Shtohet numri i të sëmurëve psikikë në Kosovë

Autori:Gazeta Fjala

qm

Po të mos ndihmohej nga disa kalimtarë, A.A nga Podujeva as nuk mund ta imagjinoj se si do të shpëtonte nga duart e një të sëmure psikike në këtë qytet.

Ajo kujton më të keqën që mund ti ndodhte në ditën kur në qendrën e këtij qyteti dhe ishte sulmuar nga një e sëmurë psikike që zakonisht endet pa u penguar nga askush.

“Jam kanë tu ec qendrës, edhe veç më pat ndal F…, edhe pat fillu me më sulmu e më ofendojke rëndë. Në atë kohë andej ka pas kalimtarë, edhe më patën ndihmu; dy burra e patën largu”, tregon A.A për Gazetën Fjala.

Edhe sot e kësaj dite, ajo ndihet në siklet kur e kujton këtë rast dhe thotë se tashmë nuk guxon që t’i lë të vetëm fëmijët e saj që të enden në qytet.

Ka frikë se edhe atyre mund tu ndodh i njëjti rast.

“S’mundem me harru atë ditë kurrë. Ky rast ka ndiku që unë as fëmijët e mi nuk guxoi me i lan me dal vet”, vazhdon ajo tregimin për ngjarjen që i kishte ndodhur.

Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm.

Në Komunën e Podujevës, qytetarët sulmohen dhe ofendohen shumë shpesh, ndërsa në institucionet përgjegjëse lokale thonë se nuk janë në dijeni për këto raste.

Zëdhënësi për media i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi ka thënë për Gazetën Fjala, se nuk kanë informata se këta persona po i rrezikojnë qytetarët.

“Këta persona janë qytetarë të lirë të cilët lëvizin lirshëm dhe nuk kemi informata që të njëjtit kanë rrezikuar komunitetin”, ka thënë Elezi.

Elezi thotë se në Podujevë funksionon Qendra e Shëndetit Mendor, e cila bën trajtimin ditor për të sëmurët mendorë, qendër kjo e cila administrohet drejtpërdrejt nga Ministria e Shëndetësisë.

Por, qytetarët thonë se gjatë gjithë ditës këta individë enden nëpër qytet.

“Në këtë qendër trajtohen pacientët me sëmundje të ndryshme mendore, të diagnostikuar me skizofreni, depresion, epilepsi etj. Në Qendrën  e Shëndetit Mendor janë të regjistruar 130 pacientë me sëmundje të ndryshme”, ka thënë Elezi për gazetën.

Ai thotë se kjo qendër përkrahet në forma të ndryshme për punët e përbashkëta në lidhje me trajtimin e kësaj kategorie.

Rritet numri i të sëmurëve psikikë në Ferizaj

Problemin e njëjtë me Komunën e Podujevës, e ka edhe ajo e Ferizajt.

Madje zyrtarë të kësaj komune thonë se numri i personave më probleme psikike po shënon rritje nga viti në vit në këtë komunë.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën  e Ferizajt, Burim Karameta ka thënë për Gazetën Fjala, se numri i individëve me çrregullime mendore është i madh.

“Duke u bazuar nga statistikat që nga viti 2001 ku ka filluar edhe trajtimet e para  Qendra e Shërbimit Profesional për Shëndet Mendor në Ferizaj deri më tani ekziston një numër i madh i individëve me çrregullime mendore por që numri i klientëve  fatkeqësisht  është në rritje nga viti në  vit, një numër të tillë zyrtarë mund ta merrni në këtë institucion”, ka thënë Karameta.

Edhe në Ferizaj ekziston Qendra e Shërbimit Profesional për Shëndet Mendor e cila iu mundëson trajtim këtyre individëve në nevojë me seanca këshilluese, diagnostifikim, rehabilitim, trajtim dhe terapi të tjera me të cilat pajisen pacientët.

Se këta individë sillen lirshëm nëpër qytet dhe sulmojnë e ofendojnë qytetarët, këtë e thotë edhe vet Karameta ndërsa tregon se ka raste kur këta individë dërgohen në stacion policor për shkak të veprimeve ndaj qytetarëve.

“Është e dukshme që në komunën tonë disa nga indivitët me të tilla çrregullime bredhin nëpër rrugë dhe sulmojnë apo ofendojnë qytetarët në Ferizaj dhe ka raste kur ata   dërgohen edhe në Stacionin Policor mirëpo evidencën e këtyre rasteve dhe numër më konkret e ka Policia e Kosovës”, ka thënë Karameta për Gazetën Fjala.

Edhe pse Gazeta Fjala ka provuar të marrë të dhëna se sa është numri i rasteve që janë raportuar nga qytetarët se janë sulmuar, identifikim e tyre po e ka problem edhe Policia e Kosovës.

“Policia i evidenton rastet/incidentet bazuar në Kodin Penal dhe ligjet tjera. Pra, lidhur me interesimin tuaj, për kategorinë e personave të cilëve ju u referoheni,  është e vështirë të thuhet se në sa raste dhe në çfarë raste  të jenë të përfshirë”, thuhet në përgjigjet e Policisë për gazetën.

Avokati i Popullit: S’ka përmirësime në cilësinë e jetës të personave me çrregullime mendore

Për këta individë ditë më parë kishte reaguar edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili kishte thënë se nuk ka përmirësime në cilësinë e jetës të personave me çrregullime mendore, dhe për shkak të trajtimit jo adekuat të tyre nga ana e institucioneve relevante, ka ardhur te shtimi i sjelljeve dhe veprimeve të kundërligjshme që shpesh kanë rezultuar me gjendje shëndetësore të përkeqësuar të këtyre pacientëve, por me rrezikim të sigurisë dhe pasurisë së qytetarëve.

Më tej, Avokati i Popullit, kishte konstatuar se institucionet relevante kompetente nuk janë në nivelin e përgjegjësisë së kërkuar, lidhur me ndërmarrjen e obligimeve pozitive për trajtimin e personave me çrregullime të rënda mendore, e që do të rezultonte me ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë nga veprimet e pa përgjegjshme të personave me çrregullime të rënda të shëndetit mendor. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/shtohet-numri-i-te-semureve-psikike-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala