Bie shitja e ujit të ambalazhuar

Autori:Zekirja Shabani

uji shishe

Viti i kaluar nuk ishte ndër më të suksesshmit për tregun e ujit dhe stabilimentet e prodhimit të ujit. Efektet e krizës duket se kanë prekur edhe këtë sektor, që ka ende shumë hapësira për t’u zhvilluar, por që vitin e kaluar ngadalësoi hapin. Arsyeja, sipas sipërmarrësve kryesorë në Shqipëri, është ristrukturimi i investimeve. Disa kompani janë detyruar të investojnë për të ulur kostot e prodhimit e të paketimit, duke lënë në plan të dytë sasitë e prodhimit, ndërsa të tjera kompani vlerësohet të kenë pasur probleme financiare.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë, tregu i ujit gjatë vitit të kaluar shënoi tkurrje prej rreth 10% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar kthesën pas tre vitesh rritje të njëpasnjëshme, transmeton Gazeta Fjala. Sipas këtyre të dhënave, vitin e kaluar, sasia totale e ujit të prodhuar në vend e të importuar, ishte 1.1 milionë hektolitra, nga 1.15 që ishte një vit më parë. Sipërmarrësit duket se kanë përshtatur uljen e aktivitetit me një periudhë kur kërkesa për produktet e konsumit nuk po lulëzon. Sipas të dhënave, prodhimi ra rreth 10%, ndërsa sasia e importuar u tkurr me 18%. Sasia e importit, e pesha e tij në treg ka ardhur në ulje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të fundit, vitin e kaluar, importuan më pak se 100 mijë hektolitra ujë nga jashtë, ose 20 mijë hektolitra më pak se një vit më parë. Ulja e importit erdhi pavarësisht uljes së prodhimit në vend, duke pasqyruar shitje më të pakta në treg./Monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/bie-shitja-e-ujit-te-ambalazhuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala