Bankat “frikë” nga kreditimi

Autori:Gazeta Fjala

banka

Bankat tregtare në vend dhanë sinjale te qarta sot se do të vijojnë të mbajnë të ngurta politikat e kreditimit, teksa po i orientojnë paratë e lira drejt alternativave pa risk të financimit. Në ankandin e fundit të obligacioneve 7 vjeçare, ato ofruan trefishin e shumës që kërkoi qeveria për financimin e një obligacioni shtatëvjeçar.

Për pasojë interesi i obligacionit ra me 0.74 pike përqindje në krahasim me ankandin paraardhës që është bërë dhjetor të vitit të kaluar. Në ankandin e sotëm interesi zbriti në 5.24%, nga 5.98 në ankandin e mëparshëm të zhvilluar në dhjetor.

Siç shihet nga të dhënat e ankandit qeveria kërkoi një financim prej 2.5 miliardë lekësh, ndërsa bankat ofruan 6.4 miliardë lekë.

Në kushtet kur kredia po vuan nga moskthim i lartë dhe sektori i korporatave është i mbikredituar, bankat janë gjendur me mundësi të kufizuara për të investuar likuiditetet e tyre. Prandaj blerja e borxhit të qeverisë po shihet si burimi më i mirë i investimit, për shkak të kostove të ulta dhe riskut zero.

Të dhënat e  djeshme të Bankës së Shqipërisë treguan se stoku i huasë për ekonominë u ul, në fund të dhjetorit, ishte 546.7 miliardë lekë, nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Negativisht këtu ka ndikuar dhe fshirja e huave, një proces që intensifikohet gjithnjë në muajt e fundit të vitit. Rënia më e madhe e stokut ishte në dhjetor me 5.6 miliardë lekë. Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë.

Teksa ekonomia e vendit prej vitesh po vuan pasojat e moskreditimit, duket se qeveria ka qenë përfituese në këto zhvillime. Afatet e maturimit të borxhit të brendshëm janë rritur ndjeshëm dhe interesat kanë rënë. Duke ndjekur këtë trend Ministria e Financave ka rritur ndjeshëm emetimet e borxhit të brendshëm në instrumenta afatgjatë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/bankat-frike-nga-kreditimi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala