BE, e gatshme për t’u përballur me Trump

Autori:Blendi Lami

Blendi-Lame

Që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur gjithmonë veten – edhe në rastet kur nuk e kanë bërë një gjë të tillë – si promotore të përhapjes dhe prosperitetit të demokracisë në të gjithë globin. Kjo ka qenë një mënyrë efikase për të justifikuar rolin amerikan për lidership botëror. Europianët e kanë pranuar këtë lloj lidershipi, pasi amerikanët u konsideruan çlirues të Europës – me fitimin e Luftës së Dytë, mbrojtës të Europës – gjatë Luftës së Ftohtë dhe ndërtues të Europës – me zbatimin e planit Marshall. Me luhatje të pakta, ky “nderim” për SHBA-në ka vijuar përgjatë një historie gati 70-vjeçare. Të gjithë presidentët e mëparshëm kanë tentuar të kenë marrëdhënie sa më të mira institucionale me Europën, duke garantuar lidership të padiskutueshëm.

Mirëpo kohët e fundit, me episode të parashikuara, janë sendëzuar qartazi linjat e re të politikës së jashtme që do të ndiqet nga presidenti Trump. Është i vetmi president amerikan që është çuditërisht kundër një kohezioni europian, gjë që kërcënon sigurinë e Europës. Si reagim ndaj këtij qëndrimi të Trumpit, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ka deklaruar se “për herë të parë në histori… kemi kaq shumë anti-europianë”, duke iu referuar Trumpit dhe më tej shton se “… ky ndryshim i Uashingtonit e vë BE-në në një pozicion të vështirë: administrata e re amerikane po hedh në erë 70 vjet histori të politikës së jashtme të SHBA-së”.

Kështu, vizita e fundit e Trumpit në Europë ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin europian ndaj SHBA-së, deri në atë pikë sa kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se Europa nuk mund të mbështetet më tek Amerika dhe “duhet të marrim fatin në duart tona”. Dhe, pa dyshim, për sa iu përket marrëdhënieve Europë-SHBA, kjo deklaratë shënon një pikë kthese – me shumë pasoja për sistemin ndërkombëtar.

Për Bashkimin Europian, Trump ka shprehur haptas qëndrimin për shpërbërjen e tij, pasi qe pro Brexit dhe mbështeti Le Penin gjatë fushatës. Për pro-europianët këto qëndrime të Trump janë thirrje për destabilitet në një kontinent që ka kaluar shumë luftëra. Dhe Bashkimi Europian jo vetëm që ka shmangur armiqësitë, por po synon një unifikim të vazhdueshëm të vendeve europiane, pavarësisht “mangësive” jo të pakta të këtij procesi.

Pritej që në samitin e NATO-s në Bruksel, më 25 maj, të mbizotëronte fryma se Amerika është në krah të Europës politikisht dhe ushtarakisht. Lajmi që mbizotëroi këtë samit, ishte momenti kur në mënyrë arrogante Donald Trump, në një fjalim për ngritjen e një memoriali për 11 Shtatorin dhe Murin e Berlinit, kërkoi që vendet anëtare të paguanin 2 % e detyrueshëm për mbrojtjen e tyre. Me këtë sjellje, Trump risjell në vëmendjen e opinionit deklaratën e tij se NATO është organizatë e vjetruar për kohën dhe se për të luftuar terrorizmin, nevojitet rikonceptim apo ripozicionim i NATO-s. Në këtë samit të rëndësishëm, Trump vuri në dyshim sigurinë kolektive, parimi themelor i NATO-s.

Më 26 dhe 27 maj në Itali, u zhvillua takimi i radhës i G7, që në thelb është një organizëm për rakordimin e politikave ekonomike botërore. Ky takim u dominua kryesisht nga qëndrimi i presidentit amerikan për tërheqjen nga Akordi i Parisit për ndryshimet klimatike, një tërheqje, e cila nga mënyra se si ndodhi, me t’u kthyer Trump në SHBA nga takimi i G7, tregoi tendencën e sotme amerikane për anashkalim të institucioneve ndërkombëtare. Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, neni 28, çdo palë mund të tërhiqet “pasi të dërgojë njoftim tre vjet pasi kjo marrëveshje hyn në fuqi në vendin përkatës dhe tërheqja bëhet efektive një vit pas njoftimit”. (Pra nevojiten katër vjet që SHBA të dalë kontraktualisht nga nënshkrimi i Marrëveshjes, d.m.th. nga viti 2020).

Kështu, më sipër, u dhanë disa nocione – destabilitet europian, rikonceptim/ ripozicionim i NATO-s dhe anashkalim institucional – mbi të cilat mbështetet politika e re e Trumpit. Dhe pasojat e këtij qëndrimi janë shfaqur tashmë.

Për ta mbyllur, mjafton të përmendin njërën prej këtyre pasojave që – paradoksalisht për Trumpin – është pozitive për Europën. Me fitoren e Macronit është forcuar aksi Francë-Gjermani dhe rrjedhimisht Europa është më e bashkuar dhe më e qartë në rrugën e saj. Edhe vetë Trump e ka pranuar se ndonëse pas Brexit ka parashikuar ndarjen e BE-së, tani kjo e fundit është më e unifikuar. Ky unifikim ka sjellë një politikë “agresive” ndaj SHBA-së, me qëllim që të mbrohet Unioni nga “kërcënimi” trumpian. Dhe kjo gjë u dëshmua pasi Trump kërkoi rinegocimin e Akordit të Parisit. Bashkimi Europian, duke mos treguar dobësi apo varësi të theksuar – si më parë, kundërshtoi menjëherë Amerikën dhe nuk pranoi rinegocim. Madje, politika “agresive” europiane shkoi edhe më tej, teksa BE anashkaloi institucionalisht Uashingtonin dhe u zotua se, për zbatimin e Marrëveshjes, do të bashkëpunonte me Amerikën nëpërmjet drejtuesve të korporatave dhe guvernatorëve të shteteve amerikane. Për ta theksuar më tej këtë sfidë ndaj Amerikës, presidenti i KE, Tusk, theksoi në një samit BE-Kinë, një ditë pas tërheqjes së SHBA-së, se “BE do të vazhdojë zbatimin e marrëveshjes me ose pa Amerikën” dhe se “lidhjet e forta transatlantike janë shumë më të rëndësishme dhe shumë më të qëndrueshme se vendimet e fundit të gabuara të administratës së re”. /mapo.al/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/be-e-gatshme-per-tu-perballur-me-trump/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala