Banka Botërore: Ekonomia në Eurozonë, në lulëzim

Autori:Gazeta Fjala

99526863_wb1

Banka Botërore thotë se ekonomia në Eurozonë është rritur më shpejt nga sa parashikohej në vitin 2017, e kjo tendencë pritet të vijojë edhe gjatë këtij viti.

Rritja e arritur, e vlerësuar në 2.7 për qind, është 0.7 për qind më shumë nga sa ishte parashikuar. Masat stimuluese të Bankës Qendrore Europiane duket se kanë meritat për rritjen e shënuar, si në kërkesën për import, ashtu edhe në atë të brendshme.

Për shkak të interesit që mbetet nën objektivin e paracaktuar, këto masa ka gjasa të vijojnë edhe për pak kohë dhe të vijohet me një shkallë të ulët interesi.

Lajme të mira edhe për sa i takon punësimit. Në vitin 2017, sipas Bankës Botërore, papunësia në Eurozonë ra në nivelin më të ulët që nga 2009-a, me disa vende që kanë raportuar edhe mungesë krahu pune.

Pagat, sidoqoftë, kanë mbetur të njëjta dhe, me inflacionin ende të ulët, ka pak gjasa të rriten edhe në vitin 2018. Duke hedhur sytë në një plan më të gjerë, Banka Botërore thotë se edhe ekonomia globale është në lulëzim të plotë, por festa mund të përfundojë brenda pak vitesh.

Banka ka rishikuar parashikimet e saj për vitin 2018, pas rezultateve më të mira nga sa priteshin të vitit që u la pas. “Vendet në mbarë botën po përjetojnë një rritje, që pritet të vijojë edhe për vitet në vijim”, shkruan Banka Botërore, që parashikon se ekonomia globale do të rritet me 3.1 për qind sivjet, nga 2.9 për qind që ishte parashikuar më herët.

Viti 2018, sipas Bankës Botërore, do të jetë viti i parë që nga kriza financiare globale, në të cilin ekonomia botërore është në potencialin e saj të plotë. Kjo do të thotë se papunësia është e ulët, produktiviteti i lartë dhe inflacioni nën kontroll, gjë që çon në një rritje të kërkesës për mallra dhe shërbime mes konsumatorëve./TCh/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/banka-boterore-ekonomia-ne-eurozone-ne-lulezim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala