Vendimi i rrezikshëm i  Kryeministrit

Autori:Agon Sinanaj

auto-ramush-haradinaj-61492869315_1509633566-4794079

Pas vendimit të kundërligjshëm për rritjen e pagave, Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj pritet ta marrë edhe një vendim tjetër që mund ta fusë Kosovën në një krizë të rëndë buxhetore.

Fjala është për rritjen e pagës minimale në Kosovë, me të cilën sipas legjislacionit në fuqi automatikisht rriten edhe pensionet e veteranëve.

Gazeta Fjala ka mësuar se niveli i pagës minimale pritet të jetë 250 euro që nënkupton edhe ngritjen e pensioneve të veteranëve nga 170 euro në 250 euro.

Këtë është duke e shtyrë me ngulm Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në mënyrë që e tërë procedura të përfundoi para vitit të ri.

Por, ky vendim, sipas njohësve të ekonomisë shumë lehtë mund ti rëndoj raportet e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për shkak të pasojave zinxhirore dhe ngarkesës buxhetore që do të bartë.

Aktualisht, 36 mijë veteranë çdo muaj marrin 6.1 milionë euro nga buxheti i shtetit, apo 73.5 milion euro në vit.

Me rritjen e paraparë prej 250 euro, del se veteranët e certifikuar deri më tani do ti kushtojnë shtetit 9 milionë euro në muaj, apo 108 milionë euro në vit.

Kjo shumë mund të rritet për shkak se ende është duke vazhduar certifikimi i veteranëve dhe numri i tyre thuhet të jetë rreth 60 mijë.

Kryetari i shaqatës së veteranëve të UÇK’së, Hysni Gucati, ka thënë për Gazetën Fjala se me rritjen e pagës minimale duhet të rritet edhe pensioni i veteranëve.

“ Ne i bëjmë thirrje qeverisë se pas ti rrite paga minimale të rritet edhe pensioni i veteranëve, ashtu siç parashihet edhe me ligj”, ka thënë ai.

Sipas legjislacionit në fuqi, çdo rritje e pagës minimale nënkupton edhe rritje të pensioneve të veteranëve.

Neni 18 i Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë decidivisht se pensioni i veteranit nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale. Pra sipas ligjit me rritjen eventuale të pagës minimale, siç ka paralajmëruar ministri Reçica, atëherë kjo nënkupton se do të ketë edhe rritje të pensioneve.

“Varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti për vitin e ardhshëm, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave me vendim të veçantë, mund të vendosë për lartësinë e shumës së pensionit të Veteranit Luftëtar të UÇK-së, cila nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”, thuhet në Ligjin për veteranët.

Paga minimale në Kosovë për momentin është 170 euro.

Ministri Reçica takim urgjent me Këshillin Ekonomik Social

Këtë çështje po e shtyn fuqishëm ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Gazeta Fjala mëson se ministri Reçica, sot pasdite ka urdhëruar një takim urgjent me përfaqësuesit e punëtorëve që janë pjesë e Këshillit Ekonomik Social. Në takim pritet të diskutohet për rritjen e pagës minimale në Kosovë.

“Sot në 3 pritet të diskutohen propozimet”, ka thënë një burim i afërt me procesin.

Edhe në konferencën e fundvitit të MPMS-së Reçica paralajmëroi se për herë të parë që nga viti 2011 do ketë propozim për ndryshimin e pagës minimale, rrjedhimisht për rritje të saj.

‘Në kuadër të Këshillit Ekonomiko Social kemi edhe një Udhëzim Administrativ për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për caktimin e pagës minimale. Komisioni gjegjës brenda KES tashmë është ngarkuar për propozimin dhe e rëndësishmja është që do të ketë ngritje të pagës minimale dhe ajo që dihet është se ajo do të jetë me lartë se 170 euro”, ka thënë ministri.

Sipas tij, Këshilli Ekonomiko Social në takimin e radhës, të fundit për këtë vit, do të paraqesë propozimin për caktimin e pagës minimale dhe tutje, do ti dërgohet  Qeverisë për miratim.

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Haxhi Arifi, pati thënë muajin e kaluar për media se ka filluar puna për e harmonizimin e pagës minimale.

Sipas tij, BSKP është e vendosur që paga minimale të jetë 250 euro.

“Ne nuk do të heqim dorë sepse këtë e kemi kërkuar edhe më herët. Sepse në Kosovë nuk kemi paga të kënaqshme sidomos në sektorin privat”, tha ai.

Kërkesat e FMN-së për uljen e pensioneve

Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin e fundit ka insistuar në vazhdimësi për nivelizimin e pensioneve tek kategoritë e luftës. Sikur dikush që ka mbetur invalid nga puna në ndërtimtari, sikur dikush që ka humbur gjymtyrët në luftë, do të marrin pension të njëjtë.

Kështu ishte zotuar Qeveria e Kosovës para Fondit Monetar Ndërkombëtar, që këtë reformë në skemën pensionale ta bëjë deri me 1 maj të këtij viti.

Në raportin e fundit të FMN-së thuhet se institucionet e Kosovës uljen e pensioneve të invaliditetit për ish-ushtarët e UÇK-së, po e shohin si mundësi që ta mbajnë në balancë buxhetin e shtetit, shkruan Gazeta Fjala.

Tani për tani, mesatarja e pensionit për invalidët e luftës, që janë 4 mijë gjithsej, është 300 euro. Por me propozimet e reja kjo mund të përgjysmohet.

“Pensionet e invalidëve të luftës (mesatarja 300 euro për muaj) janë konsiderueshëm më të mëdha sesa pensionet për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në raportin e FMN-së.

Sipas këtij raporti, në tërësi shpenzimet për skemën social të luftës mund të arrijë deri në 2 për qind, çdo vit, të GDP-së.

Kjo për zyrtarët e FMN-së po del të jetë e papranueshme.

“Kështu në mënyrë që këto shpenzime t’i sjellim në një stad të qëndrueshme autoritetet duhet të bëjnë reforma tek pensionet për invalidët e luftës dhe tek pensionet e veteranëve të luftës”, konstaton FMN.

Krejt kjo reformë sipas FMN-së do të ndihmonte që të uleshin përgjysmë shpenzimet për invalidët e luftës, krahasuar me shpenzimet aktuale për këtë kategori. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/vendimi-i-rrezikshem-i-kryeministrit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala