Bllokada e institucioneve lë veteranët pa pensione

Autori:Gazeta Fjala

UCK

Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit të Kosovës, veteranët e UCK-së nuk i kanë marrë pensionet për muajin gusht.

Gazeta Fjala mëson se paratë e dedikuara për veteranët janë harxhuar tashmë, përderisa Kosova nuk ka Kuvend për ta rishqyrtuar buxhetin e saj. 38 milionë eurot e parapara për veteranët për këtë vit nuk mjaftojnë për t’u përmbyllur viti buxhetor.

Megjithatë pensionet e veteranëve lidhen me disa mjete që duhet të derdhen në buxhet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Por për të ndodh kjo duhet që Kuvendi i Kosovës ta miratojë paraprakisht ligjin për AK-në.

Derisa kjo nuk ndodh, ligjërisht Ministria e Financave nuk ka linjë tjetër buxhetore për veteranët.

“Ministri i Financave, Agim Krasniqi, nuk do ta ndajë asnjë cent për këtë kategori, pasi në të kundërtën, do të shkelte ligjin”, i kanë thënë gazetës burime brenda kësaj ministrie.

Muharrem Shahini, zyrtar për informim në këtë institucion, pati thënë për Gazetën Fjala se mjetet në dispozicion për veteranët nuk mjaftojnë për t’u përmbyllur viti.

“Mjetet e buxhetore për vitin 2017 janë në shumën prej 38 € milion e cila shumë nuk mjafton për përmbylljen e vitit, por vetëm për pagesat e muajit korrik dhe një pjesë për muajin gusht, sigurimi i mjeteve për këtë kategori është vendim politik”, tregon Muharrem Shahini.

Ndërkohë edhe Ministria e Punës ka konfirmuar se në dispozicion ka më pak se 2 milionë euro, por as ato nuk mund t’i lëshojë pasi i duhen edhe 4 milionë të tjera dhe nuk mund të bëjë diskriminim të kategorisë. Sipas informacioneve nga Ministria e Punës, janë rreth 33.141 persona që marrin pension nga shteti dhe të gjithë këta duhet presin krijimin e institucioneve për të marrë pensionin e gushtit.

Në anën tjetër, hetimet për keqpërdorimin dhe fryrjen e listave të veteranëve, po vazhdojnë.

Prokuroria nis hetimet për keqpërdorime në emër të veteranëve

Ndërkohë prokuroria e shtetit, përmes postës elektronike, ka njoftuar se në Prokurorinë Themelore në Prizren janë të regjistruara tri lëndë ndaj katër personave, e në atë të Gjakovës deri tash ka tri informata, të cilat janë në verifikim e sipër.

Çdo muaj Kosovës i shtohen afro 1000 veteranë. Nga janari i këtij viti deri në fund të qershorit 31,953 veta kanë përfituar pensione të luftës. Por, një rrezik i madh i pret të gjithë këta nga mesi i gushtit, thonë në Ministrinë e Financave të Kosovës.

Ndërsa sipas tij nga fillimi i vitit “është rritur numri i përfituesve dhe është duke u rrit për çdo muaj”. Por, përfaqësueseve të veteranëve nuk duket se u intereson nëse ka apo jo buxhet shteti t’ua paguaj pensionet.

Hysni Gucati, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së pati thënë se nëse nuk i marrin pensionet me kohë mund të ketë edhe protesta.

“Nëse preken interesat e veteranëve të UÇK-së, pavarësisht se nuk e preferojmë do të dalim në rrugë dhe do të protestojmë”, kishte deklaruar Gucati në muajin e kaluar.

Gazeta Fjala ka provuar që të marrë një deklaratë për ketë çështja edhe sot, por ai ka qenë i pa qasshëm.

Numri i veteranëve sipas muajve

Janar – 28,631 përfitues

Shkurt – 28,562 përfitues

Mars – 28,625 përfitues

Prill – 29,601 përfitues

Maj – 31,023 përfitues

Qershor – 31,953 përfitues

Kurse, sekretari i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyqi, në një prononcim për media ka pranuar faktin se ende nuk e dinë se ku do t’i marrin këto para, pasi ende Kosova nuk e ka një Kuvend funksional që do të bëjë rishqyrtimin buxhetor.

Ai ka thënë se kanë varur shpresat në Ministrinë e Financave që do t’u gjejë zgjidhje të paktën për muajin korrik, duke paralajmëruar edhe vonesa në lëshimin e këtyre pensioneve për këtë muaj.

FMN alarmonte për numrin e veteranëve

Rritja e pakontrolluar e numrit të veteranëve që përfitojnë pensione kishte shqetësuar çdo herë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Madje ky institucion kishte ngritur edhe alarme duke I bërë me dije qeverisë së Kosovës së po rrezikohen merr veshjet.

FMN pati bërë me dije se për tu ruajtur kjo marrëveshje është ndryshimi i ligjit për veteranët.

“Është e vetmja çështje që po e mbanë peng marrëveshjen me FMN-në dhe nëse nuk ndryshohet ligji për veteranët atëherë Kosova do të del nga programi”, patën thënë zyrtarë nga FMN-ja për Gazetën Fjala.

Drejtues të FMN në Kosovë kanë potencuar në takimet që kanë zhvilluar me krerët institucionalë në vend se është e domosdoshme ri-shikimi i listave.

FMN-ja ka konsideruar se numri prej 46 mijë veteranësh është tepër i lartë dhe shkakton probleme buxhetore për Kosovën. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/zvarritja-e-institucioneve-le-veteranet-pa-pensione/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala