore.

Saranda Hyseni nga dega e AAK-së në Gjakovë, si parti kryesore opozitare në Gjakovë, ka thënë se Komuna e Gjakovës nuk po menaxhon mirë me financat publike, pasi që ka vendosur njerëz politik në krye të institucioneve të prokurimit në Komunë.

Sipas Hysenit ka pasur rast që tenderët janë shpallur pasi që kanë filluar të kryhen punimet në terren nga kompanitë. Ajo ka thënë se AAK do të vazhdoj t’i kushtoj një vëmendje të madhe shpenzimeve financiare të Komunës, për të siguruar se ato po menaxhohen në mënyrë të duhur.

Agon Batusha nga Vetëvendosje, ka thënë se prokurimi në Gjakovë shërben për të shpërblyer militantët politik dhe bizneset e afërta.Ai ka thënë se një numër i problemeve vijnë edhe për shkak të Ligjit të Prokurimit Publik, i cili nuk mundëson prokurim efikas. Megjithatë ai ka thënë se duke vendosur njerëz politik në prokurim publik, Komuna e Gjakovës nuk do të zgjidhë këto probleme.

Të pranishmit e tjerë në këtë tryezë kanë thënë se Komuna e Gjakovës duhet të sigurohet që në projektet e prokurimit të sigurohet cilësi e duhur e punëve dhe të shmangen ndërhyrjet politike në prokurim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/dallaveret-me-tender-ne-gjakove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala