Sa premtoi Thaçi për një ditë nuk u premtua për një muaj fushatë

Autori:Gazeta Fjala

thaci-tren

Hashim Thaçi e pati hapur fushatën për zgjedhjet lokale të para katër viteve në Prizren me premtimin për 100 milionë euro investime. Ndërsa e pati mbyllur fushatën me afro 1 miliard euro premtime.

“Do të investojmë 150 milionë euro në qytetin e Mitrovicës, 100 milionë euro në Prizren, 80 milionë euro investime në Vushtrri dhe 75 milionë euro investime për Malishevën”, kishte premtuar Thaçi si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në atë kohë vetëm brenda tri dite.

Ndërkohë që tani është dita e 29 e fushatës për zgjedhjet lokale të viti 2017, dhe nuk janë dëgjuar premtime as edhe 100 milionë euro nga të gjitha partitë së bashku, shkruan Gazeta Fjala.

Madje edhe premtimet e pakta që i kanë bërë në tubime elektorale, me shumë drojë i kanë thënë para qytetarëve.

Kështu në një rast kandidatit për kryetar të komunës së Pejës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Fatmir Gashit i është kërkuar edhe nga vetë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj që të mos japë fjalë të mëdha.

“Binde veten se ato çka po i thua duhet t’i kryesh, se këtyre ditëve, nuk dua të më shkojë fytyra, unë luftoj shumë që të mos më shkojë. Nuk po shtim me zor, vetë i ke llogarit, vetë ke thënë, mos harro çka ke thënë, ato punë na presin”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kreu i tanishëm i PDK-së, Kadri Veseli duket se nuk po e ndjek as për së afërmi rrugën e pararendësit të tij.

Shuma më e madhe e premtuar nga ai në këtë fushatë janë 30 milionë euro investime në Rahovec për ujitje të tokave, ndërsa në komunat e tjera nuk ka dhënë asnjë premtim që kap shifër milionëshe, shkruan Gazeta Fjala.

“Brenda katër viteve do të fillojmë investimin që do të jetë rreth 30 milionë, që ujitja e tokës së Rahovecit të jetë nga hidrocentrali i Radoniqit”, ka premtuar Veseli në Rahovec.

Ndërkaq, 13 milionë euro veseli i pati premtuar për komunën e Drenasit, Ramiz Lladrovcit, para një viti në zgjedhjet e jashtëzakonshme që ishin mbajtur në këtë komunë.

“Me kryetarin Lladrovci do të kemi 13 milionë euro investime në ketë komunë”, kishte deklaruar i pari i PDK-së, Kadri Veseli, ditën e parë të fushatës për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Më të rezervuara në premtime ishin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re. Këto parti nuk kanë dhënë asnjë premtim që ka të bëjë me miliona në investime.

E në bazë të një hulumtimi që ka bërë Instituti GAP për realizimin e premtimeve në zgjedhjet e kaluara, kryetarët e komunave nuk kanë arritur të realizojnë as gjysmën e premtimeve që kanë dhënë.

Prej 548 premtimeve që kishin bërë të gjithë kryetarët e komunave bashkë, ata kanë arritur të realizojnë vetëm 283.

Ndërkaq, janë 66 projekte nëpër këto komuna që nuk kanë filluar fare të realizohen.

Zulfaj: Eksodi i 2014 ka ndikuar që politikanët të mos bëjnë shumë premtime

Ndërkohë monitoruesit e punës së kryetarëve të komunave thonë se premtimet miliardëshe dhe premtimet për punësim nuk janë realizuar as për së afërmi.

Menaxher i Programeve në Lëvizjen FOL, Jeton Zulfaj ka thënë për Gazetën Fjala se ekzodi i kosovarëve në vitin 2014, ka ndikuar që politikanët të jenë më të kujdesshëm në premtimet e tyre këto zgjedhje.

“Pas zgjedhjeve të vitit 2014 ka ndodhur një ekzod i qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian si kundërpërgjigje e izolimit, mundësive të kufizuara dhe papunësisë, çka ka ndikuar që politikanët të jenë të kujdesshëm me premtimet e tyre”, ka thënë Zulfaj.

Arsye tjetër se pse politikanët po janë më të rezervuar në premtime, Zulfaj thotë se është dështimi për të realizuar premtimet e bëra në zgjedhjet e kaluara, si dhe mundësitë  e kufizuara të komunave dhe potencialit të tyre.

“Dështimi i politikanëve për të realizuar premtimet e bëra ka bërë që në këto zgjedhje ata të tregohen më të kujdesshëm në premtimet e tyre pasi qytetarët janë vetëdijësuar pas çdo raundi të zgjedhjeve”, ka thënë Zulfaj për Gazetën Fjala.

Zulfaj thotë se qytetarët duhet të kërkojnë llogari ndaj kandidatëve për premtimet e kaluara dhe të kërkojnë plane konkrete për realizimin e premtimeve të tanishme.

Keqpërdorimi me pushtetin nëpër komuna

Në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor janë gjithsej 38 kandidatë për krye komunarë. Ndërsa mbi 7 mijë qytetarët kanë kandiduar për t’i zënë 1 mijë e 2 ulëse që janë të dedikuara për asamblistë, shkruan Gazeta Fjala.

E numrin e madh të komunave, hulumtuesi në Institutin GAP, Agron Demi e sheh si mundësi për të keqpërdorë me pushtetin.

Në disa nga komunat e krijuara, kryetari ka më shumë të hyra se sa vetë komuna. Shembull për këtë sipas tij është Komuna e Parteshit.

Në këtë komunë të hyrat nga tatimi në pronë janë 11 mijë euro, e paga vjetore e kryetarit e tejkalon këtë shumë, duke kapur shifrën prej 14 mijë eurosh.

E në të tjera komuna, më shumë shpenzojnë për karburante për vetura, sesa për mirëmbajtjen e shkollave e qendrave mjekësore.

“Komuna e Klinës ka shpenzuar 89 mijë euro për karburant të automjeteve, kurse 70 mijë euro në mirëmbajtjen e krejt shkollave, krejt qendrave mjekësore dhe krejt ndërtesat tjera publike”.

Demi ka bërë të ditur se ka komuna ku buxheti për investime kapitale është më i vogël se sa pagat e ekzekutivit të komunës. Buxheti për investime kapitale në Komunën e Kamenicës është 124 mijë euro, aq sa janë pagat vjetore të kryetarit, nënkryetarit dhe drejtorëve. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/sa-premtoi-thaci-per-nje-dite-nuk-u-premtua-per-nje-muaj-fushate/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala