Reformat që e renditën Kosovën ndër 10 ekonomitë e botës për biznes

Autori:Agon Sinanaj

29766e2a37e979b18d18c428ff9c5aba_L

Lehtësirat në fillimin e biznesit, qasja në kredi dhe zgjidhja e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Këto janë tri reformat që renditën Kosovën të parën në Evropë dhe në mesin e dhjetë ekonomive të mbarë botës me përmirësimin më të madh për biznesin.

Sivjet shteti më i ri në Evropë bashkë me Uzbekistanin, e Zambinë shënoi rekord në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes, duke u radhitur në pozitën e 40-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60-të ku ka qenë vitin e kaluar.

Në mënyrë më specifike, raporti i Të Bërit Biznes konstaton se gjatë periudhës mbi 12 mujore deri në qershor të vitit 2017, Kosova ka bërë disa përmirësime substanciale.

“Është lehtësuar regjistrimi i një biznesi përmes thjeshtësimit të procesit të regjistrimit të punëtorëve; është forcuar qasja në kredi përmes miratimit të një ligji të ri i cili përcakton rregulla të qarta prioritare në kuadër të likuidimit për kreditorët e siguruar dhe thjeshtësim të procedurave për rikthim të kapitalit të kreditorëve në rastin kur kompania shkon në falimentim; është lehtësuar zgjidhja e rasteve të paaftësisë së pagesës përmes aplikimit të kornizës ligjore për paaftësinë e pagesës së korporatave, duke i vënë në dispozicion procedurat e likuidimit dhe riorganizimin për debitorët dhe kreditorët”, thuhet në raport.

Raporti po ashtu thekson se reforma në Kosovë e cila u mundëson palëve të përdorin procedurat e riorganizimit me qëllim të shpëtimit të bizneseve të qëndrueshme, kur ka mundësi për rimëkëmbjen financiare, është veçanërisht me rëndësi.

“Një ligj gjithëpërfshirës mbi paaftësinë e pagesës (josolvencën), i miratuar në korrik 2016, ka paraqitur një numër tiparesh moderne që janë harmonizuar me praktikat e mira ndërkombëtare”, thuhet aty.

 Përmirësime në shumë fusha

Thuajse në të gjithë indikatorët kryesorë janë shënuar përmirësime të dukshme këtë vit.

Këtë vit Kosova radhitet e 10-ta në regjistrimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve me pjesëmarrje të vogël, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

“Ky është një lajm i mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë konsistente në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të arrijë ndikimin e dëshiruar për rritjen e produktivitetit të firmave dhe për tërheqjen e më shumë investimeve”, tha Marco Mantovanelli, menaxheri i Grupit të Bankës Botërore për Kosovën ditën e prezantimit të raportit.

 Në këtë arritje asistoi edhe Banka Botërore

Sipas një njoftimi të Bankës Botërore në Kosovë, ky progres nuk do të arrihej pa ndihmën e këtij institucioni.

Grupi i Bankës Botërore ka kontribuar në përmirësimet e dukshme në mjedisin e favorshëm për biznes në Kosovë gjatë disa viteve të kaluara, dhe mbetet i përkushtuar të mbështes zhvillimin e sektorit privat përmes angazhimeve të tij në sektorin e energjisë, bujqësisë, konkurrueshmërisë dhe në klimën e investimeve.

Zhvillimi i udhëhequr nga sektori privat është një prej tri shtyllave të Kornizës së Partneriteti Vendor të Grupit të Bankës Botërore për Kosovën për 2017-2021.

“Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, do të vazhdojë të përkrah zvogëlimin e barrës administrative për bizneset, transparencën e tatimeve, qeverisjen e përmirësuar dhe raportimin financiar të korporatave, thjeshtësimin e logjistikës për tregti, si dhe reformat e përgjithshme në politikën investuese për tërheqjen e investimeve private dhe Investimeve të huaja direkte në vend”, ka deklaruar Visar Perani, Zyrtar për Kosovë i IFC-së.

Nëntë ekonomitë e tjera që kanë treguar përmirësimet më të mëdha në Të Bërit Biznes 2018 janë Brunei Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori. Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në Të Bërit Biznes 2018 janë Evropa dhe Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika Sub-Sahariane.

Çka është raport i të bërit biznes

Çdo vit, raporti Të Bërit Biznes në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për sipërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: regjistrimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve me pjesëmarrje të vogël, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Megjithatë, ai nuk përfshinë të gjitha çështjet që janë me rëndësi për vendimet e bizneseve.

Të Bërit Biznes nuk e mat gamën e plotë të faktorëve, politikave dhe institucioneve që ndikojnë në cilësinë e mjedisit të biznesit në një ekonomi ose në konkurrueshmërinë vendore. Për shembull, ai nuk i vlerëson aspektet e stabilitetit makroekonomik, zhvillimit të sistemit financiar, madhësisë së tregut, rasteve të mitos dhe korrupsionit, ose cilësisë së fuqisë punëtore. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/reformat-qe-e-renditen-kosoven-nder-10-ekonomite-e-botes-per-biznes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala