Çelaj: Prishtina është shtab i Vetëvendosjes për punësim të militantëve

Autori:Gazeta Fjala

shpend lirak

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, ka adresuar një varg kritikash për kryetarin aktual, Shpend Ahmeti, dhe për qeverisjen e tij.

“Shkollat janë politizuar tej mase, kam shpresuar që shkollat do të jenë të depolitizuara”, ka thënë Çelaj në Klan Kosova.

“Mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave në Prishtinë janë figura politike. E kam thënë vazhdimisht që Prishtina është shndërruar në shtab të Vetëvendosjes për të punësuar jo vetëm militantë nga Prishtina por kanë mbledhur militantë nga gjithë Kosova për të zënë vendin e atyre që jetojnë në Prishtinë e nuk mund të punësohen”, ka deklaruar Çelaj.

“Shpendi është vënë në funksion të shërbimit të partisë së tij”, është shprehur ai.

Çelaj ka bërë premtimet e tij se si do të merret me çështjet e arsimit nëse do të zgjedhet në krye të Prishtinës.

“Po e bëj këtë zotim, unë nuk do të merrem me probleme të nivelit qendror, nuk do të jem sikur këta të tjerët që janë kryetar vetëm të qytetarëve që i përkasin subjektit të tyre”, ka thënë ai.

“Unë vij nga një subjekt politik por do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh cilës parti politike i përkasin. Unë nuk i ndaj njerëzit në vija politike”, është shprehur Çelaj.

Ai ka thënë se politizimi është një nga problemet e shkollave në Prishtinë, e që sipas tij nëse zgjedhen kuadro cilësore atëherë ndihmohet edhe në cilësinë e përgjithshme të arsimit në kryeqytet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/celaj-prishtina-eshte-shtab-i-vetevendosjes-per-punesim-te-militanteve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala