Arsimtarët kërcënojnë me grevë në shtator

Autori:Gazeta Fjala

kontrata-kolektive-e1502707005557

Nëse kryetarët e komunave dhe institucionet tjera të qeverive lokale nuk reflektojnë dhe nuk bëjnë hapa konkret në realizimin e çështjeve të tri pagave suplementare, tri pagave me rastin e pensionimit, të çështjes së shujtës dhe udhëtimit të punësuarit udhëtarë në arsim, atëherë SBASHK-u në shtator do të reagojë me greva dhe do të dërgojë padi në gjykatat gjegjëse për të realizuar kështu këto kërkesa legjitime e që dalin nga Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës, nënshkruar nga MASHT dhe SBASHK më 18 prill 2017, thuhet në një komunikatë për medie nga SBASHK.

“SBASHK-u ka pritur reflektimin e qeverive lokale lidhur me çështjet e ngritura dhe nisjen e dialogut për to. Mirëpo kaloi një kohë e gjatë nga 21 qershori dhe jemi në prag të vitit të ri shkollor e qeveritë lokale nuk shihet se kanë bërë ndonjë hap konkret për të vënë në rend dite çështjet e ngritura në shkresën zyrtare drejtuar kryetarëve të komunave dhe prandaj SBASHK-u që tani ka nisur përgatitjet për veprime sindikale gjatë muajit shtator e madje edhe për grevë të përgjithshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas SBASHK-ut këto veprime sindikale do të jenë të drejtuara ndaj kryetarëve të komunave dhe institucioneve të pushtetit lokal për shkak të mungesës së vullnetit për të dialoguar e për të gjetur zgjidhje të pranueshme lidhur me obligimet që pushtetet lokale e kanë nga neni 35 i Kontratës Kolektive të Arsimit të Kosovës e që ka të bëjë me kompensimin prej 70 % të vlerës së biletës për punëtorët udhëtarë të arsimit, 3 pagat suplementare dhe 3 pagat përcjellëse me rastin e pensionimit dhe me çështjen e shujtës 2 euro për çdo ditë pune.

“I kujtojmë kryetarët e komunave, drejtorët e DKA-ve dhe institucionet tjera komunale se SBASHK-u ka dërguar në gjykatat kompetente paditë kundër komunave lidhur me tri pagat suplementare dhe 3 pagat me rastin e pensionimit dhe se organet e drejtësisë janë duke sjellë vendime pozitive”, thuhet më tutje në komunikatë.

SBASHK thotë se nëse institucionet komunale nuk reflektojnë gjatë këtyre ditëve dhe nuk nisin dialogun, atëherë SBASHK-u do të mbledh shënimet për punëtorët arsimor udhëtarë dhe do t’i drejtohet gjykatave për këtë çështje dhe për shujtën e bindur se do të dalë fituese. “Pra kryetarë të komunave në shtator, nëse nuk reflektoni dhe nuk e zgjidhni dialogun, do të përballeni me veprime sindikale dhe me gjykatat”, ka thënë SBASHK përmes një komunikate për medie./21Media

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/arsimtaret-kercenojne-me-greve-ne-shtator/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala