Bullgaria renditet e 20-a në BE për Lirinë Ekonomike

Autori:Gazeta Fjala

ek

Bullgaria renditet e 20-a në BE për sa i përket Lirisë Ekonomike, sipas Raportit të përvitshëm të Lirisë Ekonomike në Botë, hartuar nga Fraser Institute, krahasuar me vitin e shkuar, kur vendi renditej i 15-i.
Raporti bazohet në të dhënat për vitin 2014, i cili është dhe viti i fundit me të dhëna të krahasueshme për të gjitha vendet.
Bullgaria mban vendin e 45-të bashkë me Izraelin, Mongolinë dhe Nikaraguan me 7.39 pikë, nga 10 të mundshme.
Për kategorinë e Madhësisë së Qeverisë, ka një ndryshim të vogël me 0.01 pikë krahasuar me një vit më parë. Përmirësimi është në termat e shpenzimeve qeveritare, por këto vazhdojnë të mbeten elementi me renditjen më të ulët në këtë kategori. Në anën tjetër, elementi i renditur më mirë në kategori, me 10 pikë, është taksimi, për shkak të taksës së sheshtë në Bullgari.
Për kategorinë e Sistemit të Drejtësisë dhe të së Drejtës së Pronës, rezultatet janë më të këqijat për vendin dhe, pavarësisht një përmirësimi të vogël prej 0.12 pikësh, Bullgaria ka vetëm 5.05 pikë.
Nga të pesta kategoritë, kjo është kategoria me përmirësimin më të vogël, krahasuar me vitin 2005, gjë që dëshmon dështimin e Reformës në Drejtësi dhe mungesën e pavarësisë së Sistemit të Drejtësisë.
Në kategorinë e Stabilitetit të Parasë, vendi shënon vazhdimisht pikë të larta, 9.24 pikë nga 10. Kjo vërteton se vendi ka norma të ulëta dhe të qëndrueshme të inflacionit dhe nuk e kufizon këmbimin me monedha të huaja.
Në kategorinë e Lirisë së Tregtisë Ndërkombëtare, Bullgaria ka 8.02 pikë. Anëtarësia e Bullgarisë në BE ka qenë e rëndësishme për sa u përket tarifave doganore dhe mungesës së barrierave të tregtisë.
Në kategorinë e Rregullimit të Kredisë, Punës dhe Biznesit, ka pasur përkeqësim në të tria këto segmente. Pengesat kryesore në Lirinë Ekonomike janë: ndërhyrja në tregun e kredisë, burokracitë e kushtueshme, kërkesat e shumta administrative për biznesin, paga minimale, korrupsioni dhe rregullat e shumta për marrjen apo pushimin e një punonjësi nga puna.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/bullgaria-renditet-e-20-a-ne-be-per-lirine-ekonomike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala