Sa shfrytëzohet treni në Kosovë?

Autori:Gazeta Fjala

treni

Bash në kohën kur është rritur interesimi i kosovarëve për të udhëtuar me tren, Ministria e Infrastrukturës nuk i ka kryer obligimet financiare ndaj ndërmarrjes “Trainkos” duke bërë që kjo e fundit t’i ndërpresë linjat e rregullta.

Aktualisht, mbi 50 mijë kosovarë që e shfrytëzojnë trenin për tre muaj, e kanë në dispozicion vetëm një linjë hekurudhore. Atë për Han të Elezit, pasi që linja Prishtinë-Pejë, është ndërprerë në mungesë të mjeteve financiare.

Megjithëkëtë interesimi i qytetarëve për të udhëtuar me tren asnjëherë nuk ka qenë më i madh. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovë, 57 mijë kosovarë kanë udhëtuar me teren në tre muajt e fundit.

Ky është numri më i madh i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet transporti, shkruan Gazeta Fjala.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2017 numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është rreth 57 mijë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017 numri i udhëtarëve është rritur për 9.19 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së mbi statistikat në transport për tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas këtij raporti, treni në Kosovë kryesisht shfrytëzohet për qarkullim të njerëzve e më pak për mallra.

Transporti i mallrave me tren në tremujorin e dytë të vitit 2017 është 132 mijë ton, në raport me tremujorin e parë të vitit 2017 ka pasur rritje për 35.41 për qind.

Zyrtarë të ndërmarrjes “Trainkos” i kanë thënë Gazetës Fjala se janë në hall me mbulimin e shpenzimeve, tash kur Ministria e Infrastrukturës nuk po i kryen obligimet e veta.

Kjo sepse treni kërkon shpenzime enorme. Mbi 2 mijë litra naftë nevojiten çdo ditë për t’i mbajtur në punë trenat nga Prishtina për në Pejë. Gati aq shpenzojnë edhe trenat i linjës tjetër për në Han të Elezit. Për çdo kilometër që kalon, ai djegë nga 3 litra naftë. E çdo ditë ata bëjnë nga 741 kilometra, për të cilat duhet djegur 2 mijë e 223 litra naftë.

Rritet numri i pasagjereve që udhëtojnë me tren

Numri i automjeteve në Kosovë del të jetë gogja i madh dhe ka shënuar rritje për çdo vit. Vetëm numri i veturave nga viti 2011 deri në vitin 2016 është rritur për afro 90 mijë.

“Në vitin 2011 kanë qenë të regjistruara 170.321 vetura, ndërsa në vitin 2016 kanë qenë të regjistruara 260.291 vetura”, thuhet në raportin mbi Statistikat e Transportit që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Por, përpos veturave del se kosovarët e shfrytëzojnë për transport në masë të madhe edhe trenin. Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me tren në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017 është rritur për 9.19 për qind.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2017 numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është rreth 57 mijë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017 numri i udhëtarëve është rritur për 9.19%.”

Mirëpo, numri i të gjitha mjeteve motorike dhe jo motorike ka shënuar ulje në krahasim me vitin 2015.

“Në vitin 2016 në Kosovë janë të regjistruara 319,615 mjete motorike dhe jo motorike apo 6.58% më pak se në vitin 2015”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas ASK-së, këto mjete operojnë në 2 mijë e 33 kilometra rrugë, sa edhe janë të regjistruara në territorin e Kosovës për vitin 2016.

“Prej 2,033.4 km rrugë, 5 për qind janë Auto udhë, 31 për qind nacionale dhe 64 për qind janë rrugë Regjionale.”

Trainkos: Janë ndërprerë operimet e rregullta

Por ky interesim në rritje i qytetarëve për të udhëtuar me tren, nuk po përcillet me investime nga institucionet. Përkundrazi, ndërmarrja “Trainkos” nuk po arrin as t’i mbulojë shpenzimet e veta. Një milionë euro që kishte ndarë ministria e infrastrukturës për t’i mbajtur në funksion këto linja janë shpenzuar në fillim të muajit qershor.

Për këtë në Trainkos thonë se edhe janë ndërprerë operimet e rregullta dhe si pasojë e shpenzimeve  i vetmi tren i udhëtarëve që mbahet në funksion tani është ai Prishtinë – Shkup- Prishtinë, shpenzimet për të cilin mbulohen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Mbajtja në operim e trenave të udhëtarëve, është obligim ligjor i qeverisë së vendit për linjat që ata vlerësojnë se kanë interes t’i mbajnë në funksion”, ka shpjeguar për Gazetën Fjala, Afrim Kuleta, Udhëheqës i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Trainkos.

Sipas tij në bazë të Ligjit për hekurudhat e Kosovës, kontraktuesi ( Ministria e Infrastrukturës ) duhet ti mbuloje të gjitha shpenzimet, të cilat nuk përfshijnë vetëm ato të  naftës dhe të qasjes në binarë, por përfshihen edhe shpenzime tjera si kompensimi për paga, mirëmbajtja e mjeteve lëvizëse, amortizimi e përplot shpenzime tjera.

Për këtë në maj të këtij viti, udhëheqësit e Trainkos i kishin bërë me dije ministrit Lutfi Zharku se operimi i trenave ishte në rrezik dhe nuk mund të vazhdohej pas muajit korrik nëse ministria që ai udhëheq nuk e vazhdon përkrahjen financiare në bazë të marrëveshjes.

Por askush nuk i përgjigjet kësaj kërkese, të cilën me 29 qershor kryetari i bordit të kësaj ndërmarrje ia përsërit shkresën zyrtare ministrit Zharku “për kompensimin e obligimeve të shërbimeve publike të transportit hekurudhor të udhëtarëve për periudhën korrik-dhjetor 2017”.

Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk i janë përgjigjur as pyetjeve të Gazetës Fjala lidhur me obligimet për financimin e operimeve të trenave të udhëtarëve në Kosovë.

Nuk mbulohen shpenzimet

Zyrtarët e Trainkos shpjegojnë se që nga viti 2011, kur janë ndarë Hekurudhat e Kosovës në dy ndërmarrje publike Infrakos dhe Trainkos, shpenzimet nuk janë mbuluar asnjëherë që të gjitha nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës. Mirëpo, këto humbje janë mbuluar nga buxheti vetanak i ndërmarrjes, gjë që aktualisht sipas tij është krejt e pamundur pasi që të hyrat nga transporti i mallrave janë zvogëluar jashtëzakonisht shumë.

“Të hyrat për transportin e udhëtarëve për vitin 2017 të kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës kanë qenë në shumën prej 1,031,000 euro, te cilat veç janë shpenzuar në fillim të muajit qershor në trenat në linjën e Pejës dhe ato të Hanit të Elezit. Të hyrat në formë subvencioni nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik janë 500,000 euro te cilat dedikohen shpenzimeve te trenit ne Linjën e Shkupit”, thotë Kuleta nga Trainkos.

Ndërkaq, të hyrat që krijohen nga shitja e biletave ai thotë se nuk i mbulojnë shpenzimet që krijohen nga ky transport, jo vetëm në Kosovë por në asnjë vend tjetër.

“Transporti i udhëtareve nuk është profitabil dhe mbahet si shërbim publik nga secili shtet. Në gjashtëmujorin e parë të 2017 të hyrat nga shitja e biletave janë 108.044 euro, përderisa shpenzimet totale janë mbi 1,4 milion po për të njëjtën periudhe gjashtëmujore ne 10 linjat e trenave sa kane qene ne operim”, ka thënë Kuleta.

Deri më tani Trainkos ka mbajtur në funksion në linjën e Pejës katër trena në ditë, dy në shkuarje dhe dy në ardhje. Po ashtu edhe në linjën e Hanit të Elezit bashkë me një treni i linjës për në Shkup.

Sipas të dhënave në linjën e Pejës trenat realizojnë 365km, që i bie se ata shpenzojnë 1 mijë e 95 litra naftë. Kurse për linjën e Hanit të Elezit gjatë ditës treni përshkon 62.8 km, me 4 trena,  shpenzon 753 litra naftë dhe 375 litra naftë për linjën e Shkupit. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/sa-shfrytezohet-treni-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala