Biznesi i bixhozit presion Kuvendit, shtyhet zbatimi i ligjit

Autori:Gazeta Fjala

kazino

Subjektet e lojërave të fatit kanë ushtruar presion mbi qeverinë, duke e ndikuar atë që të shtyjë deri më 2018 të tjera detyrimet që rrjedhin nga ligji i ri i lojërave të fatit që u miratua  kohë më parë.

Gjashtë deputetë të maxhorancës kanë çuar në Kuvend një projektligj të ri që kërkon shtyrjen e zbatimit të ligjit edhe për dy vite të tjera.

Për sa u parashtrua më sipër, duke marrë shkas nga kërkesat e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, propozohet të shtyhet me dy vjet afati i përmbushjes së kërkesave të ligjit 155/2015 deri në datën 31 dhjetor 2018.

Ligji i ri i lojërave të fatit ligj përcakton kategoritë e lojërave të fatit të lejuara, kushtet, kriteret dhe procedurat që rregullojnë këtë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, si dhe detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.

Ndër kategoritë e lojërave të fatit që lejohen të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë, për të cilat shoqëritë e interesuara mund të licencohen bazuar në këtë ligj janë edhe “Kazinotë”, “Lotaria kombëtare”, “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”. Ligji nr.155/2015, në dispozitat e tij kalimtare, njeh të drejtën e organizatorëve të kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2016.

Sa i takon, kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, ligji nr.155/2015 në dispozitat e tij kalimtare parashikon fillimin e afatit të vlefshmërisë së licencës së tyre sipas kategorisë përkatëse, nga hyrja në fuqi të tij, dhe parashikon për këto subjekte detyrimin për të përshtatur organizimin dhe funksionimin e tyre sipas kërkesave të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij deri më 31 dhjetor 2016.

Sipas ligjit ka qenë detyruese për të respektuar distancat për sallat e basteve. Por ky parashikim i dhënë nga ligji është i pamundur të zbatohet për kohëzgjatjen e periudhës tranzitore, për shkak se kontratat e qirave, që këto subjekte kanë nënshkruar janë për një afat kohor më të gjate se vetë periudha e parashikuar nga neni 71 i ligjit. Për të shmangur këtë kontradiktë, shtyrja e afatit, njëkohësisht ndikon edhe në shmangien konfliktet gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore Gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji janë evidentuar një sërë problematikash.

Subjektet kanë hasur në vështirësi në lidhje me përmbushjen e kërkesave të ligjit brenda afatit 31.12.2016 , të parashikuar në nenin 71 të ligjit në fuqi. Gjithashtu, vonesa e daljes së akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, ka krijuar një ngërç në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve ose në rastin më të keq bllokimin e veprimtarisë së tyre. Njëkohësisht me propozimin e paraqitur kërkohet shfuqizimi i pikës 1 të nenit 71 të ligjit. Kjo për faktin, se parashikimi i kësaj pike bie ndesh me parashikimet e pikës 2, pasi rezulton se shoqëri të licencuar për këto lojra fati kanë një afat të përfundimit të licencës përtej 31.12.2016, ndërkohë që pika 2 bie ndesh me pikën 1, duke krijuar një kaos në treg dhe shteg për interpretime subjektive.

Ministria e Financave argumenton se, duke shfuqizuar pikën 1 të nenit 71, rezulton të kemi një afat të vetëm kohore për vlefshmërinë e licencës për ushtrim veprimtarie. Ligji në fuqi për lojërat fatit, mundëson edhe zhvendosjen e lojërave të fatit si aktivitet ekonomik për tu ushtruar në hotele me 5 yje apo në resorte turistike. Duke parë situatën konkrete në të cilën ndodhemi, kur këto hotele apo resorte ende nuk janë ngritur, dhe kërkojnë minimalisht një periudhë 3-4 vjeçare për tu ndërtuar, me qëllim ruajtjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit kërkojmë të shtyhet afati i parashikuar nga neni 71 i ligjit. Këto të ardhura për buxhetin e shtetit ne total (tatime, taksa,kontribute direktesi edhe pagesat ne thesar e shpenzimet e tjera te aktivitetit ne favor te te treteve, pra te ekonomise)janë afrësisht rreth125 milion USD në vit./monitor.al/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/biznesi-i-bixhozit-presion-kuvendit-shtyhet-zbatimi-i-ligjit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala