Udhëzimi diskriminues i Ministrisë së Mjedisit

Autori:Agon Sinanaj

eksavator

Me udhëzimin e ri administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për strukturën e pagesave të ujit, ky institucion ka diskriminuar shumë operatorë ekonomik në raport me prodhuesit e ujit.

Pas vendimit të kryeministrit Haradinaj për faljen e borxhit prej 60 milionë euro për ambalazhuesit e ujit, MMPH në këtë udhëzim i ka përjashtuar nga vendimi për falje të borxheve gurëthyesit dhe operatorët që merren me eksploatim të zhavorrit e dheut.

Decidivisht në nenin 13 të këtij udhëzimi që shumë shpejtë pritet ti vihet nënshkrimi nga kryeministri Haradinaj, thuhet se nga vendimi për falje do të përfitojnë vetëm ambalazhuesit e ujit, por jo edhe për kategoritë e tjera që e shfrytëzojnë ujin.

“Përveç Ambalazhuesve të liruar nga borxhet me vendimin e qeverisë nr. 13/06 të datës: 03.10.2017; të gjithë detyruesit tjerë të cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi administrativë që nuk i kanë kryer detyrimet, obligohen që brenda afati prej 1 viti t’i kryejnë detyrimet e parapara sipas nenit 12 të udhëzimit administrativ nr.02/2016 për Strukturën e Pagesave të Ujit”, thuhet në këtë nen.

Ndërkohë me legjislacionin në fuqi, Ministria e Mjedisit duhet të vendos taksë për operatorët që i kanë shpërdoruar resurset natyrore. Kjo taksë përveç tek operatorët që e shfrytëzojnë ujin duhet të vendoset edhe tek për gurëthyesit,  tek dëmtuesit e lumenjve si dhe ndaj operatorëve që e ndotin ambientin përmes eksploatimit të mineraleve.

Megjithatë me udhëzimin e ri kjo ministri ka përjashtuar nga falja e borxheve këto kategori, përderisa i ka falur vetëm kompanitë ambalazhuese të ujit.

Borxhet e sektorëve tjerë që do të paguajnë

Gazeta Fjala ka siguruar një raport mbi këtë sektor i cili i është dorëzuar së fundi edhe Zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Në këtë raport i cili quhet “Të ardhurat nga pagesat e ujit” thuhet së borxhi total për periudhën 2008-2015 vetëm tek kompanitë për nxjerrjen e materialeve inerte, ku hyjnë operatorët që e nxjerrin zhavorrin e dheun nga lumenjtë, është 124 mijë euro.

Ndërkaq, për kompanitë që e përdorin ujin dhe e shkarkojnë atë pwr veprimtari të ndryshme borxhi në total për këtë periudhë është afër 1 milionë euro.

Ndërkohë të dhëna për borxhet që i kanë gurëthyesit nuk ka.

Me udhëzimin e ri të Ministrisë së Mjedisit të gjitha këto kompani janë të obliguar ti paguajnë borxhet brenda një afati një vjeçar.

Në total nuk u mblodhën 400 milionë euro

Gazeta Fjala më herët kishte raportuar se nuk janë vetëm prodhuesit e ujit që u falen nga shteti. Me vite të tëra, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka vepruar as ndaj gurëthyesve, atyre që shkatërrojnë lumenjtë e as ndaj operatorëve që e ndotin ambientin përmes eksploatimit të mineraleve.

Ish-punëtori i Ministrisë së Mjedisit, Besim Dobruna, po pretendon se si pasojë e kësaj neglizhence të kësaj ministrie, buxheti i Kosovës është dëmtuar për 400 milionë euro, për periudhën 2009-2017.

Dobruna, i cili deri me 2015 ka qenë pjesë e MMPH, ka prezantuar dokumente përmes të cilave ai pretendon se brenda kësaj ministrie gjithë këto vite ka ekzistuar një skemë e mashtrimit, ku përfitues kanë qenë vetëm operatorët privat dhe njerëz të lidhur me ta.

“Supozimi i analizës për periudhën 2008-2015 është që me mosveprim të MMPH-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar 150-200 milionë euro dhe në favor të operatorëve. Ndërsa prej 2009-2017 buxheti është dëmtuar mbi 400 milionë euro nga MMPH”, thuhet në analizën “Shpërdorimi i resurseve natyrore”, e realizuar nga instituti INECO, e cila drejtohet nga Dobruna.

Me legjislacionin në fuqi, Ministria e Mjedisit duhet të vendos taksë për operatorët që i kanë shpërdoruar resurset natyrore. Por kjo sipas Dobrunës nuk ka ndodhur as në rastin e ujit e as në rastin e gurëthyesve, e as tek dëmtuesit e lumenjve e operatorëve që e ndotin ambientin përmes eksploatimit të mineraleve.

“Në MMPH ekziston një grup i organizuar kriminal duke dëmtuar resurset natyrore, mjedisin dhe shëndetin e popullatës”, thotë Dobruna, i cili tashme ka ushtruar kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve të kësaj ministrie, përfshirë këtu edhe ministra dhe akterë tjerë me ndikim brenda Ministrisë së Mjedisit. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/udhezimi-diskriminues-i-ministrise-se-mjedisit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala