Trenat u ndalën për 2 mijë litra naftë  

Autori:Gazeta Fjala

bild011

Mbi 2 mijë litra naftë nevojiten çdo ditë për t’i mbajtur në punë trenat nga Prishtina për në Pejë. Gati aq shpenzojnë edhe trenat i linjës tjetër për në Han të Elezit.

Zyrtarët e ndërmarrjes përgjegjëse për operim me trena në Kosovë, “Trainkos” tregojnë se për çdo kilometër që kalon, ai djegë nga 3 litra naftë.

E çdo ditë ata bëjnë nga 741 kilometra, për të cilat duhet djegur 2 mijë e 223 litra naftë. Ndërkaq, të hyrat që krijohen nga shitja e biletave nuk i mbulojnë as për së afërmi shpenzimet që krijohen nga ky transport.

Madje një milionë euro që kishte ndarë ministria e infrastrukturës për t’i mbajtur në funksion këto linja janë shpenzuar në fillim të muajit qershor.

Për këtë në Trainkos thonë se edhe janë ndërprerë operimet e rregullta dhe si pasojë e shpenzimeve  i vetmi tren i udhëtarëve që mbahet në funksion tani është ai Prishtinë – Shkup- Prishtinë, shpenzimet për të cilin mbulohen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Mbajtja në operim e trenave të udhëtarëve, është obligim ligjor i qeverisë së vendit për linjat që ata vlerësojnë se kanë interes t’i mbajnë në funksion”, ka shpjeguar për Gazetën Fjala, Afrim Kuleta, Udhëheqës i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Trainkos.

Sipas tij në bazë të Ligjit për hekurudhat e Kosovës, kontraktuesi ( Ministria e Infrastrukturës ) duhet ti mbuloje të gjitha shpenzimet, të cilat nuk përfshijnë vetëm ato të  naftës dhe të qasjes në binarë, por përfshihen edhe shpenzime tjera si kompensimi për paga, mirëmbajtja e mjeteve lëvizëse, amortizimi e përplot shpenzime tjera.

Për këtë në maj të këtij viti, udhëheqësit e Trainkos i kishin bërë me dije ministrit Lutfi Zharku se operimi i trenave ishte në rrezik dhe nuk mund të vazhdohej pas muajit korrik nëse ministria që ai udhëheq nuk e vazhdon përkrahjen financiare në bazë të marrëveshjes.

Por askush nuk i përgjigjet kësaj kërkese, të cilën me 29 qershor kryetari i bordit të kësaj ndërmarrje ia përsërit shkresën zyrtare ministrit Zharku “për kompensimin e obligimeve të shërbimeve publike të transportit hekurudhor të udhëtarëve për periudhën korrik-dhjetor 2017”.

As pas kësaj, Zharku nuk bëhet i gjallë.

Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk i janë përgjigjur as pyetjeve të Gazetës Fjala lidhur me obligimet për financimin e operimeve të trenave të udhëtarëve në Kosovë.

Zyrtarët e Trainkos shpjegojnë se që nga viti 2011, kur janë ndarë Hekurudhat e Kosovës në dy ndërmarrje publike Infrakos dhe Trainkos, shpenzimet nuk janë mbuluar asnjëherë që të gjitha nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës. Mirëpo, këto humbje janë mbuluar nga buxheti vetanak i ndërmarrjes, gjë që aktualisht sipas tij është krejt e pamundur pasi që të hyrat nga transporti i mallrave janë zvogëluar jashtëzakonisht shumë.

“Të hyrat për transportin e udhëtarëve për vitin 2017 të kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës kanë qenë në shumën prej 1,031,000 euro, te cilat veç janë shpenzuar në fillim të muajit qershor në trenat në linjën e Pejës dhe ato të Hanit të Elezit. Të hyrat në formë subvencioni nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik janë 500,000 euro te cilat dedikohen shpenzimeve te trenit ne Linjën e Shkupit”, thotë Kuleta nga Trainkos.

Ndërkaq, të hyrat që krijohen nga shitja e biletave ai thotë se nuk i mbulojnë shpenzimet që krijohen nga ky transport, jo vetëm në Kosovë por në asnjë vend tjetër.

“Transporti i udhëtareve nuk është profitabil dhe mbahet si shërbim publik nga secili shtet. Në gjashtëmujorin e parë të 2017 të hyrat nga shitja e biletave janë 108.044 euro, përderisa shpenzimet totale janë mbi 1,4 milion po për të njëjtën periudhe gjashtëmujore ne 10 linjat e trenave sa kane qene ne operim”, ka thënë Kuleta.

Deri më tani Trainkos ka mbajtur në funksion në linjën e Pejës katër trena në ditë, dy në shkuarje dhe dy në ardhje. Po ashtu edhe në linjën e Hanit të Elezit bashkë me një treni i linjës për në Shkup.

Sipas të dhënave në linjën e Pejës trenat realizojnë 365km, që i bie se ata shpenzojnë 1 mijë e 95 litra naftë. Kurse për linjën e Hanit të Elezit gjatë ditës treni përshkon 62.8 km, me 4 trena,  shpenzon 753 litra naftë dhe 375 litra naftë për linjën e Shkupit.

“Shpenzimet për një lokomotivë (tren klasik, lokomotiva me vagonë te udhëtarëve) variojnë nga lloji i tyre dhe kushtet klimatike. Për trenat klasik me te cilët ne kemi mbajtur linjën e Pejës ato kanë shpenzime nga 2.2 lit. deri në 3 litra për 1 km”, shpjegojnë në Trainkos. (Anita Krasniqi)/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/trenat-u-ndalen-per-2-mije-litra-nafte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala