Rritje shqetësuese e shkurorëzimeve në Kosovë

Autori:Gazeta Fjala

martesa

Numri i kosovarëve që i japin fund beqarisë vetëm sa po rritet. Mirëpo, krahas kësaj, ka arritur në nivele shqetësuese, numri i çifteve që po i japin fund martesës. Në këtë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndikimin më të madh duket ta ketë martesa në moshë të re, por edhe mungesa e shkollimit e problemet ekonomike.

Vetëm në vitin 2016, sipas të dhënave administrative të marra nga Zyrat e gjendjes civile në Kosovë janë kurorëzuar 17 mijë e 410 qifte.

“Në vitin 2016, janë kurorëzuar 16 051 qifte-bashkëshortore, kurse jashtë Kosovës janë kurorëzuar 1 359 qifte-bashkëshortore”. Kjo sipas raportit “Statistikat e Kurorëzimeve, 2016”, që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Mirëpo ajo që bie në sy në këtë raport është niveli intelektual i qifteve, si dhe rritja e numrit të martesave në mes të moshës 16 deri në 19 vjeç.

“Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 10 037, ose 62.5%, dhe e meshkujve 11 476, ose 71.5%.”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa, është shumë prezente edhe ajo që konsiderohet si martesë e hershme (nën moshën 18 vjeçare).
Në bazë të raportit të ASK-së, Prizreni është qyteti me më së shumti femra të martuara prej moshës 16 deri në 19 vjet, ku janë martuar 125 vajza, pasuar nga Ferizaj me 70, Vushtrria me 66 dhe Gjakova me 58.

Por, kjo renditje ndryshon kur vije puna të djemtë, pasi që djemtë e martuar në këtë moshë janë më të rrallë. Në Prizren, Pejë dhe Suharekë në vitin e kaluar janë martuar 33 djem, ndërsa në Podujevë dhe Ferizaj janë 20 djem.

Në përgjithësi për numrin më të madh të qifteve të martuara prin Prizreni me 1 mijë e 486 kurorëzime pastaj vjen Prishtina me 1 mijë e 372 kurorëzime. Ndërsa, në vendin e tretë është Ferizaj me 995 kurorëzime.

pavarësisht se ka rritje të martesave të hershme, prapëseprapë shumica e qifteve martohen në atë që konsiderohet edhe nga sociologët si moshë ideale për martesë, moshën 25 vjeçare.

“Kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeç me 5 238 raste ose 32.6%, ndërsa tek meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 4 877, ose 30.4%.”, thuhet në raportin e ASK-së.

Arsyet e martesave të hershme

Arsyet për martesa të hershme Sociologu Ferdi Kamberi,e shpreh si pafuqi të femrës së mitur dhe varësisë së saj në aspektin ekonomik.

Mirëpo mungesa e komunikimit të shëndosh në relacionet prindër-fëmijë, mungesa e shkollimit adekuat, pastaj faktorët ekonomiko-social mungesa e vetëdijesimit adekuat, suoas tij, janë edhe disa nga faktorët tjerë për martesa të hershme.

Në disa komunitete, Kamberi tregon se arsye për të quar në kurorë dy të rinjë para moshës ideale është edhe tradita, sepse ata tradicionalisht kanë pasur martesa të hershme.

“Faktor tjetër është edhe frika e prindërve – familjes – se vajzat do të mund të kryenin marrëdhënie seksuale para martesës (apo të hasin në ngacmimet seksuale, dhe kjo do të ndikonte në prestigjin shoqëror, influencën dhe kredibilitetin familjar, për çka një pjesë e tyre i shtyjnë vajzat që të martohen në fëmijëri), pastaj sigurimi i informacioneve adekuate dhe qasja në shërbimet shoqërore e shëndetësore duke përfshirë shëndetin seksual, mos konsultimi me profesionistët e duhur si rezultat i një inferioriteti (si rezultat i tabuve të ndryshme) etj.”, thotë Kamberi.

Në martesat e hershme, ai shpjegon se ekziston raporti se çiftet ende janë të papjekur psikologjikisht; “ka divorce të shumta; dhuna shpeshherë është më e lartë si në aspektin fizik e po ashtu edhe atë psikologjik; gruaja kryesisht varet nga të ardhurat e burrit apo familjes së burrit; shtatzëni e hershme dhe e padëshiruar; problemet me shtatzëni ku kjo madje mund të rezultojë edhe me vdekjen e fëmijës apo edhe të nënës, sepse në konstruktin biologjik trupi i një të miture ende nuk është i përgatitur për të lindur fëmijë”.

Sociologu Kamberi thotë se këto martesa në moshë të hershme mund të sjellin edhe deri te sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

“Pasojat janë edhe të tjera, si të sëmundjeve të transmetuara seksualisht, depresion, vuajtje, ankthe, fobi, hermetizëm social e psikologjik, krizë të personalitetit – personalitet jo stabil, çrregullim psikik – neuroza dhe psikoza – e deri tek vetëvrasja që mund jetë fatale si rezultat i kërcënimeve të vazhdueshme, mos përkrahjes së familjes etj.”.

Rriten shkurorëzimet

Në publikimin e fundit të Agjencia e Statistikave të Kosovës “Statistikat e Shkurorëzimeve në Kosovë 2016”, dolën të dhënat se më shumë se 1 mijë çifte janë shkurorëzuar vitin e kaluar.

Pjesa më e madhe e qifteve, në bazë të dëshmive i kanë dhënë fund martesës që në vitin e parë, pas kurorëzimit.

Ndërkaq, shkurorëzimet sipas grup-moshave, sipas ASK-së, dominonin femrat e moshës 25-29 vjeçare me 230 shkurorëzime, ose 20.7 për qind. Kurse, te meshkujt dominojnë moshat 30-34 vjeçe me 233, ose 21.0 për qind.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë shkurorëzimet te femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme.

Rritet dhuna në familje

Një shqetësim tjetër tek qiftet e martuara në moshë të re është edhe dhuna në familje.

Në këtë sipas njohësve të fushës rol të veçantë papjekuria psikologjike.

“Në martesat e hershme ekziston raporti se çiftet ende janë të papjekur psikologjikisht; ka divorce të shumta; dhuna shpeshherë është më e lartë si në aspektin fizik e po ashtu edhe atë psikologjik”, ka thënë Kamberi për Gazetën Fjala.

Se dhuna është shumë e pranishme tek qiftet kosovare, vërehet edhe në raportin që lëshon Policia e Kosovës çdo ditë.

Në Polici, çdo ditë raportohen raste të dhunës së bashkëshortëve ndaj bashkëshorteve, ose edhe që ndodh më rrallë anasjelltas. Në polici për pesë ditë janë raportuar 9 raste të dhunës së bashkëshortëve.

Kjo ka ndodhur në qytete si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Fushë Kosova dhe Graçanica.
Në këto raporte, të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë thuhet se janë arrestuar. (Arjeta Shabani) /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/rritje-shqetesuese-e-shkurorezimeve-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala