BE vërejtje Kuvendit për ligjin e RTK’së

Autori:Gazeta Fjala

rtk

Përmes njoftimit për media nga Zyra e BE-së në Kosovë, thuhet se përfaqësuesja e Posaçme e BE-së është e brengosur rreth mungesës së transparencës në hartimin e amandamenteve të ligjit mbi Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe miratimin e propozim-amandamenteve nga komisioni parlamentar për media pa praninë dhe pa diskutime publike

BE-ja bën thirrje që Kuvendi të lejojë publikun e interesuar për të marrë pjesë në debatin mbi amandamentimet në pajtim me parimet e qeverisjes së mirë, Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) në mes Kosovës dhe BE-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane si mjet për implementim të MSA-së.

Në njoftim thuhet se BE-ja është e inkurajuar se përkundër vonesës së konsiderueshme, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë vendosur të përmbushin dispozitat e ligjit mbi RTK-në të vitit 2012 të cilat përcaktojnë se zgjidhja rreth financimit të RTK-së duhet të gjendet fillimisht përmes abonimit dhe burimeve të tjera të pavarura të financimit (neni 21).

Megjithatë, BE-ja, është informuar se buxheti i shtetit do të mbetet burim i rëndësishëm, nëse jo de facto primar, i financimit të transmetuesit publik, që mund të dëmtojë pavarësinë afatgjate editoriale dhe financiare të RTK-së, veçanërisht në një situatë ku nuk dihet se si mbledhja e tarifës së parapagimit është e rregulluar.

BE-ja poashtu i bën thirrje Kuvendit, si përfaqësues i popullit, që të krijojë hapësirë për diskutim publik dhe konsultime në çdo fazë të përgatitjes së amandamenteve të ligjit për RTK-në. Kjo do të mundësonte që palët e interesit të japin kontributin e tyre në hartimin e ndryshimeve në mënyrë që ndryshimet t’i ofrojnë RTK-së mjetet e nevojshme për të ushtruar përgjegjësi publike të pavarur nga ndonjë ndikim dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës të cilëve ju shërben.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/be-verejtje-kuvendit-per-ligjin-e-rtkse/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala