Vendimi për rrymën në veri në dorën e kryeministrit

Autori:Agon Sinanaj

content_big_rete-1000x519

Gjykata ka vendosur. Ka mbetur edhe Ramush Haradinaj të marr vendim që qytetarët të mos paguajnë më nga 8 milionë euro në vit për rrymën që shpenzohet nga banorët e komunave në veri të vendit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka mundësi ligjore që ta zbatoj vendimin e Gjykatës së Apelit, përmes të cilit u shfuqizua një vendim i ZRRE-së i vitit 2012 i cili i detyronte qytetarët që të paguajnë për rrymën e shfrytëzuar në veri.

Gazeta Fjala ka hulumtuar aspektin ligjor të zbatimit të këtij vendimi.

Ligjërisht vendimin do të duhej ta zbatonte Zyra e Rregullatorit të Energjisë, por këtij institucioni i mungon për momentin Bordi.

Ndërkohë me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, çdo vendim të ZRRE-së duhet ta marrë Bordi.

Në këtë rast e njëjta vlen edhe për vendimin e Gjykatës së Apelit për ta ndaluar pagesën e rrymës nga qytetarët për veriun e vendit.

Ndërkaq, Bordet e Ndërmarrjeve Publike i cakton Qeveria e Kosovës, e të cilat më pastaj miratohen në Kuvendin e Kosovës. ZRRE që nga maji i këtij viti ka mbetur pa Bord, por Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj ende nuk ka marr asnjë hap për konstituimin e tij.

Ndërkohë, për rrymën e shfrytëzuar në veri, kosovarët paguajnë rreth 8 milionë euro në vit, që nëse llogaritet nga viti 2012 bëhet fjalë për rreth 40 milionë euro deri më tash.

ZRRE e hedh topin tek Qeveria

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në ZRRE Adelina Murtezaj ka thënë për Gazetën Fjala se zbatimi i këtij vendimi varet nga konstituimi i Bordit.

Sipas saj, për caktimin e bordit kompetente është Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

“ZRRE është pa Bord funksional që nga mesi i muajit maj . Dhe ZRRE nuk është kompetente për emërimin e Bordit të saj, por është Kuvendi i Kosovës me propozimet që i dërgohen nga Qeveria, prandaj ju lutem që t’ju drejtohen organeve kompetente për këtë çështje”, ka qenë përgjigja e Murtezajt kur është pyetur se a do të zbatohet vendimi i apelit.

Sipas saj, vendimi për ndryshimin e tarifave merret nga Bordi i ZRRE, i cili aktualisht ka vetëm dy anëtar dhe nuk mund të marr asnjë vendim për shkak të mungesës së kuorumit.

“Sipas Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, neni 25.2: “Kuorumi për seancat e Bordit është tre (3) anëtarë. Seancat e Bordit mund të mbahen nëse ekziston kuorumi, pavarësisht nëse ka një apo dy pozita të lira në Bord”, thotë Murtezaj.

Por kështu nuk mendojnë nga Zyra e Avokatit të Popullit.

Majlindë Sinani Lulaj, udhëheqëse e zyrës për komunikim, thotë së vendimet e plotfuqishme gjyqësore nuk duhet të varen nga funksionimi i mekanizmave të ndryshëm administrativ.

“Avokati i Popullit beson në përgjegjshmërinë që duhet të kenë autoritetet publike, përkatësisht Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), në këtë rast, që vendimet e plotfuqishme gjyqësore nuk duhet dhe nuk guxojnë të varen nga ekzistimi/ funksionimi i mekanizmave të ndryshëm administrativ, përfshirë Bordet, sepse vendimet gjyqësore janë të plotfuqishme dhe së këndejmi  janë të obligueshme të zbatohen”, thotë ajo.

Lulaj pret që ZRRE të reflektoj për pozicionin në të cilin ndodhet dhe për përgjegjësinë ligjore kundrejt zbatimit të një vendimi gjyqësor të plotfuqishëm.

“Aktualisht, Avokati i Popullit po trajton letrën që ushtruesi i detyrës së Bordit të ZRRE-së i ka nisur Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, një kopje e së cilës, nga vetë dërguesi, është përcjellë edhe te një varg autoritetesh me relevancë në këtë çështje, përfshirë Avokatin e Popullit”.

Avokati i Popullit kërkon hetime nga Prokuroria

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili e kishte iniciuar këtë procedurë në gjykatë, ka kërkuar nga prokuroria që të nis hetime, derisa këtë qëndrim të menaxhmentit të ZRRE-së e ka quajtur absurd.

“Shkalla e parë ka vendos pro kërkesës sonë, edhe ndërkohë është dhënë mundësi palës tjetër që të bën ankesë në gjykatën e apelit. Para disa ditësh përfundimisht edhe gjykata e Apelit e ka miratuar kërkesën tonë prapë edhe me fjalë tjera është pezulluar ekzekutimi i këtij vendimi”, ka deklaruar Jashari për media lidhur me ketë vendim.

Sipas tij, me vendimin e apelit po i jepet fund diskriminimit dhe dëmeve që u janë shkaktuar qytetarëve nga ZRRE-ja.

Bëhet fjalë për 8 milionë euro në vit që kanë paguar qytetarët për rrymën e shfrytëzuar në veri. Derisa prej vitit 2012 kjo ka shkuar në 40 milionë euro.

“Ajo çka na brengos ka qenë vlerësimi që gjoja se ZRRE së në mungesë të bordit nuk mund të marrin një vendim, për mua kjo ka qenë absurde se sistemi gjyqësor i merr vendimet dhe janë të plotfuqishme dhe nuk varen nga bordi apo jo, sepse bordi nuk është i autorizuar për të vlerësoj vendimin gjyqësor. Ata duhet ta zbatojnë si të tillë. Duhet ta zbatoj zyra ligjore, duhet ta vë menjëherë në zbatim…Mendoj që Prokuroria do të ketë shumë punë nëse ky vendim nuk zbatohet, presim tash të shohim se cilët janë hapat që kjo zyre do të merr edhe do të ketë një njoftim zyrtar nga vet gjykata”, ka deklaruar Jashari për media. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/vendimi-per-rrymen-ne-veri-ne-doren-e-haradinajt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala