Shteti i “gjuhet në qafë” bizneseve të vogla

Autori:Gazeta Fjala

kuponi-tatimor

Administratës Tatimore të Kosovës siç duket po i vjen më lehtë të merret me bizneset e vogla, pasi që ajo po i pajisë me kuponë fiskal vetëm këto biznese, e po lë pas dore bizneset e mëdha.

Mirëpo, ky institucion nuk ia lë fajin vetes për këtë, duke arsyetuar se operimi i bizneseve pa arka fiskale po vjen si shkas i refuzimit të bizneseve për tu pajisur me këto arka për shkak të çmimit të lartë.

Faktin se bizneset e mëdha po mbesin pa arka fiskale, e ka deklaruar edhe Zyra e Auditorit në gjetjet për ATK-në.

Kjo zyrë ka gjetur se prej 333 bizneseve sa operojnë në Kosovë me derivate në gjithsej 539 pika të shitjes, vetëm 258 pika të shitjes apo 48 për qind janë të pajisura me arka fiskale.

Pra, 52 për qind, apo 281 pika tjera shitëse të derivateve operojnë pa arka fiskale.

“Sipas shënimeve të ATK-së, nr.i bizneseve në Kosovë që zhvillojnë tregti me derivate është 333, me gjithsej 539 pika të shitjes. Prej këtij numri me arka fiskale janë të pajisura 258 pika të shitjes, ose 48% e tyre, ndërsa 281 pika të shitjes, ose 52% edhe më tutje operojnë pa arka fiskale. Sipas ATK-së vështirësitë me të cilat janë ballafaquar në përmbushjen e kësaj objektive ishte refuzimi i bizneseve për tu pajisur me arkën fiskale për shkak të çmimit të lartë. Megjithatë, në vitin 2016 ishte licencuar edhe një operator për shitjen e Pajisjeve Elektronike Fiskale (PEF), dhe se kjo kishte ndikuar në uljen e çmimit dhe në rritjen e interesimit të bizneseve për të pajisur me PEF”, thuhet në raportin e Auditorit.

Demi: Shteti po vepron padrejtësisht

Mos lëshimi i kuponëve fiskal nga bizneset e mëdha, ka ngjallur edhe reagimin e Agron Demit nga Instituti GAP.

Demi thotë se hiq më larg se 150  metra nga ndërtesa qendrore e ATK-së, se ndodhen shitësit më të mëdhenj të telefonave mobil dhe asnjëri prej tyre nuk lëshon kupon fiskal.

Ai krahason bizneset dhe thotë se shteti po vepron padrejtësisht.

“Një pikë e karburanteve dhe një dyqan i telefonave mobil fiton dhjetëra herë më shumë, se sa për shembull krejt dyqanet e floktarëve në Lipjan, krejt kafiteritë në Gjilan e krejt prodhuesit e mjedrës në Podujevë, të cilëve u ra në qaf shteti së fundmi”, ka thënë Demi.

Sipas Demit, informaliteti e monopoli nuk luftohet duke u marrë vetëm me bizneseve të vogla, të cilat janë aq të dobëta sa nuk arrijnë as të korruptojnë një inspektor, sikurse që e bëjnë bizneset e mëdha.

“Shteti nuk duhet me vepru kaq padrejtësisht, ose si shkon ajo thënia popullore “për dikë me qenë nënë e për dikë njerkë”

ATK: Nuk ka mundësi të ketë asnjë shmangie tatimore

Për këtë reagim të Demit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), për Gazetën Fjala ka thënë se nuk ka mundësi të ketë asnjë shmangie tatimore.

“Në të gjitha këto subjekte të fiskalizuara nuk ka mundësi të ketë shmangie tatimore, pasi që të gjitha transaksionet regjistrohen për qëllime tatimore, pavarësisht faktit nëse qytetari e merr/kërkon kuponin fiskal ose jo. Legjislacioni tatimor i obligon të gjithë qytetaret që të kërkojnë kupon fiskal për të gjitha blerjet dhe shërbimet që realizohen me para të gatshme”, thuhet në përgjigjet e ATK-së për Gazetën Fjala.

Përfaqësues të kësaj administrate thonë se çdo herë kur kanë informata për mos fiskalizim të subjekteve të tregtisë me karburante, si dhe subjekteve tjera, ose kur qytetaret informojnë e për mos lëshim të kuponit fiskal, ATK menjëherë  ndërmerr veprime përkatëse ligjore ndaj të gjitha subjekteve që nuk respektojnë ligjin.

Mospërputhje në mes të hyrave të ATK-së dhe Thesarit

Duket se shmangia tatimore nuk është i vetmi problem në  ATK. Mospërputhja e të hyrave të ATK-së me Thesarin është problem tjetër.

Sipas të dhënave të auditorit, diferenca e të hyrave sipas Thesarit dhe sipas kontabilitetit të ATK-së është rreth 7 milionë euro.

“Zyrtarja e të hyrave nuk kishte bërë barazime të rregullta mujore, mirëpo barazimet me Thesarin ishin bërë në periudha tremujore dhe se në asnjë nga këto raporte të barazimeve nuk ishin dhënë shënime sqaruese sa i përket mosbarazimit ndërmjet kontabilitetit të ATK-së dhe të dhënave nga Thesari”

Sipas Thesarit, në fund vitit 2016 të hyrat ishin 386,385,187€, ndërsa sipas kontabilitetit të ATK-së të hyrat ishin 378,881,474€, me diferencë 7,503,713€.

Kjo diferencë rezulton nga vonesat e shkaktuara me rastin e procedimit të pagesave në kontabilitetin e ATK-së”, thuhet në raportin e Auditorit për Administratën Tatimore të Kosovës.

ATK-ja është treguar e ngathët edhe në kontrollimin e bizneseve të çregjistruara.

Auditori ka evidentuar tri biznese të cilat pas çregjistrimit në ndryshimin e formës, kanë zhvilluar aktivitetet biznesore në kuadër të biznesit, duke lëshuar fatura dhe realizuar të hyra nga Buxheti i Kosovës në vlerë prej 13 mijë e 600 euro.

Edhe në këtë institucion theksohet si prioritet i lartë numri i pozitave menaxhuese që mbahen nga Ushtruesit e Detyrës./ Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/shteti-iu-gjuhet-ne-qafe-bizneseve-te-vogla/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala