Tenderët e fshehtë të shtetit

Autori:Zekirja Shabani

tender

Bartësit e institucioneve kosovare nuk kanë fort qejfë të tregojnë se si i shpenzojnë paratë publike.

Bile edhe shpalljen e tenderëve mundohen ta bëjnë tinëz.

Një raport i Institutit Demokrtik të Kosovës dhe Transparency International vlerëson se shpenzimet e fondeve publike përmes prokurimit publik në Kosovë janë në masë të madhe të mbyllura për publikun. Bile mbi to nuk ka mbikëqyrje të duhur as nga shoqëria civile dhe as nga mediat.

Në njëfarë forme, sipas këtij raporti qeveritarët i shpenzojnë paratë e taksapaguesve siç ua don qefi dhe nukjapin llogari fare.

Në Indeksin e Transparencës në Pokurimin Publik thuhet se numri më i madh i departamenteve qeveritare nuk publikojnë në ueb faqet e tyre njoftime për kontratë apo njoftime për dhënie të kontratës.

Përmes këtyre dy dokumenteve qytetarët, mediat apo edhe të interesuarit e tjerë mund të shohin se kur një institucion ka shpallur një tender dhe kush janë fituesit e tyre.

“Nga 653 njoftime të tenderëve të publikuar në ueb faqen e KRPP-së, vetëm 83 prej tyre janë publikuar edhe në ueb faqet e ministrive apo në përqindje vetëm 11% e tenderëve janë publikuar edhe në ueb faqet e ministrive përkatëse. Kjo shifër madje ia kalon edhe mos transparencës së komunave të Kosovës, të cilat kanë publikuar 31 % të tenderëve edhe në ueb faqet e tyre”, thuhet në raport.

Këto 83 njoftime për kontratë janë publikuar nga tre ministri të vetme dhe atë kryesisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e cila ka publikuar 62 njoftime për kontratë në ueb faqen e saj. Pas saj renditet Ministria e Drejtësisë me 19 njoftime për kontratë dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës me dy njoftime për kontratë.

Dikasteret tjera qeveritare (16), së bashku edhe me ZKM-në, nuk kanë publikuar as një njoftim për tender në ueb faqet e tyre.

Përqindje e ngjashme e mos publikimit të dokumenteve është edhe në publikimin e njoftimit për dhënien e kontratave (apo njoftimin për fituesit e tenderit).

“Nga 776 njoftime për dhënie të kontratës që janë publikuar në ueb faqen e KRPP-së, vetëm 63 të tilla janë publikuar edhe në ueb faqet e ministrive. Publikimi i njoftimeve për dhënie të kontratës është dukshëm më i ulët dhe arrijnë në vetëm 8% të numrit të përgjithshëm të tenderëve të publikuar në ueb faqe të ministrive”, thuhet në raportin e KDI.

Institucionet jo transparente

Raporti përshkruan edhetransparencën e institucioneve kosovare në buxhetin e tyre.

“Të gjitha ministritë e Qeverisë së Kosovës ZKM, me përjashtim të Ministrisë së Drejtësisë, kanë ushtruar transparencë shumë të ulët buxhetore. Këtyre ministrive u kanë munguar të dhënat elementare buxhetore në ueb faqe, madje mund të thuhet se ueb faqet e ministrive nuk përmbajnë kurrfarë të dhënash financiare. Ministrive u kanë munguar dokumentet si buxheti, raporti financiar, raporti auditimit, plani i prokurimit, konsultimi i publikut për buxhetin”, thuhet në raport.

Nga 19 ministri të monitoruara, përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, raporti konstaton se vetëm dy  ministri kanë pasur një shkallë relativisht të mirë të transparencës në financa dhe prokurim publik. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Drejtësisë kanë publikuar të dhëna për prokurimin publik në ueb faqet e tyre.

Në fakt Ministria e Drejtësisë e ka publikuar raporte të detajuara financiare javore dhe përkundër disa mungesave të herëpashershme të këtyre raporteve, kjo është një praktikë që duhet vlerësuar dhe e cila do të duhej t’i shërbente si praktikë të gjithë kabinetit qeveritarë. Sidoqoftë, asnjë ministri e kabinetit qeveritar nuk ka qenë mjaftueshëm transparente, bazuar në 23 indikatorët secila prej tyre ka pasur shumë mungesa në publikimin e dokumenteve.

Të gjeturat e raportit

Qasja në dokumente publike

Institucionet e Kosovës për vitin 2014, kanë pasur një numër shumë të vogël të kërkesave për qasje në dokumente publike. Ky numër i dokumenteve është edhe më i vogël tek kërkesat për dokumente të cilat lidhen me prokurimin publik. Kjo tregon se mediat, shoqëria civile dhe qytetarët gjejnë forma të tjera për të marr dokumente zyrtare dhe nuk preferojnë qasjen përmes kërkesave formale. Për këtë duket se më së shumti ka shërbyer burokracia dhe vonesa në kthimin e përgjigjeve.

Transparenca buxhetore

Të gjitha ministritë e Qeverisë së Kosovës ZKM, me përjashtim të Ministrisë së Drejtësisë, kanë ushtruar transparencë shumë të ulët buxhetore. Këtyre ministrive u kanë munguar të dhënat elementare buxhetore në ueb faqe, madje mund të thuhet se ueb faqet e ministrive nuk përmbajnë kurrfarë të dhënash financiare. Ministrive u kanë munguar dokumentet si buxheti, raporti financiar, raporti auditimit, plani i prokurimit, konsultimi i publikut për buxhetin.

Transparenca në tenderim

Numri më i madh i departamenteve qeveritare nuk publikojnë në ueb faqet e tyre njoftime për kontratë apo njoftime për dhënie të kontratës. Përmes këtyre dy dokumenteve qytetarët, mediat apo edhe të interesuarit e tjerë mund të shohin se kur një institucion ka shpallur një tender dhe kush janë fituesit e tyre.

Ankandet publike

Ankandet ngjashëm me procedurat tjera të prokurimit përcillen me transparencë shumë të ulët, si në njoftime për ankande ashtu edhe për njoftimin në lidhje me fituesit e këtyre ankandeve.

Ankesat në OSHP

Prokurimi elektronik në Kosovë do të ndikonte që rreth 90% e këtyre ankesave të mos ekzistonin fare, për shkak se do të shmangte problemet e tilla si vlerësimi i gabuar i ofertave, qasja në dokumente zyrtare dhe do të shmangte kontaktin e drejtpërdrejtë në mes zyrtarëve të prokurimit dhe operatorëve ekonomik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/tenderet-e-fshehte-te-shtetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala