Sa kushton martesa në Kosovë?

Autori:Gazeta Fjala

martesa

B.L është martuar para dy jave. Me 430 dasmorë ai kurorëzoi dashurinë e tij me martesë, që i kushtoi afro 30 mijë euro.

Për secilin nga miqtë e dashamirët e ftuar në dasmë pagoi paguar nga 19 euro menynë.

Ndërsa, të ftuarit ai vendosi që t’i argëtoj edhe me muzikë live për gjashtë orë.

“Kanë kënduar dy këngëtarë, njëri me çmim prej  4 mijë e 500 euro, e tjetri 1 mijë e 800 , të cilët kanë kënduar pothuajse 6 orë”, ka thënë B.L për Gazetën Fjala.

B.L nuk është aspak pishman për shpenzimet që ka bërë.

“Besoj që ja vlen varësisht nga kushtet ekonomike të një familjeje. Nëse qëndron shumë mirë financiarisht dhe e di qe nuk dëmtohesh pas asaj dasme,  ia vlen, ndërsa nëse kjo dasmë të dëmton financat me vite atëherë nuk ja vlen”, është shprehur ai për Gazetën Fjala.

Por, ky nuk është i vetmi kosovarë që është martuar këtë vit. Qindra qifte tjera kanë paguar dhjetëra mijëra euro për ditën më të bukur të jetës.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre tashmë kanë filluar që të gjitha përgatitjet për ceremoninë t’ua besojnë agjencive të ndryshme që merren me organizimin e dasmave.

Dasma më e lirë 6 mijë euro

E ata që më së shumti po ua shohin hairin dasmave del të jenë restaurantet e ndryshme, pasi që në kontot e tyre çdo natë derdhen me mijëra euro.

Se kosovarët shpenzojnë shumë për dasma, kjo vërehet edhe te informatat për çmimet e dasmave që kanë dhënë agjenci të ndryshme për Gazetën Fjala.

Nga këto agjencione kanë thënë se çmimet e dasmave variojnë nga 5 mijë deri në 25 mijë euro.

“Dasma më e shtrenjtë që kemi organizuar ne si agjencion ka qenë 25.000 euro, ndërsa më e lira 6000 euro”, janë shprehur nga njëri agjencion për Gazetën Fjala.

Pjesë e rëndësishme e dasmës është edhe ushqimi dhe pijet, e për këtë restaurantet del të kenë çmime gogja të larta.

“Menuja e dasmës fillon nga 17 deri në 70 euro”.

Por, e shtrenjtë del të jetë edhe torta e dasmës.

Torta e dasmës, sipas agjencioneve kushton prej 200 euro, e ka raste kur arrin deri në 1 mijë euro.

Ndërsa këngëtarët duket se nuk e qesin as hapin në restaurant pa së paku 1 mijë euro.

“Çmimi i një këngëtari fillon nga 1000-5000 Euro”, tregojnë të përfaqësues të agjencive për organizimin e dasmave për Gazetën Fjala.

Rritet numri i kurorëzimeve

Ndërkaq, numri i kosovarëve që i japin fund beqarisë vetëm sa po rritet. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Vetëm në vitin vitin e kaluar, sipas të dhënave administrative të marra nga Zyrat e gjendjes civile në Kosovë janë kurorëzuar 17 mijë e 410 qifte.

“Në vitin 2016, janë kurorëzuar 16 051 qifte-bashkëshortore, kurse jashtë Kosovës janë kurorëzuar 1 359 qifte-bashkëshortore”. Kjo sipas raportit “Statistikat e Kurorëzimeve, 2016”, që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Mirëpo ajo që bie në sy në këtë raport është niveli intelektual i qifteve, si dhe rritja e numrit të martesave në mes të moshës 16 deri në 19 vjeç.

“Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 10 037, ose 62.5%, dhe e meshkujve 11 476, ose 71.5%.”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa, është shumë prezente edhe ajo që konsiderohet si martesë e hershme (nën moshën 18 vjeçare).

Në bazë të raportit të ASK-së, Prizreni është qyteti me më së shumti femra të martuara prej moshës 16 deri në 19 vjet, ku janë martuar 125 vajza, pasuar nga Ferizaj me 70, Vushtrria me 66 dhe Gjakova me 58.

Por, kjo renditje ndryshon kur vije puna te djemtë, pasi që djemtë e martuar në këtë moshë janë më të rrallë. Në Prizren, Pejë dhe Suharekë në vitin e kaluar janë martuar 33 djem, ndërsa në Podujevë dhe Ferizaj janë 20 djem.

Në përgjithësi për numrin më të madh të qifteve të martuara prin Prizreni me 1 mijë e 486 kurorëzime pastaj vjen Prishtina me 1 mijë e 372 kurorëzime. Ndërsa, në vendin e tretë është Ferizaj me 995 kurorëzime.

Pavarësisht se ka rritje të martesave të hershme, prapëseprapë shumica e qifteve martohen në atë që konsiderohet edhe nga sociologët si moshë ideale për martesë, moshën 25 vjeçare.

“Kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeç me 5 238 raste ose 32.6%, ndërsa tek meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 4 877, ose 30.4%.”, thuhet në raportin e ASK-së. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/sa-kushton-martesa-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala