Banorët e fshatrave përreth mihjeve të KEK-ut në mëshirë të fatit

Autori:Gazeta Fjala

kekkkk

Për 156 hektarë tokë, të shpronësuar në Hade dhe disa fshatra përreth Obiliqit, buxheti i Kosovës i shpenzoi 20 milionë euro.

Bazuar në këtë vendim, është zhvendosur zona e rrezikshmërisë në vitin 2005, ndërsa në vitin 2010 sipas planit dinamik dhe kërkesave të KEK-ut, është zhvendosur edhe lagjja “Shala”, raporton KTV.

Janë edhe shumë familje të tjera që rrezikohen duke banuar krejt afër vendit ku ka rrëshqitje të dheut të vazhdueshme, si pasojë e mihjeve të pakontrolluara.

Përveç rrezikut, këta banorë po ballafaqohen edhe me mungesë të infrastrukturës, pasi aty nuk u investua asnjë cent qëkur kjo zonë u shpall si e veçantë.

Në komunën e Obiliqit nuk shkon ditë që këta banorë drejtohen me ankesën e vetme se kur do t’u shpronësohen pronat e tyre.

Krejt ankesave të banorëve zyrtarët e komunës munden vetëm moralisht t’u përgjigjen, pasi siç thonë ata, në këtë proces ishin të përjashtuar nga KEK- u dhe Ministria e Mjedisit.

Zyrtarë të KEK-ut arsyetohen se është vetë Komuna që nuk ka bashkëpunuar, ngase sipas tyre, në vendimin e Qeverisë ishin të përfshirë.

Zyrtarë të KEK-ut thonë se projekti i zhvendosjes së banorëve ka mbetur peng i ndërtimeve të reja që janë bërë në këtë zonë, pasi që ajo është shpallur zonë me interes të veçantë me qëllimin e vetëm, përfitimit nga shpronësimi.

E kjo Korporatë nuk ka kapacitet t’i mbulojë shpenzimet.

Për çka kanë kërkuar ndihmën e Qeverisë që të vendosë se nga cili vit do t’u bëhet shpronësimi këtyre banorëve.

Por Ministria e Mjedisit, përmes një përgjigjeje elektronike, thotë se zhvendosja e banorëve dhe shtëpive nga Zona e Interesit të veçantë ekonomik “Fusha e Mihjes së Re”, bëhet nga KEK-u.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/banoret-e-fshatrave-perreth-mihjeve-te-kek-ut-ne-meshire-te-fatit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala