Tenderi skandaloz me municionin e FSK-së

Autori:Agon Sinanaj

fsk-ushtrimi-edhe

Kompania e shenjëtarisë “Katana” vazhdon t’i marrë të gjithë tenderët në Ministrinë e Forcës së Sigurisë. Edhe në rastet kur shkelen rëndë procedurat e prokurimit publik.

E themeluar nga kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi, “Katana”, sikurse edhe herëve të kaluara, është shpërblyer me kontratë në tenderin e fundit për “Furnizim me Municion për nevojat e FSK-së“.

Por kësaj here, duket se për hatër të “Katanës”, Ministria e Forcës së Sigurisë bëri shkelje të rënda të Ligjit të Prokurimit Publik.

Kjo kompani ishte më e shtrenjtë për 422 mijë euro sesa kompania që u ankua, “Lenti & Fiocchi Munizioni”.

Përveç kësaj, Ministria që udhëhiqet nga Haki Demolli, sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, në këtë rast, tejkaloi edhe buxhetin e planifikuar për tenderin në tërësi.

“Disponueshmërinë e fondeve e ka pas Autoriteti Kontraktues të planifikuar 2,220,000.00 euro, ndërsa kanë shpall fitues operatorin ekonomik me vlerë 2.321.000.00 euro, është tejkaluar buxheti për 99 mijë euro”, thuhet në raportin e OSHP-së.

Ministria e Forcës së Sigurisë e kishte eliminuar krejtësisht nga tenderi kompaninë ankuese, edhe pse ishte më e lirë në çmim për gati gjysmë milioni euro, krahasuar me kompaninë që u shpërblye me kontratë.

Pa shkeljeve të konstatuara, ekspertët e OSHP-së e anuluan krejtësisht këtë tender.

Shkeljet e MFSK-së

Sipas OSHP-së, ky dallim në çmim në mes ofertave të operatorit të eliminuar dhe atij të rekomanduar për kontratë, si dhe tejkalimi i buxhetit të planifikuar, paraqet shkelje të nenit 60 të LPP-së.

Arsyetimi i kësaj ministrie lidhur me eliminimin nga gara të operatorit ankues, ka të bëjë me atë se njëri anëtar i konsorciumit nuk ka qenë i regjistruar në platformën elektronike në rastin e hapjes së ofertave. Si pasojë, nuk është vlerësuar fare oferta e tij.

Por OSHP gjeti se nuk qëndron ky konstatim i Ministrisë së Forcës së Sigurisë.

“Lidhur me ketë çështje paneli shqyrtues sqaron se në dosje të tenderit dhe as tek njoftimi për kontratë nuk ka qenë kërkesë e autoritetit kontraktues që operatorët ekonomik ofertues duhet të jenë të regjistruar në platformën elektronike. Po ashtu anëtari i konsorciumit “Fiocchi Munizioni” rezulton të jetë regjistruar menjëherë pas hapjes së ofertave pra në ora 14:58 minuta ndërsa hapja e ofertave është bërë në ora 14”00 dhe gjatë ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të ofertave nuk ka mundur të ndikojë fare ky regjistrim i anëtarit të konsorciumit 58 minuta pas hapjes së ofertave”, vlerëson OSHP.

Paneli shqyrtues i OSHP-së kështu konstatoi se kjo arsye nuk qëndron fare për tu eliminuar një operator ekonomik.

Për me tepër që në rastin konkret kemi të bëjmë me një çmim të ofruar nga konsorciumi ankues më të lirë prej 422 mijë euro.

“Në këtë rast autoriteti kontraktues është dashur të këtë parasysh qëllimin e LPP-së siç parashihet në nenin 1 dhe ekonomicitetin dhe efikasitetin që parashihet në nenin 6 të LPP-së, pasi që diferenca ndërmjet operatorit të rekomanduar për kontratë me ofertën e konsorciumit ankues është prej 422 mijë euro”, është vlerësimi i OSHP-së.

Historiku i “Katanës” me tenderët për FSK-në

Poligoni i shenjëtarisë “Katana”, me bazë në Obiliq, ka një historik mjaft të bujshëm me tendert për FSK-në.

Edhe në të kaluarën e njëjta kompani kishte përfituar miliona euro nga tenderët e FSK-së, për furnizim me municione.

Në vitin 2015 vlera e kontratës ishte  438 mijë euro kurse për vitin fiskal 2016 vlera e kontratës arriti në 1 milion euro.

Mediat patën raportuar për “miqësinë” mes drejtuesve të FSK-së dhe biznesit “Katana” gjatë mandatit të Agim Çekut si ministër.

Mediat patën raportuar se themeluesi i “Katanës”,  tani kryetar i Obliqit Xhafer Gashi, kishte qenë përgjegjës për sigurinë e Agim Çekut në kohën kur ai ishte kryeministër.

Një  njësi e Poligonit “Katana” , saktësisht Institutit për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve ka qenë i udhëhequr nga ish-zëvendësministri i FSK-së Bejtush Gashin.

Ish zëvendësministri Gashi në biografinë e tij shkruan se ai aty ishte drejtor  nga viti 2007-2011.

Kështu “Katana” gjatë mandatit të Agimin Çekut si ministër i FSK-së për dy vite rresht ( 2013- 2014) shpërblehet me dy tender. Në të dy rastet FSK negocioi për tenderin, pa qenë tenderi i hapur.

Tenderi i parë për furnizimin me uniforma peshonte  1.2 milionë euro. Kurse tenderi për blerja e tri autoblindave të blinduara kishte vlerën 1 milionë  e 490 mijë euro. /Gazeta Fjala/

katanaaaaa

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/tenderi-skandaloz-me-municionin-e-fsk-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala