Buxheti i vitit 2019 është buxhet i shpenzimit qeveritar dhe jo i zhvillimit socio-ekonomik

Autori:Zekirja Shabani

Albin-Kurti

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje njëherit edhe deputet i parlamentit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, në një postim të tij para pak çastesh në rrjetin social facebook ka shkruar se ky buxheti i vitit 2019 është buxhet i shpenzimit qeveritar dhe jo i zhvillimit socio-ekonomik, shkruan gazeta inFokus

Albin Kurti ka thënë se ky buxhet është buxhet i shtimit të borgjit publik jo produktiv dhe i defiçitit buxhetor e që do ta gërryejë edhe Fondin e Privatizimit. Sipas Kurtit, numrat e buxhetit janë problematik sepse korniza makroekonomike dhe makrofiskale është e gabueshme.

Kurti shkruan se parashikimet për rritjen e variablave makroekonomike janë kryesisht fontanë dëshirash dhe kjo sipas tij vlen sidomos për investimet në sektorin privat. Kurse sipas Kurtit pjesa e investimeve publike, përveç që po kontribuon në rritjen eksponenciale të borgjit publik , fatkeqësisht mbetet pa ndonjë ndikim në rritjen ekonomike dhe në rritjen e mirëqenies.

Kurti thotë se kemi një kryeministër i cili me dialogun me Serbinë nuk merret, ia ka lënë këtë presidentit, e sa i përket buxhetit po ashtu nuk merret, do të thotë ia ka lënë Ministrit të Financave.
Kurti pretendon se kjo qeveri ka gërryer buxhetin dhe se e ka bërë shtetin e Kosovës siç e quan ai byro për punësim, që sipas tij nuk të punëson jashtë byrosë për punësim por vetëm në byronë për punësim.

Ja shkrimi i tij i plotë:

“Të nderuar qytetarë të Republikës,
Deputetë të Kuvendit,
Ministra të Qeverisë,

Në Kosovë janë ndërruar qeveritë, janë shtuar qeveritarët, janë rritur shpenzimet dhe harxhimet, por nuk ka ndryshuar orientimi qeveritar. Buxheti i vitit 2019 është buxhet i shpenzimit qeveritar dhe jo i zhvillimit socio-ekonomik, është buxhet i shtimit të borxhit publik jo produktiv dhe i defiçitit buxhetor e që do ta gërryejë edhe Fondin e Privatizimit. Numrat e buxhetit janë problematik sepse korniza makroekonomike dhe makrofiskale është e gabueshme.

Në faqen 7 dokumentohet se numri i kontove në administratën e Trustit Pensional përgjatë vitit 2017-2018 është rritur me 2%. Meqë kontot hapen sapo dikush të fillojë një marrëdhënie pune, por nuk shuhen kur punëmarrësit largohen nga vendi i punës, i bie që kjo rritje prej 2% në fakt është shumë më e ulët, por edhe mund të rezultojë negative në rast se më shumë se 2% e pronarëve të kontove individuale kanë humbur punën gjatë kësaj periudhe. Dihet që në Kosovë ka shumëfish më tepër prekariat sesa proletariat.

Në të njëjtën faqe thuhet se pagat në sektorin publik janë rritur me 4.6% kurse në atë privat me 0.6%. Ky konstatim përveçse është i pasaktë, meqë nuk ka patur rritje pagash të deklaruar në sektorin publik, del edhe kontravers për arsyen se tregon se politikat e qeverisë e shkatërrojnë kështu konkurrueshmërinë e sektorit privat, që natyrisht nuk kompensohet me favorizim të privatëve të privilegjuar. Kjo bëhet qoftë përmes humbjes së punëtorëve më të shkathët, të cilët ikin drejt sektorit publik në kërkim të pagave më atraktive qoftë duke i detyruar ata të paguajnë më shumë për të mbajtur punëtorët e tyre. Në çdo ekonomi normale punonjësit nuk shkojnë në sektorin publik për paga më të larta, por për më tepër siguri në punë.

Në të njëjtën faqe sërish, pranohet roli i pakontestueshëm i remitancave në ruajtjen e stabilitetit ekonomik. Me një rritje prej 6.8% të tyre diaspora është kujdesur sërish që të ketë kërkesë të mjaftueshme për mallra dhe shërbime. Pamundësia e shfrytëzimit të tyre për qëllime produktive dhe rritje të së ardhurës kombëtare është dëshmi tjetër, është dështimi tjetër i kësaj qeverie. Ekonomia jonë, në vend të rritjes së stabilititetit përmes zvogëlimit të debalancit tregtar, përndjek rrugën e kundërt duke u mbështetur edhe më shumë në importe, të cilat po rriten më shpejt si në terma absolut ashtu edhe në përqindje krahasuar me eksportet e vendit.

Parashikimet për rritjen e variablave makroekonomike janë kryesisht fontanë dëshirash dhe kjo vlen sidomos për investimet në sektorin privat. Kurse pjesa e investimeve publike, përveç që po kontribuon në rritjen eksponenciale të borxhit publik, fatkeqësisht mbetet pa ndonjë ndikim në rritjen ekonomike dhe në rritjen e mirëqenies. E vetmja variabël që ndikohet pozivitivisht nga këto investime publike është pasuria individuale e pjestarëve të kabinetit qeveritar dhe e biznesmenëve të oborrit qeveritar.

Në faqen 11 thuhet se parashikimet e të hyrave buxhetore ndjekin parashikimet e tjera makroekonomike, por kjo nuk është e saktë meqë edhe këtë vit parashikimi i të hyrave del të jetë i fryrë me synim të rritjes së kufijve të shpenzimeve buxhetore.

Kjo qeveri ka vazhduar të forcojë ndikimin e tregtisë ndërkombëtare në gjenerimin e të hyrave buxhetore, përkundrejt faktit që në progresin drejt integrimeve evropiane kjo mund të shndërrohet në rrezik të menjëhershëm për stabilitetin fiskal të vendit. Një problem tjetër ka të bëjë me riimbursimet, sidomos të TVSh-së, që mbetet simbolik. Kjo për arsye se bizneset kanë frikë të kërkojnë riimbursim të TVSh-së pasi menjëherë kërcënohen me inspektime që rezultojnë në gjoba të pajustifikueshme. Kjo qeveri e ka bërë shtetin gjobitës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe shërbëtor për oligarkët.

Për vitin 2019 dhe vitet në vijim kemi degradim të vazhdueshëm të kualitetit të shpenzimeve buxhetore duke e bartur fokusin nga projektet me rëndësi që gjenerojnë punësim, apo nga bujqësia, drejt nismave sociale që në fakt nuk janë edhe aq sociale, por, më shumë partiake e populliste. Subvencionet dhe transferet janë kategoria që po rritet më së shpejti.

Kategoria e shpenzimeve për paga është e nënvlerësuar dhe nuk përfshinë në tërësi implikimet që do të dalin nga politikat e pamatura por edhe nga vetë projektligji për pagat. Te komunat, në vend se të rritet autoriteti në vendimmarrje i komunave për shpenzime kapitale, duke shmangur investimet nga qendra për projektet lokale kapitale të cilat pastaj po keqpërdorën për të shkuar drejt komunave të privilegjuara, kemi rritje prej mbi 20% të shpenzimeve për mallra dhe shërbime që është krejt e palogjikshme meqë nuk ka rritje të asnjë çmimi për shërbimet publike që i konsumon komunat.

Deficiti i paraparë me siguri se do bëhet shumë problematik për arsye se në njërën anë parashikimi i të hyrave del të jetë më optimist sesa mundësitë, e në anën tjetër saturimi apo ngopja e tregut primar me bono thesari dhe pamundësia e zhvillimit të tregut sekondar e bëjnë të pamundur financimin e mjaftueshëm brenda shtetit.

Investime kapitale në Trepçë as sivjet nuk ka, dhe kjo sigurisht që i rritë apetitet e Serbisë për veriun e Kosovës dhe Mitrovicën e ndarë në dysh. Në qeverisje, dashuria e përkushtimi maten me buxhet, e pikërisht këto mungojnë tek qeveria aktuale.

Kemi kryeministër, i cili me dialogun me Serbinë nuk merret, ia ka lënë këtë presidentit. Me buxhetin po ashtu nuk merret, nuk është këtu, ia ka lënë ministrit të financave. Thotë që po merret me ushtrinë që do ta bëjë, por s’do të ketë buxhet shtesë as për FSK-në. Atëherë shtrohet pyetja me çka merret ky kryeministër?

Kuvendi ka diçka mbi 11 milionë euro buxhet, kurse zyra e kryeministrit gati 18 milionë e gjysmë. Ja se me çfarë merret ky. E ne jemi republikë parlamentare, e jo republikë kryeministrore, apo jo?

Zyra e kryeministrit i ka 615 të punësuar. Vetëm kabineti i kryeministrit i ka 75 të punësuar. Ndërkaq në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zhvillimin dhe përkrahjen e rinisë, e cila është mbi 1/3 e popullsisë, janë vetëm 5 të punësuar. Ose, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka buxhetin sa gjysma e zyrës së kryeministrit. Ose, zyra e kryeministrit ka më shumë buxhet se i gjithë Shërbimi Korrektues i Kosovës i cili ka plot 1748 të punësuar. Ose, mbi dyfishin e buxhetit për Agjensionin Kosovar të Inteligjencës: ne themi se jemi vend shumë i rrezikuar, mirëpo zyra e kryeministrit ka më shumë se dyfishin e buxhetit për AKI-në. Ose, për 30% ka më shumë zyra e kryeministrit buxhet sesa këshilli prokurorial i Kosovës. E thuhet që po e luftojmë korrupsionin! Ose, janë 75 të punësuar në kabinetin e kryeministrit e vetëm 70 te prokurorët special, ndërkaq te avokati i popullit është aty-aty, 78.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, dhe me Ministrinë e Inovacionit dhe të Ndërmarrësisë nuk përbëjnë as gjysmën e të punësuarve në zyrën e Kryeministrit. Kjo tregon pra, se kemi të bëjmë me gërryerje të buxhetit nga qeveria e cila e ka bërë shtetin e Kosovës si një byro për punësim, por që nuk të punëson jashtë byrosë për punësim, por të punëson vetëm në byronë për punësim. Pra, është një byro për punësim, që të punëson në byronë për punësimin i cili nuk ekziston jashtë byrosë për punësim. Ja çfarë i ka bërë kjo Qeveri e Kosovës me këtë kryeministër shtetit të Kosovës. Kjo është pra arsyeja, dhe këto janë disa prej argumenteve pse ne nuk do ta mbështesim buxhetin e propozuar për vitin 2019, dhe besojmë që një orë më parë që kjo qeveri largohet nga detyra, aq më mirë do të bëhet për popullin e Kosovës. Ndërkaq, për fushat e veçanta të këtij propozim buxheti për vitin e ardhshëm do të flasin deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!./Gazeta inFokus/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/buxheti-i-vitit-2019-eshte-buxhet-i-shpenzimit-qeveritar-dhe-jo-i-zhvillimit-socio-ekonomik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala