Zëvendësministri që po ballafaqohet me gjykatë për fatura të bërllokut

Autori:Gazeta Fjala

mato

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, po shtyhet në Gjykatë për mospagesë të bërllokut. Ai dyshohet se me biznesin e tij, i ka borxh kompanisë së pastrimit Eko-Higjiena në Kamenicë 1,119. 87 euro.

Kompania pretendon se radio private “Premiera”, pronë e Matoshit, nuk i ka paguar shpenzimet e mbeturinave nga viti 2010.

 Zyrtari i lartë i shtetit, që tani është ngarkuar me përgjegjësi për të krijuar një ambient më të pastër dhe për të krijuar politika për ruajtjen e tij, ka pranuar se ka telashe tash e sa kohë me kompaninë regjionale të pastrimit, shkruan Infokusi.com 

Matoshi, ka treguar për Infokusin se gjatë kohës kur pretendohet se është krijuar borxhi, biznesi i tij ka qenë pasiv. Madje, kjo ka qenë një nga dëshmitë me të cilën e ka fituar edhe rastin në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Por, shumë shpejt pritet të përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor lidhur me këtë rast, pasi kompania është ankuar në Gjykatën e Apelit.

“Biznesi im ka qenë pasiv që nga viti 2010, mirëpo përveç kësaj, një kompani si “Eko-Higjiena”, operon në Kamenicë prej vitit 2014, dhe deri në ditët e sotme, ata vijnë çdo javë i marrin mbeturinat në shtëpinë time dhe unë i paguaj atyre faturën për çdo muaj. Duhet të dihet që unë nuk paguaj diçka, për të cilën ata nuk e kamë bërë”, është shprehur Matoshi.

Sipas tij, në Kamenicë ka ekzistua një kompani pastrimi “Higjiena”. Ndërkaq, në vitin 2011- 2012, Komuna e Gjilanit ka hy në partneritet me “Moser-Group Austria”, dhe kanë krijuar një partneritet publiko-privat me emrin “Eko-Higjiena”.

Mandej kjo kompani deri në vitin 2014, kur Matoshi ka ushtruar detyrën e nën kryetarit  të Komunës së Kamenicës, nuk ka operua në territorin e Kamenicës, pasi nuk kishte pranuar komuna.

“Ndërkaq operimin e ka filluar me një shtator të viti 2014, prej kësaj dite ka filluar me i mbledh mbeturinat në Komunën e Kamenicës, ndërkaq biznesi për të cilin ju po flisni është pasiv dhe nuk ka funksionu që prej vitit 2010, më pastaj Eko-Higjiena, kjo kompani Austriake ka filluar me kërkua borxhe të kompanisë Higjiena”, ka thënë për Infokusin zëvendësministri Matoshi.

Por, biznesi i për të cilin Matoshi deklaron se është pasiv që nga viti 2010, në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ende figuron se është aktiv.

Ndërkaq, në kompaninë e pastrimit “Eko-Higjiena”, nuk kanë dashur të flasin veçmas për rastin e zëvendësministrit sa i përket borxhit që ata pretendojnë se nuk e ka paguar.

Por, kanë pranuar se rasti është në gjykatë dhe se kanë mbi 5000 raste të tilla të cilët nuk kanë paguar detyrimet ndaj kësaj kompanie.

“Nuk duam të komentojmë veçmas për rastin e Matoshin, rasti është në gjykatë dhe ne tashmë kemi mbi 5000 lënë të tilla, për persona të cilët nuk i kanë paguar detyrimet ndaj kompanisë”, kanë thënë zyrtarë të kompanisë “Eko-Higjiena”.

Infokusi merr vesh se kjo kompani është ankuar në Gjykatën e Apelit pas vendimit të Gjykatës Themelore të Gjilanit që e shkarkon nga pagesa zëvendësministrin./V.K Infokusi.com

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/zevendesministri-qe-po-ballafaqohet-me-gjykate-per-fatura-te-berllokut/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala