Superanaliza: Nafta në Kosovë është jocilësore

Autori:Agon Sinanaj

Derivatet-e-naftës-Ilustrim-620x358

Nafta që hynë në Kosovë është jo cilësore dhe jashtë çdo standardi. Kjo tashme është konfirmuar edhe nga superanaliza e iniciuar nga Dogana e Kosovës dhe e kryer nga laborator vendor e ndërkombëtar.

Në fakt, prej 20 maunave sa i ndali Dogana në pikën kufitare në Vërmicë këtë muaj, asnjëra nuk doli në rregull, shkruan Gazeta Fjala. Pas rezultateve të analizave, shumë prej këtyre maunave Dogana i ka kthyer prapa.

Kjo është sasia më e madhe e naftës e bllokuar ndonjëherë dhe vjen pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që kontrolli i naftës të bëhet edhe në kufi, e jo siç ka qenë deri tash, ku mostrat janë marrë vetëm nëpër pikat e shitjes.

Gazeta Fjala pati shkruar se Dogana ka dërguar disa mostra për superanalizë në laboratorë vendor e të huaj. Por rezultatet dolën shokuese. Gati asnjëra prej maunave nuk kishte naftë cilësore dhe në bazë të standardeve.

Zëdhënësi për media në Doganat e Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se shumë nga maunat që janë bllokuar janë kthyer prapa, për shkak të cilësisë së dobët të naftës.

“Siç ju kemi theksuar edhe më herët Dogana në rastet kur dallimet kanë qenë minimale Dogana ka dërguar mostrat për superanaliza derisa në disa raste edhe superanaliza ka konfirmuar jo-konfirmitetin e këtyre dërgesave të cilat janë kthyer prapa”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Sipas Stavilecit, Dogana ka vendosur një sistem të kontrollit i cili është bazuar në sistemin e riskut dhe që deri tani ka treguar rezultate të mira.

Tash e tutje kontrolli i cilësisë së naftës i ka kaluar Doganës dhe do të kryhet në kufi, e jo siç ka qenë deri më tani nëpër pikat e naftës nëpër Kosovë.

Berjani fajëson importuesit

Rezultatet e analizave i ka konfirmuar për Gazetën Fjala edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

“Me rastin e kontrollimit të cilësisë të karburanteve janë bllokuar mbi 30 maune nga Dogana e Kosovës. Për kontrollimin e cilësisë janë marr mostrat dhe janë dërguar në laboratorin e Doganës dhe dy laborator tjerë vendor të autorizuar nga MTI-ja Sierra Lab dhe Kosova Lab, ku kanë dal mbi 20 mostra (testime) jo konform rregullave”, ka konfirmuar Berjani për Gazetën Fjala.

Kryetari i naftëtarëve thotë se Dogana ka kryer punë të mirë dhe ka hedhur fajin tek importuesit që po fusin naftë jo cilësore në Kosovë.

Sipas tij, sikur kjo sasi e naftës që ka dal jo cilësore të kishte hyrë në Kosovë, do të ishte shpërndarë nëpër pikat e shitjes, ku me rastin e monitorimit nga MTI pikat e shitjes do të gjobiteshin me nga 10 mijë euro, pa fajin e tyre.

“Kjo i bie që derivatet nuk po përzihen në pika karburantit, por po importohet naftë jocilësore”, ka thënë Berjani, duke e hedhur fajin tek importuesit.

 Importuesit mirëpresin aksionin e Doganave

Ndërkohë Gazeta Fjala ka kontaktuar me disa prej importuesve në Kosovë, lidhur me aksionin e fundit të Doganave.

Disa e mirëpresin punën e Doganave, por ka edhe prej tyre që dyshojnë në profesionalizmin e tyre.

Ibrahim Bucaliu nga “HIB Petrol”, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar që të ketë kontroll të cilësisë.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të vendoset kontrolli në sektorin e naftës. Shpresojmë që kësaj radhe të funksionojë”, ka thënë Bucaliu.

Ajo që duhet të bëhet me urgjencë për sektorin është miratimi i Ligjit për naftën, i cili për Bucaliun po neglizhohet për shkak të disa interesave personale, qoftë të naftëtarëve, qoftë nga politika. Këtu Bucaliu ka përmendur kreun e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjanin, për të cilin thotë se nuk i përfaqëson as 10 për qind të naftëtarëve.

“Shoqata e naftëtarëve me kryetarin e saj janë bërë pengesë për reforma në sektor”, ka thënë Bucaliu.

Ndërkaq Raif Gashi nga “Lab Oil” e ka quajtur procedurë deri diku normale aksionin e Doganave, por ka thënë se dyshon në profesionalizmin e tyre. /Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/superanaliza-nafta-ne-kosove-eshte-jocilesore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala