SMS’të shqetësues: Të lutem më voto mua

Autori:Gazeta Fjala

Text message received on a mobile phone

“Ku e gjet bash numrin tem”, pyet Vetoni derisa lexon mesazhin e pranuar nga një kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Deri të hënën nuk kishte asnjë kontakt me të, ndërsa nuk befasohet nga porosia që i ka shkruar.

“Na lodhën tu lyp vota”, thotë ai me shpërfillje.

Vetoni duket se nuk është i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset nga keqpërdorimi i të dhënave personale.

Por, me qindra qytetarë të tjerë që kanë pranuar mesazhe të tilla kanë ngritur shqetësimin se po u shkelet privatësia dhe në agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDHP).

Sipas këtij institucioni ato cilësohen të bezdisshme dhe shqetësuese, meqenëse këto subjekte nuk e kanë marrë paraprakisht pëlqimin e tyre për ti adresuar porosi apo thirrje të karakterit promovues.

“Kjo ndodhë kryesisht nga mungesa e njohurive të përpunuesve të te dhënave personale rreth trajtimit adekuat të tyre sipas dispozitave ligjore, por ka edhe raste që del si rrjedhojë e mosrespektimit të qëllimshëm të ligjit” thuhet në përgjigjen e ASHMDHP-së dhënë Gazetës Fjala.

Partitë politike në bazë të ligjit shkelin privatësinë e qytetarëve kryesisht gjatë përpunimit të paligjshëm të të dhënave në fushat, si: marketingu i drejtpërdrejtë, vëzhgimi me kamera, përpunimi i të dhënave pa pëlqimin e subjektit të të dhënave, përpunimi i të dhënave personale përmes rrjeteve sociale, e përpunimi i kundërligjshëm i të dhënave biometrike.

Edhe forma e shqetësimit të qytetarëve me mesazhe telefonike del të jetë e paligjshme, në bazë të sqarimeve të kompetentëve.

Për t’u konsideruar i ligjshëm aplikimi i këtij lloji të promovimit politik, në ASHMDHP thonë se subjektet politike, në kuadër të thirrjeve telefonike apo porosive me SMS ose me email, duhet të përfshijnë një tekst, brenda të cilit ofrohen të dhëna kontaktuese të atij subjekti politik, ku qytetari do të mund të shprehte mospëlqimin për të pranuar porosi të tilla në të ardhmen.

Por, një gjë e tillë deri më tani thuhet të mos ketë ndodhur dhe qytetarët nuk kanë zgjidhje tjetër përveç ankesave.

Gjatë vitit 2015 janë paraqitur 131 ankesa, në  viti 2016 janë paraqitur 120 ankesa, ndërkaq për shkak të mos njohurisë së qytetarëve lidhur me keqpërdorimin e të dhënave personale të tyre nuk ka pasur asnjë ankesë gjatë këtij viti.

Por gjatë këtyre ditëve të fushatës pritet të fillojnë edhe ankesat e kësaj natyre thonë në ASHMDHP.

E në rast se vërtetohet shkelja e ligjit nga ata që shqetësojnë qytetarët subjektet politike mund të gjobiten deri në 10 mijë euro.

Megjithatë në praktikë numri i gjobave të shqiptuara nga gjykata kompetente, sipas padive të ngritura nga Agjencia, vazhdon të mbetet i vogël.

Veç kësaj, një numër i këtyre padive ende mbetet në shqyrtim e sipër nga gjykata, pavarësisht se të njëjtat janë parashtruar para më shumë se një viti.

“Megjithëkëtë, vlen të përmendet, se deri sot, ka pasur raste kur kontrollues të të dhënave personale janë gjobitur nga gjykata kompetente, sipas padisë së Agjencisë, vlera maksimale e të cilave ka qenë €10.000”, thonë në këtë institucion.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me rastin e konstatimit të shkeljes së të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia parashtron padi ndaj shkelësit në gjykatën kompetente. Aktualisht ky ligj është duke u amandamentuar dhe ndryshimet ligjore parashohin që Agjencisë t’i jepet e drejta për të shqiptuar gjoba ndaj shkelësve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Presim që kjo të ndikojë në fuqizimin e autoritetit tonë dhe njëkohësisht të ndikojë në ndërgjegjësimin e kontrolluesve të të dhënave personale që të jenë më të kujdesshëm në respektimin e të drejtës së qytetarëve për privatësi.

Ky Agjencion ka dalë edhe me një udhëzues për subjektet politike në mënyrë që t’i vetëdisoj lidhur me komunikimin me qytetarët. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/smste-shqetesues-te-lutem-me-voto-mua/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala