Shteti ndal përdorimin e thëngjillit me “Policë të Gjelbër”

Autori:Gazeta Fjala

hahaha

Nga viti i ardhshëm asnjë shkollë në Kosovë, nuk do të përdorë thëngjillin për ngrohje. Policë të posaçëm do të kujdesen që ky endim të zbatohet. Ndërsa ngrohja nga lënda e vetme djegëse që Kosova ka me bollëk, thëngjilli do të zëvendësohet me dru të thatë, gaz dhe panele diellore.

Së paku kështu thonë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për Gazetën Fjala.

“Jemi në përgatitje të ligjit ku do të kërkojmë ndërprerjen e thëngjillit në shkolla. Do të ndalojmë përdorimin e thëngjillit në disa biznese të vogla dhe do t’u japim një alternativë tjetër të nxemjes”, kishte deklaruar Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.

Ndërkaq, zëdhënësi i MMPH-së, Bajram Kadriu ka thënë se nga viti i ardhshëm do të ndalohet përdorimi i thëngjillit në shkolla, pasi që këto materie ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit.

Përveç kësaj, nuk do të lejohet thëngjilli as në autoservise e ofiqina.

“Qëllimi është që ne vitin pasues te ndalojmë plotësisht djegien e thëngjillit dhe format e mazutit apo materie te tjera që ndikojnë negativisht ne cilësinë e ajrit. Ndalesa do te ndodhe jo vetëm neper shkolla por edhe objekte te tjera, sidomos autoservise, ofiçina etj”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa për thëngjillin që tashmë veç është shpërndarë nëpër objekte mësimore, ai ka thënë që do të bëjnë përpjekje që përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të reduktohet ose të zëvendësohet me lëndë djegëse.

“Ne si MMPH jemi duke u përpjekur qe drutë e konfiskuara ne malet e Sharrit dhe ato nga Agjencia e pyjeve ti shfrytëzojmë për shpërndarje shkollave dhe pikave kryesore. Tanimë ne Deçan ju kemi shpërndarë një sasi”, ka thënë Kadriu për Gazetën Fjala.

Bajrami thotë se MMPH-ja, ka filluar me projekte që do të identifikojë burimet ndotëse nga djegiet në kryeqytet dhe qytete të tjera, dhe më pas do të kërkohet zëvendësimi i lëndës djegëse.

“Ka filluar pika e dyte e Planit i aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë se ajrit vjeshte dimër 2017-2018 te cilin si draft e gjeni ne ueb faqen e MMPH dhe AMMK. Kjo pike përfshinë themelimin e GP për hartimin e projektit te identifikimit te burimeve ndotëse nga djegiet ne Kryeqytet dhe qytete te tjera. Pas identifikimit te shkollave, hoteleve, banimeve kolektive e te gjitha formave te tjera, do te kërkohet zëvendësimi i lendes djegëse ose eshë ndalimi apo reduktimi i djegie”, ka deklaruar ai.

E për tu siguruar që ambienti do të jetë i pastër nga ndotja e thëngjillit apo mbeturinave tjera, ky institucion ka përmendur dhe ‘policët e gjelbër’, si masë për ta parandaluar ndotjen e mjedisit.

“Kemi plan që disa policë të Kosovës t’i shndërrojmë në policë të gjelbër, që do të kenë për detyrë të kujdesen për ambient”, pati thënë ministrja Reshitaj.

Një ide e tillë për krijimin e policësve të gjelbër, funksionin e të cilëve do ta kryenin veteranët e luftës, e pati propozuar Luan Hasanaj, nga Iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën”.

Qymyri do të zëvendësohet me burime alternative

E zëvendësues të thëngjillit do të jenë burimet alternative, si: druri i thatë , gazi dhe panelet diellorë.

Përdorimi i thëngjillit do të lejohet vetëm në vendet që plotësojnë normat e shkarkimeve ne ajër edhe pas djegies se thëngjillit.

“Përdorimi i thëngjillit mund te lejohet ne subjektet e ndryshme publike apo private ku janë me leje dhe qe posedojnë filtra përkatës. Ato kompani, familje apo operatore ekonomik qe plotësojnë normat e shkarkimeve ne ajër edhe pas djegies se thëngjillit, do te lejohen pa problem”, ka thënë zëdhënësi i MMPH-së për Gazetën Fjala.

Gazeta Fjala, ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Arsimit për të  mësuar nëse janë të gatshëm të zbatojnë vendimin e Ministrisë së Mjedisit por në këtë institucion kanë refuzuar të japin përgjigje.

Bllokada e qymyrit rrezikon prodhimin e rrymës në dimër

Një nga arsyet që Ministria e Mjedisti po mendon të reduktoj përdorimin e thëngjillit në shkolla e institucione tjera duket se është edhe ruajtja e rezervave të thëngjillit për të mos rrezikuar prodhimin e energjisë elektrik.

Për 14 muaj puna në zbulimin e qymyrit (heqjen e djerrinës) ishte ndalur për shkak të bllokimit tre vjeçar të shpronësimit të tokave të cilat janë në zonën e shpallur me interes të veçantë ekonomik nga Qeveria e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të KEK-ut, Skënder Bucolli, kjo kohë e humbur ishte e pa kompenzueshme duke pasur parasysh natyrën e punës dhe aspektet sezonale të operimeve në mihje, për shkak se dinamika e punës në djerrinë duhet zhvilluar kryesisht para fillimit të vjeshtës.

Kjo situatë e ka shtyrë edhe menaxhmentin e kësaj korporate që t’i ndërmarrë disa vendime të dhimbshme ndaj qytetarëve. Siç është ai për ndalimin e ngrohjes së amvisërive me thëngjill.

“Shkak i këtyre sfidave si dhe për faktin së MMPH-ja ka paralajmëruar ndalesën e ngrohjes së amvisërive me thëngjill, në këtë kohë nuk jemi në gjendje të ofrojmë ndonjë fushe brenda mihjes për dhënien e qymyrit për punëtorë me kompensim, siç ishte praktikuar deri tani”.

Ndërkaq, marrëveshja e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me banorët e Shipitullës për shpronësimin e tokave që pengojnë zgjerimin e mihjes së KEK-ut, duket se nuk do t’i sjellë menjëherë rezultatet. Kosova pritet të ketë probleme serioze me furnizim me energji elektrike, këtë dimër.

Përkundër deklaratave pompoze të kryeministrit, Korporata Energjetike e Kosovës gjendet para një problemi real.

Për shkak të neglizhencës disa vjeçare të institucioneve, mbi zonat me qymyr në fshatin Shipitullë dhe në lagjen Mirena në fshatin Hade të Komunës së Obiliqit, janë ndërtuar dhjetëra objekte të paligjshme.

Kjo po e vështirëson punën e ekskavatorëve të KEK-ut që të nxjerrin qymyr mjaftueshëm, por edhe për shkak se duhet kompensuar koha e humbur.

Bucolli ka paralajmëruar për Gazetën Fjala vështirësi në furnizim me qymyr gjatë këtij sezoni dimëror.

“Në këto momente KEK-u është duke luftuar më kohën për stabilizimin e masave të dheut para shirave dhe ngricave për zhvillime të mëtejmë të mihjes, si dhe për te siguruar qymyr të mjaftueshëm për operimin e dy termocentraleve gjatë sezonit të dimrit”, ka thënë Bucolli më herët për Gazetën Fjala. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/shteti-ndal-perdorimin-e-thengjillit-me-police-te-gjelber/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala