Qeveria me 2 mijë e 500 vetura, spitalet me 92 auto-ambulanca

Autori:Gazeta Fjala

auto_te-lenduar1469827912

Secili ministër e kryetarë komune vozitet me veturë luksoze. Për 2,500 të tilla sa shfrytëzohen nga krerët e institucioneve publike, me taksat e qytetarëve paguhen miliona euro karburante.

Ndërsa kur taksapaguesit sëmuren, qendrat emergjente me shumë vështirësi ua sigurojnë transportin për në spital.

Janë vetëm 92 auto-ambulanca në tërë Kosovën, në dispozicionë të 1.7 milionë banorëve, shkruan Gazeta Fjala.

Një pjesë e madhe e tyre nuk janë funksionale fare.

Së paku kështu bëjnë të ditur në Shoqatën për të drejtat e pacientëve në Kosovë.

Sipas, drejtorit të kësaj shoqate, Besim Kodra, kushtet me të cilat trajtohen pacientët në institucionet shëndetësore, janë të tmerrshme.

Spitalet në Kosovë përballen me vështirësi të mëdha, qysh nga mungesa e auto-ambulancave, hixhiena, barnat esenciale, lista e pritjeve deri tek rastet e fundit, kur së fundi dyshohet se ndodhën edhe vdekjet pas helmimit me gaz të frymëmarrjes.

Përveç mungesës së autoambulancave këto institucione përballen edhe me defekte të aparaturave që shërbejnë për diagnostikimin e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e kjo po bën që shpeshherë pacientët të drejtohen në klinikat private për shërbime të tilla.

Ndërkaq, Agron Demi, hulumtues në Institutin për Studime të Avancuara GAP, në një postim në llogarinë e tij në Facebook shkruan se është krijuar një trend në vend disa komuna shpenzojnë më shumë karburant për automjete, se sa për mirëmbajtjen e shkollave e qendrave mjekësore.

“Kemi komuna ku shpenzimet për dreka janë më të mëdha se sa furnizimet mjekësore, siç është rasti për Komunën e Dragashit, Kamenicës, e plotë komuna tjera”, shkruan Demi.

Qytetarët të pakënaqur me trajtimin që u bëhet

Se qytetarët  nuk janë të kënaqur me shërbimet shëndetsore, këtë e thotë  për Gazetën Fjala edhe Drejtori i Shoqatës për të drejtat e pacientëve në Kosovë (PRAK), Besim Kodra.

Kodra ka thënë se trajtimi i pacientëve nuk bëhet në mënyrë të dinjitetshme dhe lë për të dëshiruar.

“Sa i përket asaj se sa jemi të kënaqur me trajtimin e pacientëve, kjo gjë lë për të dëshiruar. Duke filluar nga kushtet e përgjithshme ato të hixhienes, ushqimit, kushtet hoteliere, furnizimit me barna, listat e pritjes etj.. nuk e bëjnë një trajtim të dinitetshëm të pacientëve”.

E në krijimin e kësaj gjendje sipas Kodrës ka ndikuar buxheti i ulet në sektorin e shëndetësisë dhe menaxhimi i dobët.

“Kjo vjen si pasojë e buxhetit të ulët në sektorin e shëndetësisë dhe menaxhimit të dobët si të buxhetit ashtu edhe administrimit me institucionet dhe punëtorët shëndetësorë”, ka thënë Kodra për Gazetën Fjala.

Ndërkaq, pakënaqshmërinë e pacientëve me trajtimin që u bëhet në institucionet shëndetësore e dëshmon edhe numri i madh i ankesave. Ky numër ëshë i theksuar më shumë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe Spitalin e Prizrenit.

Vetëm nga këto dy institucione shëndetësore kanë ardhur mbi 500 ankesa gjatë vitit të kaluar.

“Numri i Ankesave të pacientëve vetëm në QKUK dhe Spitalin e Prizrenit, është mbi 500 për vitin 2016”, është shprehur Kodra për gazetën.

Ushqimi i pacientëve përgatitet nën mure të mykura

Përveç kushteve teknike pacientët del të kenë telashe edhe me ushqimin që përgatitet në kuzhinën e QKUK.

Këtë e pati shpërfaqur një hulumtim i realizuar nga Preporter, duke dëshmuar se si kuzhina qendrore e QKUK-së nuk i plotëson kushtet për të përgatitur ushqimin për pacientë.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës çdo ditë ushqehen afër 3600-3700 pacientë.

Ushqimi për këtë numër jo të vogël të pacientëve përgatitet në një ndërtesë të vjetër, njëkatëshe. Kjo kuzhinë nuk i plotëson as kushtet mesatare për ta ushtruar këtë veprimtari. Muret e mykura, dyshemeja e dëmtuar e dritaret e mbuluara me rrjeta merimangash, nuk e dallojnë kuzhinën nga klinikat e tjera që gjenden në oborrin e QKUK-së.

Përveç kësaj Preportr kishte gjetur se ushqimi në QKU-k ishte përgatitura për pacientë me sëmundje krejtësisht të ndryshme, për nga përmbajtja ishte shumë i ngjashëm.

Menytë ushqimore të përgatitura në QKUK për pacientë me sëmundje të ndryshme sidomos atyre kronike siç janë sëmundjet e zemrës dhe diabeti, nuk i përmbushin standardet e dietave që parashihen nga shoqatat profesionale për këto sëmundje. Disa nga produktet dhe sasia e tyre që përshkruhen në këto meny janë të ndaluara për pacientët me sëmundje të veçanta.(Arjeta Shabani) /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/qeveria-me-2-mije-e-500-vetura-spitalet-me-92-auto-ambulanca/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala