Shënjestrat e “Syrit të Popullit” (Dokument)

Autori:Arjeta Shabani

shenjestra

Më shumë se 30 personaliteteve të njohura politike, 10 “Avni Rustemat”, u kishin caktuar dënimin me vdekje për tradhti.

Këta të fundit dyshohen të kenë qenë pjesëtarë të organizatës ‘Syri i Popullit’ dhe akuzohen se kanë kryer vepra penale ‘hakmarrje në ndihmë’ dhe ‘përgatitje e veprave terroriste.

Për ta ka ngritur të mërkurën aktakuzë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, shkruan Infokusi.com.

Organizata “Syri i Popullit”, i kishte shpallur si tradhtar, “pranuesit e dokumentit antishqiptar të Ahtisarit” e “përgjegjësit për decentralizim”.

Të gjithë këta liderë politikë, nga kjo organizatë i priste vetëm një dënim, ekzekutimi.

Gazeta Fjala pati siguruar listën me emrat e mbi 30 figurave publike në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, të etiketuar si “Tradhtarë”, që duhet ekzekutuar nga Lëvizja “Syri i Popullit”.

Presidenti Historik, Ibrahim Rugova është i pari në këtë listë që akuzohet për tradhtar. Por, vdekja e tij duket se kësaj organizate ua kishte “lehtësuar punën”.

Në këtë listë Presidenti Rugova cilësohet si punë e kryer. “I vdekur”.

Këtu vetëm sa fillon lista e gjatë e personave që do të ekzekutoheshin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish- kryeministri Isa Mustafa, Kryeparlamentari Kadri Veseli, e kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, janë vetëm disa nga liderët kryesorë që ishin “shpallur” tradhtarë e që duhej të ekzekutoheshin.

“Syri i Popullit”, nuk i kishte “harruar” as politikanët e qeverisë në ekzil dhe të fondit të 3 përqindëshit. Edhe këta i priste dënimi me vdekje.

Si “përfitues prej djersës së popullit në diasporë”, nga kjo organizatë ishin cilësuar politikanë të qeverisë në ekzil dhe të fondit të 3 përqindëshit të përfshirë, shkruan Infokusi.com.

Isa Mustafa, Bujar Bukoshi e Halil Bicaj, janë vetëm disa nga emrat që përmenden në listën për ekzekutim.

Lista vazhdon me politikanë të opozitës së tashme dhe njerëz të mediave e publicistë.

Baton Haxhiu, Berat Buzhala e Halil Matoshi, janë disa nga ta.

Baton Haxhiu në këtë listë konsiderohet si “bashkëpunëtor dhe spiun i Stanshiqit”, Berat Buzhala përmendet që vie nga një “familje kolaboracionistësh” e Halil Matoshi figuron si “mohues i identitit kombëtar”.

Kjo organizatë, sipas vetë projekt-prememorjes së saj të cilën e kishte siguruar Gazeta Fjala, për të “vrarë tradhtinë”, ka pasur për detyrë të bëjë atentate mbi zyrtarë shtetëror dhe politikanë në Kosovë, Maqedoni dhe Kosovë Lindore.

I fundit atentat për vrasje nga kjo organizatë ishte ai mbi avokatin Azem Vllasi. Për këtë rast ata edhe e morën përgjegjësinë.

Ashtu siç edhe u veprua pas atentatit mbi avokatin Azem Vllasi, pas çdo aksioni të tyre, duke dhënë arsyet e veta, kjo organizatë kishte planifikuar të lëshonte edhe komunikata për të marrë përgjegjësinë për ekzekutimet që do i bënin.

Lëvizja “Syri i Popullit”, sipas përshkrimit në këtë prememorie, ka vëzhguar në mënyrë sistematike të gjitha personalitetet publike, në gjithë hapësirën shqiptare (edhe në Shqipëri), pushtetin lokal dhe qendrorë, si dhe klerikët fetarë.

“Organizata do të hakmerret ndaj të gjithë atyre që kanë marrë votën e popullit dhe asgjë nuk kanë bërë për popull, por janë korruptuar e pasuruar. Do të hakmerret mbi gjithë ata që në emër të luftërave çlirimtare janë pasuruar dhe për popull nuk kanë bërë asgjë”, shkruan ndër të tjera në prememorjen e organizatës “Syri i Popullit”.

Përveç kësaj, në dokument thuhet se kjo organizatë është mjaftë mirë e organizuar që nga Shtabi i përgjithshëm e deri tek grupet guerile.

Prokuroria Speciale ngritë aktakuzë për 10 pjesëtarët e “Syrit të Popullit”

Prokuroria Speciale ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës duke treguar edhe veprat për të cilat po akuzohen 10 pjesëtarët e kësaj organizate.

‘Pas një punë intensive dhe pas grumbullimit të provave Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzëkundër 10 personavetë  dyshuar si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri I Popullit”, me të ashtuquajturit “Avni Rrustema”, të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale “hakmarrje në ndihmë nga neni 396 paragrafi 3 lidhur me  nenin 33 të KPRK-së”, dhunim nga neni 230 paragrafi 4 nën paragrafin 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 paragrafi 4 lidhur me nenin 136  të KPRK-së”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar  të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së”, “hakmarrje nga neni 396 paragrafi  3 të KPRK-së”’, thonë nga Prokuroria.

Ndërkaq, Prokuroria ka thënë se të akuzuarit kishin marrë vendime qe cënonin sigurinë e Kosovës, duke synuar aksione kundër strukturave politike, kushtetuese e ekonomike, shkruan Infokusi.com.

‘Me datë 15.05.2015, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturit “Avni Rrustema” diku, në një shtet evropian, kanë marrë vendim që në mars tëvitit 2017, të fillojnë me aksione të kundërligjshme, me qëllim që seriozisht të destabilizojnë ose të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetues, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, që me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartëtë Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke  i konsideruar si tradhtar të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkohë, është bërë i ditur edhe identiteti i të akuzuarve.

Sipas prokurorisë, pjesëtarët që akuzohen janë: M.J, A.Ll, R.S, S.R, R.T, B.K, S.B, H.H, B.L. dhe L.L.

Ndryshe, edhe një process tjetër ndaj disa anëtarëve të kësaj organizate ka nisur më herët. Bëhet fjalë për tre të dyshuar për sulmin ndaj Azem Vllasit./Gazeta Fjala dhe Infokusi/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/shenjestrat-e-syrit-te-popullit-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala