Bie liria e mediave në Kosovë

Autori:Gazeta Fjala

rsf

Reporterët pa Kufij kanë konstatuar se liria e mediave ka pësuar rënie në mbarë botën vitin e kaluar, pjesërisht për shkak të grupeve ekstremiste si Shteti Islamik dhe Boko Haram.
Raporti vjetor i organizatës “Indeksi i Lirisë së Mediave në Botë 2015” ka vënë në pah se gjatë vitit 2014 ka pasur 3,719 shkelje të lirisë së informacionit në 180 vende të botës – 8 për qind më shumë se vitin paraprak.

Kosova, në raportin e këtij viti, është renditur në vendin e 87-të, në listën prej 180 vendesh, duke shënuar përkeqësim nga viti 2014, kur ka qenë në pozitën numër 80.
Raporti përmend disa shkelje në Kosovë, si sulmin e pronarit të gazetës Tribuna, Sejdi Demiri, ndaj njërit prej gazetarëve të tij, Zekirja Shabani, pasi ky i fundit, i cili është edhe kryetar i Asociacionit të Gazetatëve të Kosovës (AGK) ka thënë se do të padisë gazetën për shkak të mosdhënies së pagës në kohë.
Organizata po ashtu përmend edhe kërcënimet e radikalistëve islamikë ndaj gazetarit të Express, Visar Duriqi.
Nga vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, Shqipëria është radhitur në vendin e 82-të, duke shënuar përmirësim për tri pozita, krahasuar me vitin paraprak.
Sipas raportit, Bosnja zë vendin e 66-të, Serbia 67, Mali i Zi 114 dhe Maqedonia 117.

Raporti në veçanti thekson se shtypja e gazetarëve në Ukrainë gjatë vitit 2014, në kohën kur edhe janë zhvilluar protestat kundër ish-presidentit Viktor Yanukovych, dhe në Turqi në kohën e protestave antiqeveritare, ka përkeqësuar dukshëm lirinë e mediave në këto vende.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/bie-liria-e-mediave-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala