Zbulohet arsenali i rëndë i UÇK-së (Dokument)

Autori:Arjeta Shabani

uck

Ushtarët e Ramush Haradianjt ishin më të armatosurit gjatë luftës në Kosovë. Nga 383 armë të rënda që kishte gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës 253 gjendeshin në zonën e Dukagjinit. Kështu dëshmon një dokument i nënshkruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, të cilin e posedon Gazeta Fjala.

Ushtarët e kësaj zone, ishin të vetmit që posedonin top 160 mmilimetërsh e mitraloz të kalibrit të rëndë 14.5 milimetërsh.

Për dallim nga bashkëluftarët e  Drenicës, Llapit e rajoneve tjera të Kosovës, sipas këtij dokumenti ushtarët nën komandën e Haradinajt, tani kryeministër i Kosovës, ata posedonin shumëfish më shumë armatim të rëndë.

Derisa në  Drenicë ishin 5 “Minahedhës 60 mm” në Dukagjin ishin 54. Në shalë kishte vetëm 3 të tillë, e vetëm 1 ishte në Llap e Nerodime.

Gazeta Fjala posedon listën e plotë të armëve të rënda të deklaruara në Shtabin e Përgjithshëm dhe të pranuara nga Agim Çeku, të cilat përfshinë lloje të mitralezëve, topave, minahedhësve dhe laserëve.

Aty shihet se të gjithë pjesëtarët e UQK-së në 11 zona kishin në dispozicion 118 “Laser raketash anti-tank”, 79 “Minahedhësa 82 mm”, 66 “Minahedhësa 60 mm”, 44 “Mitraleza 14,5 mm”, 37 “Topa pa dridhje 75 mm”, 23 “Lanser raketash 40 mm”, 8 “Top zis 76 mm M42”, 2 “Minahedhësa 120 mm”, 2 “Top 160 mm”, 1 “Top 20 mm”, 1 “Mitralez 14.5 mm”, 1 “Minahedhës 107 mm” dhe 1 “Top Kundërajror 20 mm”, shkruan Gazeta Fjala.

Nga 79 Minahedhës 82 mm-ërsh që kishte në dispozicion e tërë UÇK-ja, 70 gjendeshin vetëm në Dukagjin.

Pas Dukagjinit, me armatim renditet Zona e Drenicës, që kishte në dispozicion 45 lloje të armatimit të rëndë, pasuar nga Zona e Shalës me 30 armë.

Në të tjerat zona lloje të armatimit të rëndë kishte më pak.

Në Zonën e Llapit, ushtarët kishin vetëm 10 armë të rënda. Po kështu edhe në Zonën e Pashtrikut ishin vetëm armë 9, në Nerodime 15 dhe në Karadak 13.

26940564_10214805757806390_1459916180_n

Ndërkaq, me demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një pjesë e madhe e këtij armatimi thuhet të jetë dorëzuar në institucionet komeptente.

Përfitues i tyre është edhe Muzeu i Kosovës.

Sadik Krasniqi, shef i sektorit të Historisë në Muzeun e Kosovës, ka thënë më parë për medie se Muzeu i Kosovës posedon një numër jashtëzakonisht të madh me relikte, por në mesin e tyre ka shumë armë të luftës së fundit që janë përdorur nga UÇK-ja kundër ushtrisë serbe.

“Mbi 2 mijë ekzemplarë ekzistojnë në Muze të Kosovës të armëve, në mesin e tyre janë edhe kundërajrori 12, 7 milimetra, një top i madh rreth 90 milimetra dhe është një minahedhës 120 milimetra”, tregon Krasniqi, për këto lloje të armëve që UÇK-ja i ka përdorur në Koshare.

E krahas kësaj, Krasniqi thotë se ka edhe eksponate të tjera, si topi 75 milimetra, pastaj armë të lehta krahu siç janë kallashnikovi, prodhime të ndryshme jugosllave, kineze, sovjetike. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/zbulohet-arsenali-i-rende-i-uck-se-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala