Rrymën e veriut e paguajnë sërish qytetarët

Autori:Agon Sinanaj

veriu-850x447-1-1

Vendimi i Gjykatës së Apelit për ndalimin e pagesës së rrymës nga kosovarët për rrymën që shpenzohet në veri nuk e ka zgjidhur ketë problem. Kosovarët do të vazhdojnë të paguajnë sërish nga tetë milionë euro në vit për rrymën që shpenzohet në Mitrovicën veriore, Leposavic, Zvecan e Zubin Potok.

Ajo që ka ndryshuar është vetëm forma e pagesës.

Përderisa deri më tani pagesa është kryer përmes faturimit direkt nga operatori, tash e tutje kjo do të kryhet përmes subvencionimit nga Qeveria ose Kuvendi, përkatësisht nga taksat e qytetarëve.

Së paku kjo do të jetë zgjidhja, ashtu siç ka rekomanduar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, KOSTT.

Gazeta Fjala mëson se pas shkresës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë drejtuar KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-së për zbatimin e vendimit të gjykatës, KOSTT ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas rekomandimit të KOSTT-it, rrymën që shpenzohet  në komunat veriore duhet ta paguajë ose Qeveria ose Kuvendi i Kosovës.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se më 1 dhjetor 2017, kanë pranuar një njoftim nga KOSTT-i, në të cilin kjo e fundit ka shprehur shqetësimin për mënyrën e pagesës pas vendimit të gjykatës.

Letra e KEDS-it i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“KOSTT-i me këtë rast ka shprehur shqetësimit lidhur me Udhëzimin e ZRRE-së për shkak se, sipas KOSTT-it, ai nuk do të ketë mundësi ligjore dhe financiare të merr për obligim mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës. Prandaj, KOSTT-i  ka rekomanduar sigurimin  e buxhetit për mbulimin e kostos për energjinë e konsumuar në katër komunat veriore”, ka thënë për Gazetën Fjala Majlindë Sinani Lulaj, Udhëheqëse e Zyrës për Komunikim me Publikun tek Avokati i Popullit.

Megjithatë ajo thotë se Avokati i Popullit nuk ka informata nëse Kuvendi apo Qeveria kanë marrë ndonjë vendim lidhur me rekomandimin e KOSTT-it për mbulimin e kostos për energjinë e konsumuar në katër komunat veriore.

Si duhet të interpretohet shkresa e ZRRE-së

Nga Zyra e Avokatit të Popullit shkresën e ZRRE-së e kanë interpretuar si një masë të përkohshme, që rryma të mos paguhet nga qytetarët deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

“Sipas njoftimin të ZRRE, në mes tjerash, thuhet se kostot e furnizimit me energji elektrike për katër komunat veriut të Kosovës, sipas Aktvendimit të Gjykatës nuk do të vazhdojnë të mbulohen përmes tarifave përfundimtare, deri në vendosjen e çështjes kontestuese në mënyrë meritore nga Gjykata”, ka thënë Majlindë Sinani Lulaj.

Me këtë udhëzohen KOSTT, KEDS dhe KESCO që të zbatojnë tarifat sipas një shtojce të bashkëngjitur në njoftim, deri në një vendim i cili pritet të merret nga Bordi i ZRRE-së, pasi ky organ të funksionalizohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“ZRRE ka njoftuar se kjo është një zgjidhje e përkohshme që nuk pasqyron vendimin  e Bordit të ZRRE, por është udhëzim i ZRRE-së për të licencuarit me qëllim të zbatimit të Aktvendimit të Gjykatës Themelore A.nr.1372/2017”, ka shtuar ajo.

ZRRE: Nëse nuk ndërhyn Qeveria rrezikohet furnizimi me energji

Nga ana tjetër nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë ngritur alarmin se nëse nuk ndërhyn Qeveria pas situatës së krijuar rrezikohet seriozisht situata e furnizimit me energji elektrike në vend.

“Nëse nuk krijohen kushte për operatorët, për të ushtruar funksionet e tyre në gjithë territorin e vendit, rrezikohet funksionimi i tyre dhe si rrjedhojë edhe furnizimi me energji në vend”, ka thënë zyrtarja për informim në ZRRE, Adelina Murtezaj Bajrami.

Zgjidhja për ZRRE-në duhet të kërkohet tek Qeveria e Kosovës.

“Qeveria si organ më i lartë ekzekutiv i vendit do të duhej të krijoj kushte për operatorët që të mund të operojnë në gjithë vendin dhe të mbledhin të hyrat e tyre ose të gjejë forma që t’i mbështes financiarisht në mënyrë që të mos rrezikohet funksionimi i tyre dhe furnizimi me energji”, ka thënë ajo.

Ndryshe ZRRE tashme u ka dërguar operatorëve të licencuar energjetik njoftimin lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Themelore  të vërtetuar  edhe nga Gjykata e Apelit në Prishtinë i cili ka të bëjë me masën e përkohshme të shtyrjes së ekzekutimit të Vendimit të mëhershëm të ZRRE-së.

Me ketë vendim të vitit 2012 rrymën e shpenzuar në veri janë obliguar ta paguajnë qytetarët e Kosovës.

“Siç u tha më lart ZRRE nuk ka marr vendim por ka dërguar një shkresë udhëzuese për zbatimin e  një vendimi gjyqësor. Si organ i pavarur rregullues i sektorit të energjisë, ZRRE nuk mund të vendose se kush do të paguaj tani energjinë e shpenzuar në veri të vendit  pasi qe me Aktvendim  e Gjykatës përkohësisht  deri ne marrjen e një aktgjykimi final lidhur me kërkesëpadinë e paditësit ( Avokati i Popullit) kjo mundësi i është larguar ZRRE-së dhe nuk ka më kompetenca që të ndikoj më tepër në këtë çështje”, ka thënë Adelina Murtezaj Bajrami, Zyrtare për Marrëdhenie me Publik. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/rrymen-e-veriut-e-paguajne-serish-qytetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala