Cana sot përshëndetet me futbollin, ceremonia mbahet para ndeshjes ndaj Italisë

Autori:Gazeta Fjala

cana-1

Ndeshja me Italinë nuk është e rëndësishme vetëm nga ana sportive, pasi ndeshemi për herë të parë në Shqipëri me ta, por sepse ajo përkon edhe me lamtumirën nga futbolli i luajtur për Lorik Canën, kapitenin legjendë të skudrës që shkoi për herë të parë në Evropian.

Rrugëtimi i tij prej më shumë se 13 vjet me kombëtaren përfundoi pikërisht një vit më parë, në majën e Evropës, në finalet e të parit Evropian për Shqipërinë, por Lorik Cana e ka shkruar emrin e tij mes legjendave të futbollit shqiptar.

Futbollisti që i dha vlerë statusit të kapitenit i ka varur këpucët në gozhdë dhe sot në nder të tij Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të organizojë një ceremoni speciale lamtumire nga futbolli. Për momentin, gjithçka është mbajtur diskrete, por ajo që është e sigurt është se pritet të jetë një ceremoni e veçantë, përpara startit të takimit me Italinë, shkruan Top Channel.

Cana u kthye në kapitenin simbol të ekipit kombëtar për karakterin dhe personalitetin e tij. Cana u bë pjesë e kombëtares në pranverën e vitit 2003, kohë në të cilën skuadra drejtohej nga Brigel. Në atë kohë, djaloshi gjakovar militonte në radhët e PSG. Shumë shpejt Cana u integrua në skuadrën kuqezi, ku fillimisht e nisi si mesfushor, për t’u pozicioniar më pas si një qendërmbrojtës.

Në karrierën e tij të gjatë Cana luajti në kampionatet më të rëndësishme të Evropës, për të nisur me një testim te Arsenali që kur ishte 16 vjeç, e për të vijuar më pas në Francë me PSG e Marseille, ku në moshën 23 vjeçare u bë kapiten i skuadrës. Në vitin 2009 u transferua në Angli te Sunderland dhe një 1 vit më pas në kampionatin turk me Gallatasaray. Nga viti 2011-2015 Cana ishte pjesë e Lazios në Itali, ndërsa karrierën e mbylli në Francë në radhët e Nantes.

Me ekipin kombëtar, Lorik Cana numëron 93 prezenca, më shumë se çdo futbollist tjetër shqiptar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/cana-sot-pershendetet-me-futbollin-ceremonia-mbahet-para-ndeshjes-ndaj-italise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala