Trusti ‘rrezikon’ milionat e pensioneve

Autori:Agon Sinanaj

Trusti_i_Kursimeve_Pensionale

Sikur presidenti amerikan, Barack Obama, të mos e nënshkruante një paketë financiare, për mbështetje të ekonomisë amerikane pas krizës financiare të 2008-s, atëherë, do të rrezikohej pjesa më e madhe e parave të pensioneve të kosovarëve.

Trusti menaxhon me mbi një miliardë euro, pjesën më të madhe të te cilave e investon në instrumente financiare jashtë vendit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj çdo lëkundje e ekonomisë atje reflekton në përformancen e Trustit.

Njohësi i ekonomisë Florin Aliu dhe doktorantë në Çeki mbi matjen e përformancës së kompanive, ka disa vite që është marr me tregjet financiare, si dhe me investimet e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Aliu në punimet e tij mbi strukturën e investimeve të Trustit dhe në bazë të dhënave të siguruara, ka vërejtur se këtij institucioni i mungon një analizë për matjen e rrezikut për mjetet e investuara. Ndërkohë kjo analizë është mëse e nevojshme, aq më tepër kur dihet se Trusti menaxhon me 1.4 miliardë euro.

Sipas Aliut, një analizë si kjo përveç që do t’i analizonte instrumentet financiare përmes të cilave Trusti i investon mjetet e saj, do të duhej ta bënte edhe një matje të ekonomisë së vendit amë.

Gazeta Fjala e ka kërkuar një analizë të tillë nga Zyra për Informim në Trust, por askush nuk është përgjigjur edhe pas një javë pritjeje. Analizë mbi matjen e rrezikut për mjetet e investuara nuk ka as në raportet vjetore të Trustit, e as në ueb faqen zyrtare të saj.

Rreziqet me të cilat përballen investimet e Trustit

Aliu ka thënë se në përgjithësi Trusti Pensional ballafaqohet me dy lloje rreziqesh.

“Rrezikun e jashtëm (sistematik) dhe rrezikun e brendshëm (josistematik). Trusti mundet me e kontrollu vetëm rrezikun  josistematik, pasi që varet nga aftësitë menaxhuese”, thotë Aliu.

Ndërkaq rreziku i jashtëm, pra investimet në tregje financiare, janë pjesa më komplekse e ekonomisë, pasi, sipas Aliut, tregjet financiare reflektojnë problemet e ekonomisë dhe të kompanive në baza ditore. Andaj mbrojtja dhe parandalimi i goditjeve të mëdha në Trustet pensionale vjen si rezultat i njohjes së tregjeve financiare dhe jo vetëm.

“George Soros ka falimentuar bankën e Anglisë brenda tri ditëve, për shkak të njohjeve mbi lëvizjet e tregjeve financiare dhe marrëdhëniet politike në mes vendeve të Bashkimit Evropian. Njerëzit që merren me investime në instrumente financiare dhe menaxhimin e tyre, janë specie të veçanta. Shumë njerëz jetojnë nga iluzioni i fitimeve të shpejta dhe tregun financiar e shohin si një mundësi të tillë. Tregu financiar është pjesa më e sofistikuar e sistemit ekonomikë dhe nuk ka hapësirë për njerëz amatorë”.

Aliu në analizat e tij mbi investimet e Trustit ka vërejtur edhe një mangësi tjetër.

Trusti Pensional e bënë shpërndarjen e parave të grumbulluara në disa “AssetManager” dhe në lloje të ndryshme të instrumenteve financiare.

Sipas Aliut, teoria bazë mbi investimet financiare tregon se është e rrezikshme ti investosh të gjitha parat në një instrument financiarë. Mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme nëse kthimet e investimeve lëvizin në të nijetin drejtim, do të thotë nëse instrumentet financiare janë shumë të lidhura mes vete.

“Personalisht nuk kamë parë që Trusti Pensional i Kosovës ka raporte për nivelin e rrezikshmërisë”, thotë Aliu.

Sipas tij, nuk është e mjaftueshme të shohim vetëm kthimin nga investimet por edhe rrezikun e portofolios së Trustit.

“Do të ishte mirë të shohim Trustin Pensional të Kosovës në raport më fondet tjera pensionale sa i përket kthimit dhe rrezikut. Sepse kthimet e Trustit Pensional varen nga performanca e vendeve dhe kompanive ku janë investuara këto mjete. Ndërsa eliminimi ose zvogëlimi i rrezikut jo-sistematik varet drejtpërdrejt nga menaxhmenti i Trustit Pensional”, ka thënë Aliu. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/trusti-rrezikon-milionat-e-pensioneve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala