Rreziku CEFTA

Autori:Gazeta Fjala

23513531_10214267812118084_1665776650_n
Ishte bërë bujë e madhe, kur Kosova ishte anëtarësuar në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore-CEFTA. E me po kaq bujë po përcillet edhe shqyrtimi për tërheqje nga kjo marrëveshje.
Madje edhe vet nënshkruesi i saj, ish ministri i tregtisë, Bujar Dugolli pranon se gjërat kanë ndryshuar që nga viti 2007, pasi që tani Kosova është shtet dhe sipas tij duhet të përfaqësohet si shtet e jo me preambulën e UNMIK-ut.
Për këtë arsye Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka thënë ditë më parë se Kosova po e shqyrton mundësinë e tërheqjes nga CEFTA.
“Fatkeqësisht po them se kjo marrëveshje është bërë në fund të vitit 2006, edhe njihet me preambulën UNMIK, ndoshta është institucioni i vetëm që nuk njihet si Kosovë apo Republika e Kosovës…Kemi kërku edhe nga zyra e BE-së, që të bëhet presion ndaj UNMIK-ut që të heq dorë nga preambula dhe të njihemi si Republika e Kosovës. Natyrisht është edhe një mundësi tjetër që të gjitha shtetet anëtare ta pranojnë Kosovën që të trajtohet e barabartë, përndryshe ndoshta do ta shqyrtojmë mundësinë e tërheqjes nga CEFTA, nëse nuk marrin për bazë kërkesën tonë”, kishte thënë Hasani.
Megjithatë, njohësve të ekonomisë nuk po u duket veprim i mençur, nëse Kosova heqë dorë nga kjo marrëveshje, pavarësisht të mirave të pakta që u ka sjellë prodhuesve vendës.
Sipas tyre, tërheqja e Kosovës nga CEFTA rrezikon seriozisht zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Dugolli: Serbia është pengesë juridike
Edhe vet nënshkruesi i kësaj marrëveshje, në atë kohë ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli ka thënë për Gazetën Fjala se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, rrethanat politike kanë ndryshuar e Kosova duhet të njihet si shtet pa preambulën UNMIK
Por, për këtë, sipas tij, duhet të ketë vullnet gjithëpërfshirës edhe nga ana e Bashkimit Evropian.
Sa i përket CEFTA-s, Dugolli thotë se shteti i Serbisë mund të paraqesë pengesë juridike për të zgjidhur këtë çështje.
“Duke e ditur se qasja e Serbisë në drejtim të Kosovës është e pandryshuar si në të kaluarën edhe tani, unë mendoj se mund të jetë një pengesë juridike për ta zgjidhur këtë çështje”.
Sipas tij, Republika e Kosovës është trashëguese e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Sido që të jetë realiteti i ri në Kosovë, pavarësia e Kosovës nënkupton që të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare mund të përmirësohen ose saktësohen që tani e tutje, që shteti i Kosovës apo Republika e Kosovës është e trashëguese e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare”, thotë Dugolli.
Thaqi: Prej tërheqjes nga CEFTA, përfitojnë produktet vendore
Por, njohës të ekonomisë theksojnë se tërheqja nga CEFTA mund të ketë shumë pasoja.
Berat Thaqi, nga Instituti GAP ka thënë për Gazetën Fjala se në rast se merret një vendim i tillë shtohet rreziku që shtetet anëtarë të kësaj marrëveshje të vendosin tarifa doganore apo kuota në eksportet e Kosovës, si dhe të rriten çmimet e inputeve.
“Në rast se Kosova largohet nga marrëveshja e CEFTA-s atëherë rreziku është se shtetet anëtarë të kësaj marrëveshje do të vendosin tarifa doganore apo kuota në eksportat e Kosovës. Kjo do t’i bëj eksportet e Kosovës më pak garuese në këto tregje.
Në rast se Kosova përgjigjet me masa reciproke duke aplikuar tarifa prej 10% në importet e këtyre shteteve atëherë do të
rriten çmimet e konsumit”, ka thënë ai.
E sipas tij, prej tërheqjes nga CEFTA do të përfitojnë produktet vendore, duke u bërë më atraktive me çmime në treg.
“Një përfitim potencial nga kjo situatë mund ta kenë produktet vendore, duke u bërë më atraktive me çmime në treg.
Mirëpo, në rast se Kosova merr një vendim të tillë duhet të bëhet një analizë e thellë ekonomike lidhur me pasojat eventuale, sepse dalja nga marrëveshja mund t’i rrisë edhe çmimet e inputeve të prodhimit”, ka thënë Thaqi për Gazetën Fjala.
Në rast se Kosova del nga kjo marrëveshje, Thaqi si alternativë e sheh nënshkrimi e marrëveshjeve për tregti me shtete të caktuara brenda kësaj marrëveshje.
Qorraj: Kosova duhet të jetë pjesë e CEFTA-s
Ndërkohë njohësi i çështjeve ekonomike, njëherit profesor në Fakultetin Ekonomik, Gazmend Qorraj ka thënë për Gazetën Fjala se Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshje, pasi që në të kundërtën është e pamundur të zbatohet Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit.
“Kosova duhet të jetë pjesë e marrëveshjes pasi që ne si institucione jemi pro integrimit Evropian, dhe është e pamundur të zbatojmë MSA-n dhe proceset tjera integruese nëse nuk jemi edhe pjesë e integrimit rajonal, edhe pse përfitimet ekonomike janë minimale për shkak te aftësive konkurruese te limituara”, ka thënë Qorraj.
Ai ka thënë se Kosova nuk ka përfituar shumë nga kjo marrëveshje në aspektin tregtar, por ka ndihmuar në reformimin e shumë fushave.
“Kosova nuk ka përfituar shumë në aspektin tregtar respektivisht në rritjen e eksporteve, por duke qenë pjesë e MARRËVESHJES, Institucionet e Kosovës aplikojnë në mënyrë permanente reforma në fushën e tregtisë, rregullave të origjinës, masave fito sanitare dhe aspekte tjera të rëndësishme”, ka shtuar Qorraj për Gazetën Fjala.
Qorraj vlerëson se Institucionet e Kosovës duhet bërë presion politik dhe institucional te autoritetet e CEFTA-s, për trajtim të barabartë.
Bizneset kërkojnë të rinegociohet CEFTA
Megjithatë, zbatimi i kësaj marrëveshjeje, sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, nuk ka treguar ndonjë sukses për prodhuesit vendorë.
Drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit, Ismet Mulaj, ka thënë se përveç aspektit politik e juridik edhe në atë ekonomik, marrëveshja e CEFTA-s është e pafavorshme për prodhuesit vendorë.
“Arsyet juridike duhet të shërbejnë për arsye ekonomike. Nisja e procedurave për dalje nga CEFTA ose rinegociim të pjesëmarrjes së Kosovës në CEFTA, është një proces 7 mujor dhe gjatë kësaj periudhe mund t’i krijohet një hapësirë biznesit prodhues. Të shohim mund të ketë marrëveshje bilaterale me secilin shtet, me ato shtete që ka përparësi sidomos me Shqipërinë apo me ndonjë vend që ka interes dhe produktet e saj janë më konkurruese mund të krijojë marrëveshje bilaterale, ndërsa me shtetet të cilat ka konkurrencë më të fuqishme që vijnë nga këto shtete mund të ketë vonesa deri te 7 mujori kur mund të finalizohet procesi juridik që Kosova merr pjesë si UNMIK”, ka deklaruar Mulaj për media./Gazeta Fjala/ Arjeta Shabani.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/rreziku-cefta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala