Burgu i lehtë, funksionon pa roje

Autori:Zekirja Shabani

burgu_1540647243-5553465

Përgjatë magjistrales Prishtinë- Mitrovicë, saktësisht në fshatin Smrekonicë, gjendet burgu i cili arrin të funksionojë pa roje.

Kjo për arsye se në të njëjtin burg të burgosurit janë me vepra të lehta dhe dënimet ndaj tyre kryesisht arrijnë deri në 3 vjet.

Kapaciteti i këtij burgu është për 200 të burgosur.

Drejtori i Burgut të Smrekonicës, Xhevdet Maqastena tregon për KALLXO.com përvojat e tij të punës të cilën e bën që tashmë shtatë vite.

“Me ligjin për mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, Qendra Korrektuese në Smrekonicë është burg i tipit të hapur. Këtu bëhet ekzekutimi i sanksioneve penale, gjegjësisht i dënimeve deri në 3 vite. Kapaciteti i burgu është për 200 të dënuar. Këtu bëhet ekzekutimi i dënimit vetëm për meshkuj të moshës madhore”, tha Maqestena.

Në burgun e Smrekonicës nuk ka të dënuar të mitur ose gra.

Stafi i Burgut të Smrekonicës përbëhet prej 52 oficerëve të cilët janë graduar sipas pozitave dhe detyrave që ushtrojnë.

Drejtori tregon për KALLXO.com se të gjithë të dënuarit në Burgun e Smrekonicës punojnë punë të ndryshme, duke filluar nga punët e pastrimit të oborrit, në kuzhinë, dhe në një hapësire prej 5 hektarësh ku mbjellin pemë e perime.

Tutje, Maqastena tregon se si funksionon një i burgosur.

“Të burgosurit zgjimin e kanë në ora 7 të mëngjesit, deri në orën 8 i kryejnë aktivitetet rutinë, prej orës 8 janë edhe disa pjesë tjera administrative teknike që kryhen nga stafi dhe më pas të burgosurit kryejnë aktivitetet e punës brenda institucionet korrektues deri në orën 12 më pas është dreka dhe vijnë rutina e tjera, prej orës 13 fillojnë prapë aktivitetet e punës, deri në orën 16, pas orës 16 të burgosurit kryerjen aktivitete të lira”, tregon Maqastena.

Një karakteristikë e këtij burgu janë rrethojat brenda të cilave të burgosurit bëjnë jetën e tyre pas dënimit deri në ditën kur e rifitojnë lirinë.

“Është institucion i tipit të hapur dhe një mase e madhe  e këtij burgu menaxhohet me mirëbesim. Tendencat për tu larguar nga institucion janë shumë të vogla. Ka pasur rast në të kaluarën kur është larguar ndonjë i dënuar por që këto janë raste të rralla”, thotë më tutje drejtori i burgut të Smrekonicës, duke shtuar se të dënuarit në këtë burg janë me benifite, ku lejohen edhe vizitat në familje”, tha ai.

Drejtori Maqastena tregoi për KALLXO.com edhe se a ka pasur raste të futjes së lëndëve narkotike brenda burgut të Smrekonicës.

“Fatkeqësisht dukuria e lëndëve narkotike tash ka marrë përmasa edhe në shoqërinë tonë, dhe asnjë kategori e njerëzve nuk është imun ndaj kësaj dukurie. Ka pasur tendenca ka pasur raste kur janë vërejtur raste të tilla, po në këto raste sigurisht institucioni përdor procedurat e rregulla, njoftohet policia, prokuroria dhe merren masat adekuate”, shtoi ai.

Ai tutje thotë se në Burgun e Smrekonicës nuk është asnjë i dënuar që po vuan dënimin për lëndë narkotike.

Në bazë të profilit të të burgosurve, varet edhe se sa të dënuar qëndrojnë në një dhomë.

Të burgosurit në Burgun e Smkrekonicës nuk kanë dhoma me grila, ndërsa dhoma e tyre përmban një shtrat, një televizor, mjete për pastrimin e dhomës dhe një tavolinë.
Një burg pa roje të armatosura është ai i Smrekonicës.

Drejtori Maqastena tregon për KALLXO.com se a e ndjenjë mungesën e rojeve të armatosura në burgun që ai e drejton.

“Asnjëherë asnjë rast i tillë nuk ka ekzistuar në këtë burg. Ideja e këtij burgu është kështu, këtu janë të dënuarit me sjelljet jashtëzakonisht të mira, me benificione, me privilegje dhe vetëdija e të dënuarit është që pse t’i humb këto benificione e të kthehet në burgje të mbyllura e ti humb të gjitha këto benificione”, thotë Maqastena.

Furnizimi me ushqim e pajisje të tjera bëhet përmes kompanive kontraktuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Pjesa e vizitave, sipas Maqastenës, është e rregulluardhe të dënuarit janë të kënaqur me lejimin e vizitave të familjarëve.

“Të dënuarit kanë nga katër vizita në muaj gjatë ditëve të vikendit, mirëpo shumë shpesh ndodh që të dënuarit bëjnë kërkesa ekstra dhe institucioni u lejon në bazë sjelljes së tyre të mirë”, thotë drejtori.

Për të punuar në kuzhinë, drejtori tha se zgjidhet staf i përshtatshëm.
Brenda burgut të Smrekonicës gjendet edhe një ambulancë dhe një barnatore.
Të dënuarit në burgun e Smrekonicës kanë edhe një bibliotekë të cilën mund ta shfrytëzojnë të marrin libra që t’i lexojnë dhe për t’i kthyer përsëri në rafte.
Për të mbajtur shënimet e librave të marra nga të burgosurit përkujdesen dy të burgosur.

Edhe pjesa e palestrës është e rregulluar brenda hapësirave të burgut, ndërsa nuk lihet anash edhe dhoma ku të dënuarit kryejnë ritualet fetare.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/burgu-i-lehte-funksionon-pa-roje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala