Bujqësia të shihet si prodhim, jo vetëm si biznes

Autori:Zekirja Shabani

bujqesiaaaa

Shqipëria ka krijuar një përvojë me dhënien e granteve bujqësore, për të nxitur konkurrueshmërinë e fermave, mbi bazën e investimeve në modernizimin e teknologjive dhe zbatimin e metodave mjedisore. Fondet financiare për grantet bujqësore, kanë shënuar dinamikë rritjeje në 5-6 vitet e fundit.

Nga ana tjetër janë bërë edhe hapa pozitivë me krijimin e strukturave administrative menaxhuese sipas kërkesave europiane (ngritja e AZHBR me më shume se 100 persona), që është mbështetur edhe me asistencë teknike dhe fonde grante nga Komisioni Europian dhe donatorë të ndryshëm.

Por çfarë vështirëson efektivitetin e skemave mbështetëse?!

Së pari, në program janë shumë skema mbështetëse (21 të tilla ishin për vitit 2015), çka është vështirë të menaxhohen, ndërkohë që fondi financiar në dispozicion është i vogël.

Së dyti, ndërrimi i shpeshtë i skemave mbështetëse. Dy vitet e fundit, grantet janë fokusuar në mbështetjen e qendrave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore (skemat e marketingut të prodhimit) dhe mbështetjen e fermave intensive e industrive ushqimore, në ndryshim nga Qeveria e mëparshme që e kishte vënë prioritetin tek mbjelljet e vreshtave, ullinjve dhe arrorëve. Së treti, filozofia e mbështetjes: Qeveria është përcaktuar qartë në orientimin e politikave bujqësore bazuar te strukturat e tregut, bazuar në investime të agrobiznesit: rritja e kapaciteteve dhe e standardeve të pikave të grumbullimit, rritja e kapacitetit teknologjik dhe e standardeve të agropërpunimit, me argumentin që ata do të mundësojnë orientimin e fermerëve drejt tregut.

Ndërkohë që politikat mbështetëse të qeverisë së mëparshme ishin fokusuar në rritjen e investimeve me mbjelljet në fermë.

Në të dy rastet përfitues të skemave mbështetëse janë një numër shumë i kufizuar fermerësh (jo më shume së 10 mijë ferma, të nivelit 3-4% të numrit të përgjithshëm).

Ndërkohë që në nivel europian, politikat europiane bujqësore kanë pësuar ndryshime rrënjësore. Fermerët europiane marrin mbështetje financiare për vjetore për njësi sipërfaqe të kultivuar dhe jo për politika tregtare, një politikë e unifikuar në nivel europian (natyrisht me masë të ndryshme financiare për vendet e Europës Qendrore dhe ato të Europës Lindore). Natyrisht ka edhe mjaft programe të tjera investimi, për ndikimin mjedisor, për zhvillimin rural etj.

Alternativat

Një orientim tjetër ka qenë përpjekja për të siguruar nga donatorë të ndryshëm fonde për kredi dhe garanci bankare nga bankat tregtare për të rritur financimin tek agrobiznesi. Por me gjithë përpjekjet e bëra, kreditimi i bujqësisë dhe agrobiznesit nga bankat mbetet shumë i ulët, ndërkohë që investimet e huaja në fushën e industrisë ushqimore dhe bujqësinë janë të papërfillshme.

Qeveria po i orienton investimet kryesisht në strukturat mbështetëse të eksporteve, por do të ishte po aq e dobishme që politikat mbështetëse të orientohen edhe nga rritja e prodhimit për uljen e importeve bujqësore, pasi për të ulur 1 milion euro importe, kërkohen më pak financime publike, krahasuar me rritjen e 1 milion euro eksporte ushqimore.

Në periudhën janar–tetor 2015 (10-mujori) tregtia e jashtme e prodhimeve bujqësore, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, në bazë të iNSTAT, ka shënuar rritje si për sa u përket eksporteve (me 25%) ashtu edhe importeve (me 3%) duke ruajtur pothuajse të pandryshuar deficitin ushqimor (99%). Megjithatë, importet ushqimore vazhdojnë të jenë rreth 5 herë më të larta se eksportet.

Pra si përfundim: në Shqipëri bëhet fjalë për skema mbështetëse financiare të nxitjes së investimeve dhe jo për një politikë bujqësore afatgjatë dhe për skema të qëndrueshme mbështetëse me bazë të gjerë të gjithë kategorinë e fermerëve.

Çfarë duhet bërë

Shqipëria duhet të përcaktojë modelin e saj bujqësor, si dhe duhet të zhvillojë politika afatgjata mbështetjeje të ekuilibruar midis modeleve mikse të zhvillimit të fermave:

Bujqësia me ferma të vogla, do të jetë baza e bujqësisë dhe si e tillë do të duhet të orientohen edhe politikat bujqësore afatgjata. Sot, 99% e fermave i përkasin këtij grupimi, me mesatarisht 1,2 hektarë. Do të duhen shumë vite (ndoshta dekada) për të ndryshuar ndjeshëm strukturën e fermave, qoftë edhe për të dyfishuar madhësinë e fermës. Por e sigurt do të jetë fakti se 80% e fermave do të mbeten të vogla në kufijtë e 2 hektarëve edhe pas 10 vjetësh dhe shumë prej tyre mund të mbijetojnë si aktivitete dytësore të familjeve në zonat rurale, kur të kenë më shumë punësim në aktivitetet e tjera ekonomike. Kjo pjesë e bujqësisë do të duhet të mbështetet për t’u bërë konkurruese, kryesisht nëpërmjet integrimit me industrinë ushqimore përpunuese dhe rrjetin e tregjeve vendase të pakicës. (edhe në Strategjinë Zhvillimit Rural për periudhën 2014 – 2020, që është miratuar nga qeveria shqiptare gjatë vitit 2014 është parashikuar që deri në vitin 2020, struktura e fermave do të jetë me 2,5 hektarë nga 1,2 hektarë në vitin 2013).

Fermerët në zonat malore (që bëjnë pjesë te grupi i parë, rreth 40% të tyre) vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe duhet të përfitojnë mbështetje në kuadrin e zhvillimit rural, veçanërisht në përdorimin e agro-biodiversitetit, mbrojtjen e mjedisit dhe masat për uljen e varfërisë, duke shfrytëzuar edhe prioritete të tjera të diversifikimit të prodhimit, veçanërisht agroturizmin, atje ku janë potencialet, si dhe bimët aromatike.

Bujqësia intensive “fermerët e mëdhenj“ me investime në perime, frutikulturë, vreshta dhe blegtori, në struktura marketingu e përpunimi, janë padyshim një tendencë e re e rëndësishme për të rritur konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare, veçanërisht për rritjen e eksportit dhe uljen e importeve. Ky model i ri i bizneseve bujqësore, që ka filluar të krijohet, ndonëse do të jetë i vogël në numër (jo më shumë se 5% e fermave në 10 vitet e ardhshme), do të mbajë një peshë të rëndësishme në tregun ushqimor në zonat urbane. Ata kanë nevojë për asistencë teknike të specializuar, ndërkohë që financimi i tyre, duhet të orientohet edhe nga kreditimi bankar dhe jo vetëm me skema grantesh.

Në përputhje me këtë progresion të strukturës së fermave duhet të ndërtohen edhe programet dhe politikat bujqësore, bazuar në konkurrueshmërinë e fermave të vogla bujqësore.

Po krijohet ideja e bujqësisë së industrializuar, ndërkohë që bujqësia shqiptare është e bazuar te fermat shumë të vogla.

Shpeshherë përdoret argumenti: ne do të mbështesim bujqësinë e tregut dhe jo bujqësinë sociale. Por nuk ka një instrument tjetër se kush do ta mbështesë bujqësinë e vogël.

Koha na ka bërë dëshmitarë të shumë strategjive të zhvillimit të bujqësisë përgjatë 20 viteve të fundit. Në të gjitha këto strategji, ka pasur vizione, objektiva zhvillimi, indikatorë për t’u arritur, por në asnjë rast ato nuk janë mbështetur me fondet e nevojshme financiare për t’i zbatuar dhe për pasojë bujqësia bën pjesë te sektorët më pak të financuar nga buxheti i shtetit.

Nivelet e buxheteve vjetore për Ministrinë e Bujqësisë janë rreth 60 – 80 milionë euro, nga të cilat si skema mbështetëse jo më shumë se 20-30 milionë euro në vit. Një vlerë kjo shumë e ulët për të realizuar objektivat për zhvillimin e sektorit.

Strategjitë nuk janë shoqëruar me politika mbështetëse afatgjata pasi janë ndryshuar në çdo mandat qeverisës (veçanërisht kur bëhet fjalë për skemat e granteve).

Sfida kryesore për të rritur volumin e granteve bujqësore nga BE dhe donatorë të tjerë dhe që kërkon mbështetje institucionale, ka të bëjë me formalizimin e përfituesve dhe investimeve të tyre. Kjo do të thotë një regjistër themelor i fermave, që sot mungon, regjistrim i tokës bujqësore dhe pronës së paluajtshme, lejet e ndërtimit për objektet e biznesit bujqësor, siguracionet shoqërore e të fermës, pagesa e taksës mbi tokën bujqësore, dhe shitja me faturë e produkteve bujqësore./monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/bujqesia-te-shihet-si-prodhim-jo-vetem-si-biznes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala