Ballkani në krizë, flet ish-kreu i SHISH: Skenar i qëllimshëm, ka një arsye

Autori:Gazeta Fjala

fatol klosi

Situata në rajonin e Ballkanit është në një krizë totale, që rrezikon të tensionohet akoma edhe më shumë. Ballkani është futur në një hulli të pakthyeshme, nga e cila mund të përfitojnë shtete si Rusia, e cila prej kohësh kërkon të ushtrojë ndikimin e saj mbi këtë rajon.

Demokracitë e brishta, ende të pakonsoliduara të vendeve të Ballkanit, që pasohen me kriza të ndryshme politike, rrezikojnë që të bëhen terren i butë për vendet armike.

Shqipëria ndodhet në një krizë politike, pasi opozita nuk pranon të hyjë në zgjedhje edhe pas presionit ndërkombëtar; një situatë e tillë është edhe në Kosovë, ku koalicioni u prish dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme; ndërkohë, situata akoma më e rëndë paraqitet në Maqedoni, e cila përveç krizës politike ka edhe krizën etnike.

Gjithashtu, edhe Greqia dhe Mali i Zi gjenden në krizë, duke bërë që i gjithë rajoni të përfshihet në një situatë të zjarrtë, e cila kërkon pa diskutim zgjidhje.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, për gazetën “Sot”, komenton situatën aktuale tensionuese në Ballkan.

Ish-kreu i SHISH e ka një shpjegim për krizën në rajon. Fatos Klosi deklaron se kjo situatë është e qëllimtë, në mënyrë që Europa të ndihmojë vendet me demokraci të brishtë dhe më pas të hapen negociatat për integrimin e tyre në Bashkimin Europian.

“Mbase në këtë rast gjen vend shprehja e diktatorit të madh Mao Ce Dun: “Turbullo, turbullo që të kthjellohet”. Kjo situatë tensionuese si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni po bëhet që Europa të interesohet më shumë për Ballkanin.

Kjo po bëhet në mënyrë të qëllimtë që Europa të ndihmojë demokracitë e reja, të cilët nuk po e gjejnë me sa duket rrugën e demokracisë së vërtetë”, deklaroi Klosi.

Fatos Klosi u shpreh se Europa nuk mund të integrojë vende që ende nuk kanë zgjidhur problemet e tyre. Në mënyrë që këto vende të konsolidojnë demokracinë e tyre sa më parë, sipas Klosit, krijojnë sebepe që Europa t’i ndihmojë, dhe më pas integrimi i tyre në BE të jetë sa më i shpejtë.

“Europa nuk mund të pranojë një herë për një herë vende që nuk kanë zgjidhur problemet e tyre. Kosova kërkon heqjen e vizave. Ata nuk e kanë në dorë këtë dhe krijojnë sebepe. Europa nuk po na lut neve, ne po i lutemi Europës që të na integrojë në BE.

Por Europa nuk mund të pranojë vende që ende kanë nevojë për ndihmë. Janë bërë shumë protesta nga vendet e BE, se përse janë integruar vende që akoma nuk kanë zgjidhur problemet e tyre”, u shpreh Klosi.

Ai thotë se vendet e Ballkanit ende nuk janë në gjendje që të jenë të zotët e vetes, dhe kërkojnë ndihmë nga Europa dhe SHBA. “Ne nuk e zgjidhim problemin duke gjetur armiq. Nëse i vendosim gishtin rusëve se e kanë fajin ata, nuk është ky problemi. Problemi është çfarë do bëjmë?

Presioni që po bëhet në Shqipëri, unë e quaj pozitiv. Maqedonia përveç problemeve të mirëfillta që ka Shqipëria, ka edhe probleme etnike. Kosova ka problemin e kufijve. Edhe në Maqedoni duket se amerikanët kanë vënë dorë; edhe në Shqipëri uroj që të vënë.
Ne akoma kemi nevojë për një tutor, situata këtë tregon. Europa dhe Amerika duhet ta pranojnë se ne nuk jemi akoma të zotët vetë. Politikanët janë të udhëhequr më shumë ndaj interesave të tyre se sa të vendit. Kështu që unë do ta quaja një sebep të gjithë këtë situatë të krijuar, që ndihma të jetë më e madhe”, u shpreh Klosi./Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ballkani-ne-krize-flet-ish-kreu-i-shish-skenar-i-qellimshem-ka-nje-arsye/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala