Qeveria i çon miliona euro në Aeroport e Autostradë

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria-Ndertesa-foto-Ridvan-Slivova-01

Projektet me të cilat mburrej Qeveria e Kosovës për më të suksesëshmet, vazhdojnë të marrin miliona euro nga buxheti i shtetit.

Në autostradën ku u investuan rreth 1 miliard euro, për ta lidhur Kosovën me Shqipërinë ende nuk kanë përfunduar punimet dhe këto ditë janë ndarë gjysmë milioni euro shtesë.

Ndërkaq, në kompaninë publike, Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, e cila u koncesionua shtatë vite më parë do të investohen 30 milionë euro për të kryer punët të cilat pritej të përfundoheshin nga koncesionuesi “LIMAK- Aeroport de Lyon”, shkruan Gazeta Fjala.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku në emisionin televiziv “Puls”, ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’i investojë rreth 30 milionë euro për pistat e aeroportit “Adem Jashari”, pasi sipas tij këto mjete nuk janë paraparë në kontratën e koncesionimit.

“Investimi total do të jetë afër 30 milionë. Na kemi me zgjatë pistën për 500 metra. Është një projekt i filluar që nga viti 2014 por që nuk e kemi realizuar. Jemi mundu vitin e kaluar ta kryejmë përmes partneriteti publiko privat por për shkak të disa kufizimeve ligjore nuk kemi mujt me kry. Tash ky projekt është bartur në ministrinë tonë dhe do të kryhet”, ka thënë Zharku.

Sipas tij, me këtë investim planifikohet të të zgjatet pista, për shkak se pista e tanishme e aeroportit është 2,500 metra, e cila nuk mund të pranoj aeroplanët e mëdhenjë.

“Për shkak se për aeroplanë të mëdhenjë pista duhet të jetë sëpaku 3000 metra”, ka thënë Zharku.

Sipas të parit të Ministrisë së Infrastrukturës, në kohën kur është koncesionu është paraparë edhe cilat projekte duhet të kryhen.

“Këto investime nuk janë përfshi në kontratën e koncesionit ndërsa është vullnet i jonë me ba aeropotin ma funksional”, ka thënë ai.

Megjithatë, në zotimet e kompanisë “LIMAK- Aeroport de Lyon”, të dokumentuara në njësinë e Partneritetit Publiko Privat që operonte në vitin 2010 në kuadër të Ministrisë së Financave ekzistonë edhe zotimi për investime në zgjerimin e pistës.

Madje precizohet saktë nevoja për akomodimin e aeroplanëve të mëdhenjë. Këtë e rithekson në një hulumtim për koncesionimin e aeroportit, edhe Instituti për Hulumtime Strategjike, “Riinvest”.

“Koncesioneri fitues, nëpërmjet marrëveshjes së PPP, ishte zotuar të ndërtonte një terminal të ri me hapësirë prej 26.000 m2, kullë të re të trafikut ajrorë, investime në pistë për akomodimin e aeroplanëve më të mëdhenj dhe vende të reja parkimi për 1750 makina”, thuhet në këtë hulumtim.

 Edhe 257 mijë euro për autostradën që kushtoi 1 miliard euro

As investimi prej 1 miliard eurosh nuk i ka dhënë fund ndërtimit të autostradës “Ibrahim Rugova”. Qeveria e Kosovës po detyrohet të investojë në këtë projekt edhe qindra mijëra euro tjera, jo shumë kohë pasi kompania ndërtuese Bechtel Enka zyrtarisht e ka kryer punën.

Së fundi, gurët e vendosur përrreth autostradës për mbrotje nga shembjet e dheut, në shumë pjesë të autostradës, kanë filluar të rreshqasin në korsitë ku lëvizin veturat, shkruan Gazeta Fjala.

Ky problem gjatë vitit të kaluar është përseritur disa herë, ndërsa është vërejtur shembje e dheut edhe gjatë dimrit.

Si rrjedhojë Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, është detyruar të shpenzojë 257 mijë euro në një projekt që ka kushtuar 1 miliard euro dhe që nuk ka shumë kohë që është përfunduar.

Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi i mureve Gabion në Autoudhën “Ibrahim Rugova”, të shpallur se fundi nga Ministria e Infrastrukturës. Tashme është zgjedhur edhe kompania “Arfa” që do t’i kryejë këto punë./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/qeveria-i-con-miliona-euro-ne-aeroport-e-autostrade/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala