Avdullah Hoti: Z-Mobile ka përfituar 100 milionë euro pa investuar asnjë cent në Telekom

Autori:Gazeta Fjala

Avdullah-Hoti-foto-KALLXOcom-e1502356310930-1-600x360

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka folur sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendi të Kosovës, lidhur me krizën në Telekomin e Kosovës.

Hoti ka folur  për arsyen se pse Telekomi po falimenton duke përmendur kontratën e dëmshme të kësaj kompanie me Z-Mobile.

“Telekomi po falimenton jo për shkak që nuk ka treg por për shkak të nënshkrimit të kontratave të dëmshme me kompani private. Këto kontrata janë bërë për të shkatërruar Telekomin dhe për të përfituar grupe të caktuara. Z-Mobile ka investuar zero euro në Telekom dhe ka përfituar 100 milionë euro. Një ish drejtor i Telekomit ka deklaruar publikisht se ish Kryeministri Thaçi i ka bërë presion për të nënshkruar këtë kontratë. Mbrojtja e Telekomit në Gjykatën e Arbitrazhit është neglizhuar nga ish menaxhmenti i Telekomit që i ka mundësuar Z-Mobile për të fituar rastin. Tani për shkak të borgjit, Z-Mobile po e mban nën presion Telekomin për ti mundësuar vazhdimin e kontratës.

Hoti ka thënë se kriza në telekom ka ardhur edhe si pasojë e punësimeve partiake.

“Kriza është thelluar, është rritur punësimi mbi baza të pastërta nepotike dhe politike. Në vitin 2007 statistika tregojnë se ka pasur fitim 182 milionë euro, kurse në vitin 2017 ka deklaruar humbje 13.8 milionë euro. Gjatë viteve 2007-2017 ndërkohë që të hyrat ishin në rënie, shpenzimet për paga dhe marketing ishin në rritje që është kundër çfarëdo logjike ekonomike. Telekomi po falimenton për shkak të qindra punësimeve dhe gradimeve pa asnjë kriter. Një deputet publikisht pati deklaruar se po të kishte mundësi do ti punësonte vetëm anëtarët e AAK-së.

Avdullah Hoti ka thënë se menaxhmenti i Telekomit është keqpërdoruesi më i madh i kësaj kompanie publike.

“Anëtarët e bordit të tanishëm dhe të mëhershëm, kanë privilegje që nuk i lejon ligji për ndërmarrje publike. Ata ndërhyjnë në operacionet ditore të Telekomit që është e ndaluar me ligj. Plani i biznesit nuk është realizuar në këtë kompani tash e 5 vjet, dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi, këtu ka dështuar edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në vazhdimësi si aksionar i autorizuar i qeverisë në këtë rast. Telekomi ka shpenzime të pakontrolluara të marketingut dhe sponsorizimeve. Sipas të dhënave në departamentin e marketingut janë mbi 100 punëtorë, por shumica e punëve të marketingut kryhen nga kompani private. Në disa departamente ka më shumë se 3 zëvendës drejtorë të emëruar pa kritere me lidhje politike dhe pa eksperiencën e nevojshme për të kryer punën e tyre.”

Sipas Hotit, Telekomi i Kosovës ka nevojë për një auditim ndërkombëtar por që është kredibil për të ditur se cilat janë ato kontrata të dëmshme, cilat duhet të ndërpriten urgjentisht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/avdullah-hoti-z-mobile-ka-perfituar-100-milione-euro-pa-investuar-asnje-cent-ne-telekom/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala