Tre muajt e rëndë të Kosovës 

Autori:Gazeta Fjala

qeveria-e-kosoves

Kosova tash e më shumë se tre muaj ka mbetur thuajse pa asnjë institucion funksional. Kuvendi s’ka qenë fare aktiv, derisa Qeveria ka funksionuar me gjysmë kompetence.

E kësaj kohe të bllokadës institucionale vendi ia ka parë sherrin. Shumë procese s’kanë ecur përpara e buxheti ka humbur disa miliona euro.

Si shkak i mungesë së Qeverisë ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar morri vendim që të ndërpres një marrëveshje me Kosovën. Nga kjo ndërprerje shteti humbi jo më pak se 16 milionë euro.

Përpos kësaj, vendi rrezikon t’i humb edhe 75 milionë euro të tjera nga BE-ja, të ndërlidhura me programet e Fondit.

“Rreth 16 milionë euro nuk mund të merren kredi. Misioni i FMN-së është dashur të vijë në muajin qershor. Por, për shkak të zgjedhjeve nuk ka ardhur. Pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nuk mund të merren këto kredi”, beri të ditur qeveria e Kosovës.

Mungesa e këtyre parave detyroi qeverinë Mustafa që të marr vendim për ndërprerjen e shumë projekteve.

Hiq me larg se të mërkurën ekzekutivi në ikje morri vendim që ta ndalë investimin e 17 projekteve komunale. Shuma e krejt këtyre mjeteve është 45 milionë euro.

Ministri i Financave , Avdullah Hoti, ka treguar se këto para kanë qenë të parapara për 17 projekte të Ministrisë së Infrastrukturës për projekte të ndryshme komunale.

Hoti ka thënë se këto projekte nuk do të fillojnë për shkak të mungesës së rishikimit të buxhetit.

Shteti s’ka para për pensionet e veteranëve 

Situata është renduar edhe më shumë,  kur Kosovës po i shtohen nga afro 1000 veteranë për çdo muaj. Nga janari i këtij viti deri në fund të qershorit 31,953 veta kanë përfituar pensione të luftës.

Por, një rrezik i madh i pret të gjithë këta nga mesi i gushtit, thonë në Ministrinë e Financave të Kosovës.

Vetëm deri atëherë në buxhetin e shtetit ka para për ti paguar pensionet e veteranëve të luftës.

“Mjetet e buxhetore për vitin 2017 janë në shumën prej 38 milionë euro e cila shumë nuk mjafton për përmbylljen e vitit, por vetëm për pagesat e muajit korrik dhe një pjesë për muajin gusht, sigurimi i mjeteve për këtë kategori është vendim politik”, tregon Muharrem Shahini, zyrtar për informim në këtë institucion.

Ndërsa sipas tij nga fillimi i vitit “është rritur numri i përfituesve dhe është duke u rrit për çdo muaj”. Por, përfaqësueseve të veteranëve nuk duket se u intereson nëse ka apo jo buxhet shteti t’ua paguaj pensionet.

Hysni Gucati, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, thotë se për muajin qershor i kanë marrë pensionet, ndërsa për muajin korrik do ti marrin me 24 korrik.

“Është e vërtetë se po flitet se nuk do të këtë mjete për pensionet e këtyre invalidëve, por unë jam shumë optimist se do të ketë mjete për këto pensione, pasi qe dje jam takuar edhe me sekretarin dhe kam marre premtime qe ka mjete”, ka thënë Gucati për Gazetën Fjala.

Ata paralajmërojnë protesta nëse preken interesat e tyre.

“Nëse preken interesat e veteranëve të UÇK-së, pavarësisht se nuk e preferojmë do të dalim në rrugë dhe do të protestojmë”, thotë ai.

Numri i veteranëve sipas muajve

Janar – 28,631 përfitues

Shkurt – 28,562 përfitues

Mars – 28,625 përfitues

Prill – 29,601 përfitues

Maj – 31,023 përfitues

Qershor – 31,953 përfitues

Kurse, sekretari i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyqi,  në një prononcim për media ka pranuar faktin se ende nuk e dinë se ku do t’i marrin këto para, pasi ende Kosova nuk e ka një Kuvend funksional që do të bëjë rishqyrtimin buxhetor.

Ai ka thënë se kanë varur shpresat në Ministrinë e Financave që do t’u gjejë zgjidhje të paktën për muajin korrik, duke paralajmëruar edhe vonesa në lëshimin e këtyre pensioneve për këtë muaj.

FMN alarmonte për numrin e veteranëve

Rritja e pakontrolluar e numrit të veteranëve që përfitojnë pensione kishte shqetësuar çdo herë edhe  Fondin Monetar Ndërkombëtar. Madje ky institucion kishte ngritur edhe alarme duke I bërë me dije qeverisë së Kosovës së po rrezikohen merr veshjet.

FMN pati bërë me dije se për tu ruajtur kjo marrëveshje është ndryshimi i ligjit për veteranët.

“Është e vetmja çështje që po e mbanë peng marrëveshjen me FMN-në dhe nëse nuk ndryshohet ligji për veteranët atëherë Kosova do të del nga programi”,  patën thënë zyrtarë nga FMN-ja për Gazetën Fjala.

Drejtues të FMN në Kosovë kanë potencuar në takimet që kanë zhvilluar me krerët institucionalë në vend se  është e domosdoshme ri-shikimi i listave.

FMN-ja ka konsideruar se numri prej 46 mijë veteranësh është tepër i lartë dhe shkakton probleme buxhetore për Kosovën.

Trepça pa bord

Për mungesë të institucioneve edhe gjiganti metalurgjik Trepca ende ka mbetur pa bord udhëheqës.

Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje kanë thënë se janë në pritje të Qeverisë së re për ta formuar bordin i cili do ti hapte rrugë projekteve zhvillimore në këtë ndërmarrje.

Ish kryetari i komisionit për ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa ka tërhequr vërejtjen për vonesën e konstituimit të Bordit.

“Kemi kërkuar sqarime që nuk erdhën, ndoshta edhe pse  Kuvendi pas dy tri javësh u shpërnda. Çfarë do të ndodhë atje varet edhe nga cilësia e kompetenca e anëtareve të Bordit mbikëqyrës dhe menaxhues të Trepçës, konstituimi i të cilit u vonua , ka frikë nga tendencat për ti dhënë një ngjyrë partiake ose  për të pritur situata të supozuara se do të mund të krijoheshin pas zgjedhjeve”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, ka shumë rëndësi që Bordi i Trepçës të lirohet nga tendencat e tilla, që atje të ketë profesionist, kompetent , dinjtoz që marrin përgjegjësinë që ta udhëheqin Trepçën në rrugën e rigjenerimit të saj dhe në interesin më të mirë  publik, përkatësisht  të zhvillimit të Kosovës./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/tre-muajt-e-rende-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala