Studentëve kosovarë mund të mos u njihen diplomat

Autori:Arjeta Shabani

diplome-0828_1472389488-8204535

Studentët kosovarë, përveç që nuk mund të lëvizin pa viza, tani atyre rrezikojnë të mos u njihen edhe diplomat në vendet Bashkimit Evropian.

I tërë mundi gjatë studimeve mund t’u shkojë dëm, shkruan Infokusi.com.

Krejt kjo pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Shkarkimi i Bordit të AKA-së dhe ushtruesit të detyrës nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi me kërkesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj nga EQAR u vlerësuar si shkelje e standardit të pavarësisë institucionale.

Kërkesa e Kryeministrit për shkarkim të Bordit erdhi me arsyetimin se procesi i akreditimit në arsimin e lartë është përcjellë me parregullsi serioze, ndërsa kishte kërkuar nga ministri që procesi i ri të rezultojë me përzgjedhjen e njerëzve me ekspertizë të duhur në sektorin e arsimit, etike dhe profesionale.

“Procesi i Akreditimit të Arsimit të lartë është zhvilluar deri më tani me parregullsi serioze duke e shndërruar këtë proces në objekt të shpeshtë të diskutimit publik. Këto parregullsi fatkeqësisht  kanë sjellë edhe raste të ndjekjeve ligjore dhe procese gjyqësore”, thuhej në kërkesën e Haradinajt drejtuar Bytyqit.

Por, dështimi i Ministrit që të japë prova për “parregullësit” gjatë akreditimit e “mospërmbushje të detyrimeve”, ndikuan që AKA-ja të mbetet jashtë këtij Institucioni të Arsimit të Lartë, shkruan Infokusi.com.

Në komunikatën zyrtare të EQAR thuhet se ministri ka dështuar të ofrojë prova për “mospërmbushje të detyrimeve” dhe “parregullsi” të bordit të shkarkuar, duke u thirrur në të “dhëna konfidenciale” të kryeministrit për “parregullsi” të disa anëtarëve të Bordit të AKA.

E përjashtimi i AKA-së nga EQRA sipas njohësve të arsimit ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së politikës në arsim. E fajin për këtë thuajse të gjithë poi a lënë Kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan Infokusi. com.

Pupovci: Studentët do të “luftojnë” për njohjen e diplomave

Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim e Kosovës ka thënë se vendimi për shkarkim të menjëhershëm të të gjithë zyrtarëve të lartë të AKA-së, pak javë pas marrjes së mandatit të qeverisë së re pa asnjë arsyetim, nuk ka pasur si të kuptohet ndryshe përveç si ndërhyrje politike.

Pupovci ka deklaruar se përveç vizave studentët tani do të kenë edhe një sfidë tjetër- të “luftojnë” për njohjen e diplomave, shkruan Infokusi.

“Mesazhi që ju ka shkuar vendeve evropiane është se në arsimin e lartë të Kosovës nuk ka një proces të besueshëm të akreditimit, prandaj diplomat e fituara duhet të shihen me dyshim. Nuk është se, edhe më herët, nuk kanë pasur arsye të dyshojnë në cilësinë e diplomave të Kosovës, por tani ky dyshim është legjitimuar me një vendim zyrtar të një institucioni evropian”, ka shkruar Pupovci në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Ndërsa profesori Rrahman Paçarizi ka shkruar se pas këtij lajmi nuk na duhet as liberalizimi.

Rrahmani ka thënë se diplomat e Kosovës mund të mos njihen, e si pasojë do të mbetemi vetëm me diploma lokale, shkruan Infokusi.com.

“Pas ketij lajmi nuk na vyn as liberalizimi. Perjashtimi nga EQAR do me thene se nuk ka me pase eksperte dhe mbeshtetje nga ENQA. Gjithashtu, Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk do te jete e listuar ne Regjistrin Europian per Sigurimin e Cilesise EQAR. Rrjedhimisht diplomat e Kosoves mund te mos njihen. Per pasoje kemi me pase diploma lokale. Nashta e meritojme. Kemi bo shume hajgare me arsimin…”, ka shkruar Rrahmani në Facebook.

Orca kërkon llogari nga Haradinaj për Agjencinë e Akreditimit

Për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR ), nga Kryeministri ka kërkuar llogari edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

“ORCA është jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimin e European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR) e cila ka vendosur ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim për shkak të shkeljes së standardit të pavarësisë institucionale”, thuhet në njoftimin e ORCA-së të publikuar në faqen zyrtare të kësaj organizate, shkruan Infokusi.

Në këtë njoftim thuhet se ORCA në kohën e shkarkimit të bordit pati kërkuar nga Kryeministri i Republikës sqarim publik për një javë rresht, por asnjë përgjigje nuk është dhënë as nga kryeministri e as nga vartësit e vet. Kjo organizatë kërkon që tani Kryeministri t’i bëjë publike arsyet e edhe të dhënat që i kishte konsideruar konfidenciale për shkarkimin e bordit.

“Tani që Kosova ka filluar të pësojë nga vendimet e tij të pamenduara, ORCA mendon se është koha që kryeministri t’i bëjë publike të “dhënat konfidenciale” për veprimtaritë e mundshme ilegale të disa ish-anëtarëve të Bordit të AKA, ose të jap llogari institucionale për këtë degradim të Kosovës në arenën ndërkombëtare.”

Më tej ORCA i ka bërë thirrje edhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në krye me Shyqyri Bytyqit që ta kthejë AKA-në në këtë organizatë.

“ORCA i bënë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë MAShT që në afatin prej 90 ditësh për ankesë, ta bëjë të pamundurën që AKA të kthehet në EQAR duke garantuar për pavarësinë e institucionit”, thuhet në reagimin e ORCA-së.

Hoti: Përjashtimi nga EQAR, goditje për Kosovën

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, përjashtimin e AKA-së e ka quajtur si goditje për Kosovën. Hoti thotë se deri te përjashtimi erdhi pas shkarkimit jo ligjor të Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ana e Ministrit të Arsimit.

“Kjo është goditje për Kosovën. Kjo ka qenë arsyeja e mocionit që kemi ngritur në Kuvendin e Kosovës që pika për emërimin e anëtarëve të rinj të Agjencisë Kosovare të Akreditimit të shtyhet derisa Ministri i Arsimit nuk e informon Kuvendin e Kosovës për arsyet e shkarkimit”, ka shkruar Hoti në Facebook, shkruan Infokusi.

Më tej Hoti ka thënë se për aq kohë sa kemi këtë qeveri, Kosova jo që nuk do të integrohet, por do të largohet nga Bashkimi Evropian.

“Është bërë shumë mund për të përmbushur standardet për anëtarësim në këtë organizatë. Ndërkaq, me një vendim të papërgjegjshëm dhe me ndërhyrje politike, kthehemi me vite prapa”, përfundon statusi i Hotit.

Ndryshe, European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR) është organizatë evropiane e institucioneve akredituese e cila shqyrton si organ i jashtëm sigurimin e cilësisë nga këto institucione. Kosova ka qenë një ndër pak vendet e rajonit që ka qenë pjesë e kësaj organizate. (Arjeta Shabani)/INFOKUSI/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/studenteve-kosovare-mund-te-mos-u-njihen-diplomat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala