Bordi i FMN-së ka mirëpritur performancën e mirë ekonomike të Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

0-16

Bordi i FMN-së ka mirëpritur performancën e mirë ekonomike të Kosovës dhe reformat që janë ndërmarrë, si dhe i ka bërë thirrje autoriteteve që t’i përshpejtojnë edhe më shumë reformat strukturore.

Këto komente kanë dalë nga përmbyllja e suksesshme e mbledhjes së Bordit të FMN-së për Kosovë ku është diskutuar rreth raportit të stafit të FMN-së “Konsultimet e Artikullit IV me Kosovën”. Po ashtu, pas vlerësimit të performancës, anëtarët e Bordit e kanë aprovuar edhe kalimin e Kosovës nga Artikulli XIV në Artikullin VIII.

“Sa i përket politikave fiskale, Bordi u pajtua se politikat fiskale mbeten adekuate dhe se rregulla fiskale siguron ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale në vend. Duke u ndërlidhur me sektorin financiar, Bordi vuri në pah progresin e madh të arritur në sektorin financiar dhe e përshëndetën implementimin e rekomandimeve të Programit të Vlerësimit të Stabilitetit Financiar që është realizuar në vitin 2012. Bordi vlerësoi pozitivisht zhvillimet në sistemin financiar të Kosovës, ku theks i veçantë u vu mbi rritjen e kreditimit, përmirësimin e kornizës së mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit financiar”, thuhet në një komunikatë dërguar nga Banka Qendrore.

Një vlerësim i përgjithshëm pozitiv u theksua edhe për përmirësimet e viteve të fundit në raportin e Bankës Botërore “Doing Business”, në të cilin Kosova ka avancuar në shumë fusha të rëndësishme për përmirësimin e ambientit afarist, përfshirë edhe qasjen në financa.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/bordi-i-fmn-se-ka-mirepritur-performancen-e-mire-ekonomike-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala