Sa do të paguajnë kosovarët sigurime shëndetësore

Autori:Gazeta Fjala

fondi-i-sigurimeve-780x439

Secili qytetar në Kosovë do të paguajë nga 2 euro në muaj sigurim shëndetësor. Kjo pavarësisht faktit nëse është i punësuar apo është punëdhënës.

Kështu parashihet me Ligjin për Sigurime Shëndetësore, hyrja në fuqi e të cilit është shtyrë deri me 2018, për shkak të kostos së madhe buxhetore, shkruan Gazeta Fjala.

Sipas analizës së Lëvizjes “Fol”, “Ndikimet e sigurimeve shëndetësore në ekonomi të Kosovës”, kostoja e implementimit të këtij ligji është enorme dhe i ngarkon përveç të punësuarve edhe qytetarët e thjeshtë.

Raporti i “Fol” i referohet të dhënave të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë. Sipas kësaj të fundit, në sektorin publik, në bazë të pagës mesatare, kostoja duhet të jetë 18 milionë euro në vit për të punësuarit, si dhe 18 milionë euro për qeverinë.

Ndërkaq në sektorin privat, në ndërmarrjet të cilat paguajnë TVSH, ashtu siç edhe është e theksuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore, në bazë të pagës mesatare, kostoja vjetore do të jetë 19 milionë euro për punëdhënësin, ndërsa për punëmarrësin 19 milionë euro.

Me Ligj, përqindja e premiumeve është e ndarë në mënyrë të barabartë.

Por është edhe një grup tjetër që nuk janë të regjistruar në këto kategori.

“Këta qytetarë do të paguajnë nga 2 euro në muaj. Prej tyre pritet të mblidhen rreth 6 milionë euro në vit, dhe më pas këta qytetarë fitojnë statusin e të siguruarit shëndetësor. Shikuar nga pikëpamja e qytetarëve, shumica e tyre janë në favor të kontributdhënies që kërkohet për sigurimin shëndetësor, me fjalë tjera deklarohen se kanë mundësinë të përballojnë kostot që kërkon ky sigurim”, thuhet në raportin e Lëvizjes “Fol”.

Qytetarët të gatshëm të paguajnë sigurim shëndetësor

Ndërkohë kosovarët janë shprehur të gatshëm të paguajnë për sigurimin shëndetësor, ndonëse kanë shprehur edhe rezerva.

Sipas një ankete me qytetarë të zhvilluar nga Solidar Suisse, 91,7 për qind e të anketuarve janë deklaruar të gatshëm të paguajnë për sigurime shëndetësore, kurse 8,1 për qind kanë deklaruar se nuk e paguajnë për shkak të barrës financiare dhe dyshimit për keqpërdorim nga institucionet.

Anketa vë në pah edhe gatishmërinë e qytetarëve për ndarjen e kostos për kujdesin shëndetësor ku 97,7% e të anketuarve u deklaruan të gatshëm të ndajnë koston për shërbimet e kujdesit shëndetësor ndërkaq vetëm 2.3 për qind prej tyre nuk janë të gatshëm t’i ndajnë shpenzimet për shërbimet e kujdesit shëndetësor.

Sipas të njëjtës anketë, shpenzimet mesatare familjare të të anketuarve janë 716 euro në vit. Madhësia e familjes përbën një mesatare prej gjashtë anëtarëve.

“Shumica e këtyre shpenzimeve ndodhin si rezultat i shfrytëzimit të shërbimeve në sektorin privat si dhe pagesës së barnave dhe furnizimeve mjekësore. Prandaj është e drejtë të përfundojmë që ndonëse korrupsioni, dhe mosbesimi në institucione mbetët një sfidë e trajtuar në hyrje të këtij punimi, përfshirë këtu faktin që në krahasim me të hyrat e ulta mesatare të një familje, shpenzimet për shërbime shëndetësore mbesin të larta, përkrahja e sigurimeve shëndetësore nga shumica dërrmuese e qytetarëve tregon rëndësinë që kanë ato për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit”.

Shteti fiton 72 milionë euro në vit

Hyrja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore do ta ketë efektin e vet në gjendjen fiskale të Kosovës vetëm pasi që të mblidhen premiumet. Në bazë të ligjit, numrit të bizneseve, të punësuarve dhe ekonomive familjare mundet të kalkulohet rritja buxhetore që do të ketë sektori shëndetësor në Kosovë.

Me premiumet 7 për qind sa janë me ligjin e tanishëm, rritja buxhetore për sektorin shëndetësor do të jetë rreth 72 milionë euro. Ky kalkulim është arritur duke marrë parasysh pagesat që do të bëheshin nga sektori publik, dhe bizneset.

Po ashtu të obliguar për pagesë do të jenë edhe ekonomitë familjare që do të paguajnë një shumë të caktuar prej 3.50  euro.

Banka botërore për këtë kalkulim ka marrë për bazë supozimin që 40% të ekonomive familjare do të bëjnë pagesën prej 3.50 euro.

“Nëse ky supozim del të jetë korrekt atëherë të ardhurat bruto për buxhet do të arrinin në 91 milion, dhe pas rimbursimeve të bëra (25 milion), do të arrinim në 66 milion ose 1.3 në përqindje të BPV-së. Përmes rekomandimit që ka propozuar po i njëjti raport, nëse në vend të 7% do të kishim një detyrim për premiume 5%, të ardhurat neto nga kjo do të arrinin në 45 milion, apo 0.9% e BPV-së. Të dy këto rekomandime do të kishin impakt në rritjen e BPV të shtetit. Në grafikonet më poshtë paraqiten të dhënat nga kalkulimet e bëra të Bankës Botërore. Baza reprezenton të dhënat nëse aplikohet ligji që është në fuqi (me 7% premiume), ndërsa simulimi është nëse aplikohet rekomandimi i Bankës Botërore me 5% premiume”, thuhet në raport.

Rritja e të ardhurave vjetore, duke marrë parasysh bazën prej 7 për qind në premiume, do të ndikonte që në vitin e parë të ardhurat buxhetore të jenë 72 milion euro, e vetëm pas 3 viteve këto do të arrinin në 100 milion euro. /Gazeta Fjala/. 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/sa-do-te-paguajne-kosovaret-sigurime-shendetesore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala