Robelli qe 17 vite i izoluar nga Komuna e Gjilanit

Autori:Agon Sinanaj

rr

Zymer Robelli nga Gjilani, qe 17 vite nuk po mund të hyjë e dalë në shtëpinë, të cilën e ndërtoi me kursimet nga puna në Gjermani.

Në një rrëfim emocional për Gazetën Fjala, ai shpjegon të gjitha peripecitë që ka hequr vetëm pse i ka mbetur besnik planit urbanistik të një lagjeje ku pretendohej të ishte moderne. Por, që u kthye në njëfarë burgu për familjen Robelli dhe shumë banorë tjerë të “Petegovcit”, siç njihet vendi pa qasje në rrugë.

Megjithëse të tjerët janë gjendur disi dhe kanë krijuar forma alternative për të hapur rrugë, vetëm shtëpi e Robellit, që shihet edhe në skicat dhe hartat që ka siguruar Gazeta Fjala, ka mbetur e izoluar.

Krejt kjo sipas tij, pasi qeveritë komunale në Gjilan që nga paslufta lejuan që të ndërtohet pa leje në këtë zonë.

Ai edhe tani nuk po arrin ta realizoj një të drejtë elementare për të pasur shtëpi në një lagje normale dhe me plan urbanistik.

Por sikur kjo të mos mjaftonte, komuna e Gjilanit me ndryshimin e planit urbanistik për këtë lagje, ka paraparë që trotuarin për këmbësorë ta shtrojë mes përmes tokës së Robellit.

“Qe 17 vite jemi të bllokuar. 13 familje nuk kemi qasje në rrugë. Qe 17 vite shkoj në komunë dhe nuk më është bërë zgjidhje”, thotë Robelli.

Sipas tij, institucionet lokale i kanë ndryshuar disa plane në këtë lagje, për shkak të kaosit të ndërtimeve pa pyetur askënd.

Si pasojë e kanë pësuar ata që kanë ndërtuar me planin fillestar.

“Janë disa shtëpi pa leje në lagje. Siç mund t’i shihni në skica, shumë nga këto shtëpi pa leje janë ndërtuar bash kah i bije rruga sipas planit fillestar. Prandaj kemi mbetur edhe pa rrugë që sa kohë”, rrëfen Robelli.

20228427_122704471677339_8014507582857121411_n

Vendimi i gjykatës dhe peticioni i banorëve

Ndërkohë për problemin e kësaj lagjeje ka pasur më herët edhe një vendim të Gjykatës Supreme, në vitin 2006. Paditës në këtë lëndë është edhe Robelli, por edhe banorë tjerë të lagjes.

Në vendimin e Gjykatës, të cilin e ka siguruar Gazeta Fjala, gjykata u jep të drejtë banorëve dhe kërkon nga Komuna e Gjilanit që ta hap rrugën sa më parë sipas planit urbanistik.

“Duke pasur parasysh faktin që paditësit me padi kërkojnë hapjen e rrugës nga ana e të paditurës, sipas planit urbanistik për shtëpitë të banimit sipas lejes së ndërtimit, për të cilën drejt është obliguar e paditura dhe paditësit kërkojnë që të detyrohet ajo që të kryejë obligimin ndaj tyre, sipas vlerësimit të kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë detyrohet që të vendosë në këtë çështje juridike me vendim meritor”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Më tej thuhet se “gjykata e shkallës së parë në procedurën e mëtejme, pas administrimit të provave të nevojshme me vendim meritor do të vendos sipas padisë së paditësve lidhur me kërkesëpadinë për hapjen e rrugës sipas planit urbanistik”.

Por, Komuna e Gjilanit respektoi vendimin e  Supremes vetëm sa i përket rrëzimit të një shtëpie që ishte ndërtuar mu në vendin ku parashihej të ndërtohej rruga, por ende nuk e ka hapur rrugën.

Kjo për shkak se për tu hapur rruga sipas plani urbanistik fillestar, duhet të rrëzohen shumë shtëpi, meqë shumë shtëpi, siç argumentojnë banoret, janë ndërtuar pa leje.

Banorët për këtë punë i janë drejtuar edhe Kuvendit komunal me një peticion.

Janë gjithsej 23 banorë që kanë nënshkruar peticionin, për hapjen e rrugës, por deri më tani gjendja ka mbetur e njëjtë.

20156078_122704515010668_2133413052556165689_n

Komuna dëshiron ta shtroj rrugën në tokën e Robellit

Së fundmi është komuna ka bërë edhe një ndryshim plani për këtë lagje. Por, që nuk i bën zgjidhje familjeve të izoluara. Për më tepër ka paraparë që trotuarin për këmbësorë ta shtrojë mes për mes tokës së Robellit.

Sipas Robellit, krejt kjo ka ndodhur pasi andej ka parashihej t’i binte rruga janë ndërtuar shtëpi pa leje.

“Më lanë edhe pa qasje në rrugë. Tash duan edhe të ndërtojnë në tokën time”, rrëfen Robelli rastin e tij duke dënesur nga stërmundimet më shumë se një dekadëshe me drejtësinë në Kosovë.

Në bazë të skicave dhe planit fillestar që ka prezantuar Robelli, shihet se në lagje janë me dhjetëra shtëpi të ndërtuara jashtë planit urbanistik.

“Ka dështuar plani urbanistik fillestar. Shtëpitë janë të ndërtuara kryesisht kundër planit urbanistik. Shumica e shtëpive në lagje janë pa leje”, tregon Robelli.

Zyrtarët e komunës kanë dal disa herë në vendin e ngjarjes. Por krejt çka kanë bërë sipas Robellit është rrëzimi i një shtëpie që ka qenë e ndërtuar mu në vendin ku parashihej të kalonte rrugë.

Ai akuzon ata për ryshfet dhe dallavere.

Ai madje kujton një rast derisa kishte shkuar në komunë, për hallin e  tij, dhe një zyrtar komunal e kishte këshilluar se duhet të jap para që të kryhet kjo punë.

“T’i s’po jep pare, se puna ish kry”, më kanë thënë në komunë. Robelli e ka të njohur emrin e zyrtarit që i kishte kërkuar ryshfet.

Robelli ka punuar për 40 vite si laburant në një fabrikë në Gjermani dhe thotë të ketë qenë ëndërr e tij që pleqërinë ta kaloj në vendlindje.

Por pavarësisht se ndihet i lodhur shton se nuk do të ndalet asnjëherë deri në realizimin e të drejtës së tij.

“Është e turpshme sesi trajtohet një qytetar në Kosovë. As pas 17 vitesh mos me mujt me e realizu të drejtën time. Kjo është marri për shtetin e Kosovës”.

20228375_122704411677345_2696305398004173004_n

Arsyetimi i Komunës

Nga ana tjetër, në komunën e Gjilanit arsyetohen me faktin se për këtë lagje disa herë ka ndryshuar plani urbanistik. Por e pranojnë se rruga ende nuk është asfaltuar, pa dhënë shpjegime se pse nuk ka ndodhur kjo edhe pas kaq vitesh.

Pala që thirret me zgjidhjen e Planit Detal Urbanistik “Kodra e Dëshmorëve “i cili  ka pushuar së vepruari që nga viti 2002. Në vitin 2002 është reviduar dhe ka hy në fuqi Plani Detal Urbanistik “ Zona Perëndimore e Qarkut “ dhe  është miratuar nga KKGjilan. Në vitin 2013 prapë është reviduar Plani Detal Urbanistik “ Zona Perëndimore e Qarkut “dhe po të njëjtin është hartuar Plani Rregullues Urban “ Qarku 2” i cili është aprovuar nga KK Gjilan e i cili është ende në fuqi”, ka thënë për Gazetën Fjala, Fadil Sherifi nga Zyra e Urbanizmit në komunën e Gjilanit.

Sipas Sherifit, objektet të cilat kanë pasur leje ndërtimi më herët janë inkorporuar në këtë plan, ndërsa ato të cilat janë ndërtuar deri më tani  janë të pajisur me leje ndërtimi sipas planit rregullues urban “Qarku2”.

“Duhet pasur parasysh se Planet rregulluese vlefshmërinë e  kanë 5 vite sipas Ligjit për Planifikim Hapësinor  .Nëse pas 5 viteve revidohen apo  ndryshohen ,pushon së vepruari i vjetri  dhe fuqizohet i riu i cili miratohet nga KK Gjilan”, ka shtuar Sherifi.

Sa i përket rastit të Robellit, Sherifi ka thënë se ai thirret me zgjidhjen e planit detal urbanistik të viteve 90-të, e i cili, sipas tij, ka pushuar së vepruari që nga viti 2002.

Por se pse nuk është hapur rruga që 17 vite, Sherifi nuk ka dhënë sqarime. Ndonëse janë brenda të te njëjtit objekt, Sherifi ka rekomanduar gazetën që informata për asfaltimin e rrugës të kërkoj në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

“Sipas Planit  Rregullues Urban shtëpia e cila ka qenë e ndërtuar pa leje është rrënuar  nga KK Gjilan  për shkak të lirimit të hapësirës për infrastrukturë rrugore asht si e ka paraparë Plani Rregullues  Urban “Qarku2” dhe së shpejti do të asfaltohet edhe kjo rrugë. Për asfaltimin e këtij segmenti rrugor është kompetencë e Shërbimeve Publike. Merr informata nga DSHP”, ka thënë ai.

Por Robelli nuk e ka ndërmend të pres më. Ai thotë se meqë i ka shtjerrë të gjitha burimet në Kosovë, do t’i drejtohet edhe Gjykatave ndërkombëtare për rastin e tij. /Gazeta Fjala/

19989215_122704465010673_7482274319135802745_n

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/robelli-qe-17-vjet-i-izoluar-nga-komuna-e-gjilanit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala