“Termokosi” e “Pastrimi”, gati për dimër

Autori:Gazeta Fjala

termokos

Po afrohet sezoni dimëror, e qytetarët presin që edhe gjatë këtij sezoni të kenë ngrohje, energji dhe rrugë të mirëmbajtura.

Por, ndonëse dëshirojnë që t’i kenë gjitha këto ata nuk janë të rregullt fare në pagesa, ndaj kompanive që ofrojnë këto shërbime. Madje, borxhi që kanë ndaj tyre arrin në miliona euro.

Vetëm kompanisë “Termokos” dhe “Pastrimit”, kosovarët u kanë borxh mbi 21 milionë euro, shkruan Gazeta Fjala.

Zëdhënësja për informim nga “TERMOKOS”, Afërdita Uka ka thënë për Gazetën Fjala, se borxhi që qytetarët kanë ndaj kësaj kompanie, kap shifrën prej 21 milionë euro.

“Shuma totale e borxheve që konsumatorët kanë ndaj “Termokos”-it kap vlerën e rreth 21 milion eurove, rreth 17 milion euro janë borxhe të subjekteve banesore, ndërsa rreth 4 milion euro të subjekteve afariste”, ka thënë Uka.

Ndonëse në shumë më të vogël, qytetarët i kanë borxhe edhe kompanisë “Pastrimi”.

Nderkaq, Arbnora Ademi nga kompania “Pastrimi” ka thënë për Gazetën Fjala se qytetarët i kanë borxh kësaj kompanie mbi 20 mijë euro.

“Borxhi i qytetarëve ndaj Kompanisë “Pastrimi” SH.A-Prishtinë është 20,896,12€”.

Ademi fton qytetarët që të jenë më të përgjegjshëm me obligimet që i kanë ndaj kësaj kompanie.

“Andaj, ftojmë qytetarët të jenë më të përgjegjshëm të kryejnë obligimet e tyre që kanë ndaj Kompanisë “Pastrimi”.

Pavarësisht borxheve, kompanitë janë përgatitur që tu ofrojnë qytetarëve këto shërbime edhe në këtë sezon.

Nga Termokos kanë thënë se përgatitjet për fillimin e sezonit të ri ngrohës janë në përfundim e sipër.

“Për pak ditë do të përfundojnë të gjitha punimet, që janë duke u zhvilluar në teren dhe gjithçka do të jetë gati për një fillim dhe sezon sa më të suksesshëm ngrohës”, ka thënë Afërdita Uka për Gazetën Fjala.

Uka thotë se qytetarët do të kenë ngrohje prej 15 tetorit.

‘Bazuar në aktet ligjore në fuqi sezoni ngrohës, në varësi të kushteve klimatike, fillon më 15 tetor. Ne jemi të gatshëm për fillimin me kohë të sezonit ngrohës nëse gjatë atyre ditëve do të ketë temperatura të ulëta”.

Edhe nga Kompania “Pastrimi” thonë se janë bërë gati që t’i mirëmbajnë rrugët për të cilat janë të kontraktuar.

“Kompania “Pastrimi”,  ka bërë të gjitha përgaditjet e duhura me kohe për sezonin dimëror. Sa i përket pajisjevë për mirëmbajtjën e sezonit dimëror, ne si kompani i posedojmë gjitha pajisjet teknike lidhur me këtë shërbim për ato rrugë të cilat i kemi në tender për mirëmbajtje”, ka thënë zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnora Ademi.

Ndërmarrjet presin skadimin e afatit Ligjor për kthimin  e borxhit

Kompania “Pastrimi”, dhe ngrohtorja “Termokos”, duket se nuk po nguten me procedura të parakohshme për kthimin e borxheve.

Këto ndërmarrje publike po e presin skadimin e afatit Ligjor për faljen e borxheve për kthimin  e borxhit, që t’i vjelin këto para nga konsumatorët.

Po ashtu edhe Afërdita Uka nga “Termokos”, ka thënë se “Termokos”, po pret të përfundojë afati i ligjshmërisë së Ligjit për faljen e borxheve publike, dhe pasi të përfundojë ky afat nëse nuk kthehen borxhet, menaxhmenti i “Termokos”-it do të shqyrtojë masat që do të ndërmerren për inkasimin e borxheve të mbetura.

“Pasi të përfundojë afati i ligjshmërisë së Ligjit për faljen e borxheve publike, menaxhmenti i “Termokos”-it do të shqyrtojë masat që do të ndërmerren për inkasimin e borxheve të mbetura, ndërkohë që për borxhet që i përkasin periudhës që nuk përfshihet në Ligjin për faljen e borxheve publike janë në procedurë gjyqësore dhe përmbaruese”, ka thënë Uka për Gazetën Fjala.

Ndërsa, Arbnore Ademi nga Kompania “Pastrimi”, thotë se ata do t’i nxjerrin borxhet për ata klientë që nuk i kryejnë obligimet ndaj kësaj kompanie, përmes përmbaruesit privat.

“Kompania “Pastrimi’, të vetmen formë për inkasim e ka nxjerrjen e borxheve përmes Përmbaruesit Privat, për ata klientë që nuk i kryejnë obligimet që kanë ndaj Kompanisë “Pastrimi”, Sh.a-Prishtinë”, ka thënë Ademi.

Borxhe edhe drejtorit e komunave

Përpos qytetarëve duket se me borxhe ndaj këtyre ndërmarrjeve nuk qëndrojnë mirë as institucionet shtetërore dhe drejtoritë nëpër komuna.

Nga “Termokos”, thonë se një shumë të konsiderueshme të borxhit të pa paguar të ngrohjes ka edhe Drejtorati i Arsimit i Komunës së Prishtinës.

“Një shumë të konsiderueshme të borxhit për faturat e papaguara të ngrohjes e ka Drejtorati i Arsimit i Komunës së Prishtinës, me të cilin jemi në procedurë gjyqësore për të arkëtuar këtë borxh.”

Kompania “Pastrimi”, borxhet me vlera më të larta që kanë Institucionet Shtetërore do t’i kthej përmes procedurës së përmbaruesit privat.

“Ka nga ato Institucione shtetërore të cilat kanë borxhe me vlera me të larta, mirëpo është procedura e përmbaruesit privat, apo qoftë me marrëveshje për riprogramim të borxhit.”

Ndryshe për faljen e borxheve janë 465 milionë euro që do të falen ndaj ndërmarrjeve publike, rreth 148 milionë borxh ndaj ATK-së, rreth 6 milionë borxh ndaj Doganës së Kosovës, dhe rreth 57 milionë borxh ndaj tatimit në pronë, deri sa shuma totale e faljes shkon në 680 milionë euro. (Arjeta Shabani) /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/termokosi-e-pastrimi-gati-per-dimer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala